2009-05-27 17:41:45

Letra e kardinalit Hummes për Vitin meshtarak.


(27.05.2009 RV)RealAudioMP3 Gjithë populli katolik në të katër anët e botës, në dioqeza, famulli, bashkësi vendase, është i thirrur të marrë pjesë në Vitin meshtarak, që do të hapet nga Papa më 19 qershorin e ardhshëm, Ditë botërore e lutjes për shenjtërimin e meshtarëve. Me këtë rast do të përururohet kanali i ri i internetit: www.annussacerdotalis.org.

“Të lumtur, shenjtorë e gazmorë”- kështu dëshiron t’i shikojë populli i Zotit meshtarët e tij në punën e përditshme apostolike. E kujton këtë kardinali Klaudio Hummes, prefekt i Kongregatës për Klerin, në Letrën drejtuar meshtarëve në prag të vitit që u kushtohet, i cili do të fillojë me kremtimin e Lutjeve mbrëmësore, kryesuar nga Benedikti XVI, në Bazilikën e Vatikanit, në festën e Zemrës së Krishtit. Viti jubilar përkon me 150-vjetorin e vdekjes së Shën Gjon Maria Vianej-t, që me këtë rast do të shpallet nga Papa pajtor i të gjithë meshtarëve të botës, të cilët sot janë 408 mijë.
“Meshtarët janë vërtetë të rëndësishëm, jo vetëm për atë që bëjnë – shkruan kardinali Hummes – por edhe për atë që janë”. Nuk i fsheh, Hirësia e Tij, rastet e meshtarëve të përmendur për ‘probleme të rënda e situata kriminale’, që duhet vijuar të hetohen e të gjykohen, duke i dënuar, por që përbëjnë një pjesë ‘shumë të vogël” të klerit, në krahasim me pjesën më të madhe të meshtarëve, të cilët janë të denjë, të përkushtuar në mision, njerëz të lutjes e të bamirësisë baritore, që shkrijnë gjithçka, për të vënë në jetë thirrjen e misionin, shpesh herë edhe me flijime të mëdha personale, gjithnjë me dashuri të vërtetë për Jezu Krishtin, solidarë me të varfërit e me të vuajturit, edhe vetë shpesh herë tejet të varfër. Prandaj – nënvizon prefekti i Kongregatës për Klerin – Kisha krenohet me meshtarët e vet në mbarë botën.
Do të jetë, pra, Viti i kremtimeve fetare e publike, për thellimin e identitetit meshtarak në Kishë e në shoqëri, përmes takimeve të studimit, ditëve të reflektimit, ushtrimeve shpirtërore, konferencave e javëve teologjike, kërkimeve shkencore, botimit të të gjitha propozimeve me karakter krijues të Kishave vendase, për të thelluar afërsinë e miqësinë e meshtarëve me bashkësinë, që u është besuar e për të përcjellë kështu – uron kardinali Hummes – gëzimin e krishterë, që gurron nga siguria se Hyji i do meshtarët!







All the contents on this site are copyrighted ©.