2009-05-28 19:05:35

Papa: të rizbulohet rëndësia e bukuria e edukimit për të formuar njerëz e besimtarë të vërtetë


(28.5.2009 RV)Edukimi është detyrë themelore për Kishën dhe shoqërinë në përgjithësi e atë italiane në veçanti: këtë ripohoi sot Papa Benedikti XVI duke folur në audiencë me ipeshkvijtë katolikë italianë, të cilët i priti në Vatikan me rastin e Asamblesë së tyre të 59-të të përgjithshme që po mbahet këtyre ditëve.
Në punimet e Asamblesë së ipeshkvijve italianë që kanë për temë “Çështjen edukative: si detyrë urgjente e edukimit”, merr pjesë edhe përfaqësuesi i Konferencës Katolike Ipeshkvnore të Shqipërisë, ipeshkvi i Shqipërisë së Jugut, imzot Hil Kabashi .
Gjatë takimit të sotëm, Ati i Shenjtë Jozef Racinger bëri thirrje të fuqishme duke nënvizuar se “sot ka shumë nevojë për edukatorë me autoritet tek të cilët brezat e ri të mund të shikojnë me besim” dhe shtoi se: “ vështirësitë që hasen në formimin e vërtet të krishterë , takohen e gërshetohen edhe me vështirësi tjera, që shikuar në dritën e Ungjillit, mund të ndihmojnë në rritjen e njerëzve e të grave të ndërgjegjshëm e të pjekur. Ndërgjegjja e së vërtetës dhe e së mirës, si dhe aderimi i lirë duhet të jenë në qendër të planit edukues:
Një edukator i vërtetë, në rend të parë e vën në lojë jetën e vet dhe di të bashkoi autoritetin e shembullin në detyrën e edukimit të atyre që i janë besuar. Për këtë jemi të vetëdijshëm edhe ne personalisht, që jemi të vendosur si udhëheqës në mesin e popullit të Zotit, e mos harrojmë thirrjen që na drejton Pjetri apostull për ta kullotur grigjën e Zotit duke u bërë “shembull i grigjës”.
Ajo e edukimit, tha Papa në vijim të fjalimit, është “nevojë themelore dhe e përhershme e jetës së Kishës” e këndej duhet reflektuar mbi një projekt edukativ “që buron nga vizioni i drejtë dhe i plotë i njeriut”, që mund “të rrjedh vetëm nga Jezu Krishtit. Ai – tha Papa – është Mësuesi “ në shkollën e të cilit duhet të rizbulojmë detyrën e edukimit si thirrje e lartë” në të cilën çdo besimtar është i ftuar të marr pjesë e të formohet:
Në një kohë në të cilën është e fortë joshja e botëkuptimeve relativiste e nihiliste të jetës, si dhe vet ligjshmëria e edukimit vihet në diskutim, kontributi i parë që mund të ofrojmë si edukator është ai i dëshmisë së besimit tonë që kemi në jetën dhe në njeriun, në arsyen e në aftësinë e tij të dashurisë. Ajo nuk është fryt i një optimizmi të pabazë, por vjen deri tek ne nga ajo “shpresë e besueshme” ( Spe salvi,1) që na është dhuruar përmes fesë në shëlbimin e realizuar nga Jezu Krishti”.







All the contents on this site are copyrighted ©.