2009-05-28 12:20:35

Sot me 28 kalendari Kishtar përkujton Shën Gjermanin nga Parisi.


(28.05.2009 RV) Shën Gjermani lindi në vitin 496 pranë qytetit francez Autun, ndërsa vdiq më 28 maj të vitit 576. Bir i padëshiruar i një gruaje, që nuk e deshi kurrë, Gjermani nuk pati fëmijëri të lumtur. Jetoi pa ngrohtësi të prindërve, si eremit, derisa ipeshkvi i Autun-it, Agripini, e thirri pranë vetes e pas përgatitjes dhe formimit filozofik e teologjik e shuguroi diakon e më pas meshtar. Fillon kështu misioni i Shenjtit, i cili themeloi në Paris kuvendin me famë, Saint-Germain-des-Pres, (Sen Zhermč dë Prč) një nga qëndrat më të rëndësishme të përshpirtërisë benediktine e vend sugjestiv i Parisit të sotëm modern.
Shën Gjermani mori pjesë në disa nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së Kishës në Francë: në Koncilin e Turit në vitin 567 dhe në Koncilet e Parisit. Njihet edhe si autori i dy letrave me vlerë të veçantë për njohjen e liturgjisë galikane.
Sipas traditës, një ditë Shën Gjermani, tashmë ipeshkëv, i dha urdhër njërit nga sekretarët e tij t’i shkruante mbi kokën e krevatit datën: “28 maj!”.
Askush nuk e dinte ç’ kuptim kishte kjo datë, derisa një vit më pas, pikërisht më 28 maj, ipeshkvi shenjt mbylli sytë përgjithmonë, për t’u varrosur në Kapelën e Shën Sinforianit pranë kishës së abacisë, në një varr të dekoruar, rreth viteve 635, nga Shën Eligji, këshilltar i mbretit Dagoberti. Më pas reliket e tij u mbartën, në prani të Karlit të Madh e të përfaqësuesve më në zë të klerit, në Kishën e Shën Gjermen-Vieu, që u bë qendër shtegtimesh e vend lutje dhe mrekullish.







All the contents on this site are copyrighted ©.