2009-05-25 18:05:46

Prova bërthamore dhe raketa: sfida e Koresë së Veriut


(25.05.2009 RV)Koreja e Veriut kreu sot paradite dy prova të rëndësishme për të cilat, në orën 22 do të mblidhet urgjentisht Këshilli i Sigurimit, nën presidencën e Rusisë. Fjala është për një shpërthim bërthamor nëntokësor dhe për hedhjen e dy raketave me rreze të shkurtër veprimi. Eksperimenti sfidon hapur regjimin e sanksioneve të OKB-së. Shpërthimet kanë shkaktuar një tërmet prej 4,5 ballësh të shkallës Rihter. Bashkësia ndërkombëtare dënoi njëzëri veprimet e Koresë së Veriut, por natyrisht mbetet alarmi për provat e Piong-jangut, që shihen si kërcënim konkret për paqen. Të dëgjojmë gazetarin italian Françesko Sishi i së përditshmes “La Stampa”, me telefon nga Pekini:
Është një element kërcënues më i madh, që Korea e Veriut vendos mbi tryezë, më me forcë se herët e tjera. Por ekziston edhe një element tjetër i rëndësishëm e kyç pikërisht për Këshillin e Sigurimit, ku Kina ka të drejtën e vetos. Sot, Kina popullore, Pekini ka një mundësi më shumë për t’u bashkuar me Tajvanin e në një farë mënyre të braktisë Korenë e Veriut. Kjo mund ta shtyjë Kinën të ketë një qëndrim më të ashpër ndaj Koresë së Veriut.
Fakti që Korea e Veriut është një element shqetësues i fuqishëm për ekuilibrin gjeopolitik të Azisë, a nuk është në interesin e Kinës?
Absolutisht jo, sepse ashtu si në vitin 2006, këto prova bërthamore të Koresë së Veriut drejtohen ekzaktësisht kundër Pekinit. Në vitin 2006, rasti ishte një mbledhje me Japoninë, kësaj radhe, një mbledhje pankineze e Kinës së madhe, ndërmjet komunistëve dhe nacionalistëve. Shihet se objektivi i vërtetë strategjik i Piong-jangut është Pekini, fajtor sepse ka tradhëtuar aleancën e madhe, vëllazërinë me Korenë e Veriut. Në fakt, Korea e Veriut përbën kërcënim strategjik jo për armët bërthamore apo për raketat që zotëron, por për rreth 8 mijë topat që shohin nga Seuli. Një sulm i papritur amerikan mund t’i eliminojë pozicionet me armë bërthamore, por natyrisht nuk mund të zhdukë me një të qëlluar 8 mijë topat e drejtuar nga qyteti me 10 milion banorë.







All the contents on this site are copyrighted ©.