2009-05-28 19:06:09

Selia e Shenjtë pjesëmarrëse në Konferencën ndërkombëtare të Firencës, mbi rishikimin historik të “Çështjes Galileo”


(28.5.2009 RV)Pas 400 vjetësh, akoma mungon një rishqyrtim i qetë dhe objektiv mbi çështjen e Galileo Galileit, shkencëtarit italian, të mirënjohur për shprehjen e famshme “Gjithsesi rrotullohet”, e cila qe përgjigja e tij ndaj pretendimeve të Inkuizicionit se Toka nuk rrotullohej rreth vetes e rreth Diellit.
Për këtë arsye, në Firence pranë Bazilikës së Shëna Kryqit, vend ku është varrosur astronomi nga Pisa, Galeleo Galilei, Instituti Stensen i Jezuitëve ka organizuar këtyre ditëve, në kuadrin e Vitit të Astronomisë, një konferencë ndërkombëtare mbi temën: “Çështja Galileo: një rishikim e rilexim historik, filozofik e teologjik”. Konferenca u hap pardje, në praninë e presidentit të Republikës Italiane, Xhorxho Napolitano e do të vazhdojë deri të shtunën. Në takim marrin pjesë 18 institucione, ndër të cilat edhe disa të Selisë së Shenjtë.
Punimet e kësaj konference synojnë të favorizojnë dialogun ndërmjet arsyes e fesë në çështjet etike bashkëkohore. Të dëgjojmë nënsekretarin e Këshillit Papnor për Kulturën, imzot Melhor Sançez de Toka:
"Para Gjon Palit II, qe Koncili II i Vatikanit, ai që kritikoi keqkuptimet në bazën e “Çështjes Galileo”, keqkuptime që lindën pasi nuk u perceptua dhe nuk u respektua autonomia e ligjshme e shkencave natyrore. Ç’të re mund të sjellë kjo konferencë? Ne do të uronim që më në fund të shihet përpara, në vend që të shihet mbrapa, e të mbyllet idealisht procesi historik, në të cilin, në këtë rast, i akuzuar nuk është Galileo, por Kisha Katolike. Besoj se gjatë këtyre shekujve, e në veçanti gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit, ka pasur një përpjekje serioze për rishqyrtimin e çështjes".
Cilat ishin gabimet e Kishës në rastin e Galileo Galileit?
"Së pari, është e qartë, mospranimi i teorive të Kopernikut, megjithëse është një gabim, që kuptohet në kontekstin shkencor të asaj kohe. Gabimi themelor ishte ndërhyrja në fushën e shkencës, pra mendimi se lëvizja e Diellit dhe e Tokës kishte të bënte me fenë, kur në të vërtetë është thjesht çështje e natyrës. Edhe kjo mund të kuptohet duke iu referuar kohës së Galileit: një teori shkencore e re, që nuk ishte provuar mjaftueshëm, e që prekte sidomos vizionin mbi botën, mbi njeriun, mbi universin. U deklarua e kundërt me fenë e ky qe pa dyshim një vendim i gabuar".







All the contents on this site are copyrighted ©.