2009-05-27 18:42:57

Papa për jetëshkrimin e Teodorit Studita


(27.05.2009 RV)Shenjti, me të cilin u njohëm sot, Teodori Studita, jetoi në mesjetën bizantine, në një periudhë tejet të trazuar në këndvështrimin politik e fetar. Lindi në vitin 759, në një familje fisnike e të përshpirtshme. E ëma, Teoktista, e një nga xhaxhallarët, Platoni, abat i manastirit Sakkudion në Bitini, nderohen si shenjtorë. Qe pikërisht i ungji që e drejtoi në jetën murgare, të cilën e nisi që në moshën 22 vjeçare. U shugurua meshtar nga patriku Tarazio, por më pas u shkëput prej tij, për shkak të ligështisë që tregoi në rastin e bashkëjetesës pa kurorë të perandorit Kostandini VI. Si pasojë, në vitin 796 Teodori u internua në Selanik. U pajtua me autoritetet perandorake vetëm një vit më pas, nën perandoreshën Irene, mirësia e së cilës i shtyu Murgun guximtar e ungjin e tij, Platonin, të zinin vend në manastirin e Studios, së bashku me pjesën më të madhe të bashkësisë së murgjërve Sakkudion, për t’iu shmangur sulmeve të saraçenëve.
Po dallgët e jetës së tij nuk u paqëtuan kurrë. Me energjinë, që e dalloi gjithë jetën, u vu në krye të rezistencës kundër rrymës së thyersve të ikonave, të drejtuar nga Leoni V Armen, i cili nisi t’i shkatërrojë përsëri figurat e ikonat ndër Kisha. Procesioni me ikona, organizuar nga murgjërit e Studios, u ndërpre brutalisht, me ndërhyrjen e policisë.
Ndërmjet viteve 815 e 821 Teodori u rrah me kamxhik, u burgos e u internua në disa vende të humbura të Azisë së Vogël. Më në fund mundi të kthehej në Kostandinopojë, por jo në manastirin e tij. U vendos, atëherë, së bashku me murgjërit e vet, në bregun tjetër të Bosforit. Me sa dihet, vdiq në Prinkipo, më 11 nëntor të vitit 826, ditë në të cilën kujtohet nga kalendari bizantin. Njihet në Kishë si një nga reformatorët e mëdhenj të jetës murgare e edhe si mbrojtës i ikonave të shenjta, gjatë fazës së dytë të lëvizjes së ikonathyersve, përkrah Patrikut të Kostandinopojës, Shën Niçeforit.
La tre libra, ndër të cilët, më i rëndësishmi është ‘Antirretikoi’. Në të argumenton se ta ndalosh besimtarin të nderojë ikonën e Krishtit, do të thotë të shlyesh vetë veprën e tij shëlbuese, duke pasur parasysh se Fjala e padukshme e amshuar e shenjtëroi gjithë kozmosin e dukshëm, që nga çasti kur, duke marrë natyrën njerëzore, u duk me korp të dallueshëm njerëzor. Ikonat, të shenjtëruara nga bekimi liturgjik e nga nderimi i besimtarëve, na bashkojnë me Krishtin, me shenjtorët e tij e, përmes tyre, me Atin Qiellor, duke dëshmuar hyrjen e realitetit hyjnor në gjithësinë tonë të dukshme e materiale.
Me vlerë, edhe Testamenti i tij shpirtëror si edhe Letrat, që tregojnë se Shenjti ishte njeri tepër i përzemërt, i aftë për të lidhur miqësi të thella shpirtërore, në manastir e jashtë tij.
Rregulla e Teodorit, e njohur si Hypotyposis, e kodifikua pak pas vdekjes së tij e u vu në jetë në Malin Atos në vitin 962, kur shën Athanasi Atonita themeloi manastirin e mirënjohur të Lavrës së Madhe, si dhe në Rus’ të Kievit, në fillim të mijëvjeçarit të dytë, nga Shën Theodosi, në manastririn e Lavrës së Shpellave.







All the contents on this site are copyrighted ©.