Vdiq Atë Venger, i vetmi gazetar në Koncilin II të Vatikanit.
(25.05.2009 RV) Atë Antuën
Venger, i vetmi gazetar dëshmitar pamor i Koncilit II të Vatikanit, ndërroi jetë të
premten e kaluar, në moshën 89 vjeçare. Lajmin e dha sot Salla e Shtypit e Vatikanit,
duke saktësuar se Mesha e dritës do të kremtohet të mërkurën e ardhshme, më 27 maj,
në Lorgë dâ lë Var, në jug të Francës. Atë Venger, lindur më 1919 në një familje
punëtorësh të Alsasës, studioi në një institut rregulltar. Më 1943 u shugurua meshtar
e iu kushtua kërkimeve shkencore historike dhe teologjike. Në vitin 1957 u emërua
kryeredaktor i së përditshmes katolike franceze ‘La Croix’(La Krua). Me këtë detyrë
Pali VI e ftoi të marrë pjesë në seancat e Koncilit II të Vatikanit. Ishte i vetmi
gazetar i pranishëm në ngjarjen, që shënoi kthesën e madhe në jetën e Kishës katolike,
për të cilën la një sërë kronikash, të gjitha pikë referimi për studiuesit. Pas
kësaj përvoje, qe dëshmitar i drejtpërdrejtë i çasteve tejet të rëndësishme për historinë
e Kishës katolike, që nga misionet në Kinë, tek marrëdhëniet ndërmjet Vatikanit e
Kishës ortodokse ruse.