2009-05-27 14:22:20

Radioja e Papës hap dyert për reklama: ENEL i pari.


(27.05.2009 RV)Pas gati 80 vjetësh jetë, Radio Vatikani i hap dyert për reklamat. Drejtori i përgjithshëm, atë Federiko Lombardi e quan këtë hap si “revolucionar”, të tillë që do të ndryshojë thellësisht fizionominë e një emitenteje, e cila nga viti 1931 transmeton zërin e Papëve e të Vatikanit. Sipas atë Lombardit, radioja do të vazhdojë t’i përgjigjet thirrjes së saj të natyrshme: ungjillëzimit të të gjithë kontinenteve. Ndërmarrjet që do të bëjnë reklamë përmes Radio Vatikanit do të zgjidhen me vëmendje, në mënyrë që mesazhi i tyre të jetë në përputhje me natyrën e saj. E para që do të bëjë reklamë në Radio Vatikan është Eneli, Enti Kombëtar Italian për Energjinë Elektrike. Që nga 6 korriku deri më 27 shtator, ndërmarrja e dytë energjitike e Evropës do të transmetojë një reklamë në pesë gjuhë: italisht, anglisht, spanjisht, frëngjisht e gjermanisht. Reklamat do të transmetohen fillimisht në kanalin e drejtpërdrejtë të Radio Vatikanit “One-O-Five”, i cili dëgjohet kryesisht në zonën e Romës e përmes internetit. Reklama të tjera nuk do të transmetohen pa u shqyrtuar më parë e pa dyshim, fjalimet e Papës nuk do të ndërpriten. Benedikti XVI e ka përkrahur idenë, ashtu siç ka bërë me pjesëmarrjen e Vatikanit në Youtube e internet. “Ai ka besim në sensin tonë të përgjegjësisë e na i lë ne në dorë vendimet, që duhen marrë”, sqaroi atë Federiko Lombardi.







All the contents on this site are copyrighted ©.