2009-05-25 17:00:46

Në përfundim të shtegtimit…


Të dielën, më 17 maj, gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Papa kujtoi shtegtimin e tij të sapopërfunduar në Tokën Shenjte, duke njoftuar se do të flasë më shumë për vizitën e tij apostolike në audiencën e përgjithshme të së mërkurës.

“Kjo tokë, simbol i dashurisë së Hyjit për popullin e vet e për mbarë njerëzimin, është edhe simbol i lirisë e i paqes, që Zoti e dëshiron për të gjithë bijtë e vet”: kështu u shpreh Benedikti XVI duke kujtuar Tokën Shenjte, për të shtuar, më pas, se historia e djeshme, ashtu si ajo e sotme, tregojnë se pikërisht kjo Tokë u bë edhe simbol i së kundërtës, i përçarjeve e i ndeshjeve të pafundme të vëllaut me vëlla. “E si është e mundur të ndodhë një gjë e tillë?”- pyeti Papa me dhimbje të thellë, duke pohuar se kësaj pyetjeje duhet t’i përgjigjen zemrat tona, sepse të gjithë e dimë që kjo tokë lidhet ngushtë me planin misterioz të Hyjit e se këtu, siç shkruan Shën Gjoni – “Ai dërgoi Birin e vet si flije pajtuese për mëkatet tona”. Na përket, prandaj, të gjithëve tha Benedikti XVI, e më pas pohoi:
“Toka Shenjte thirret ‘Ungjilli i pestë’ sepse këtu mund të shikojmë, madje të prekim, realitetin e historisë që bëri Hyji me njerëzit, duke nisur nga viset e jetës së Abrahamit, deri tek viset e jetës së Jezusit, nga mishërimi, deri tek varri i zbrazët, shenjë e ringjalljes së Tij. Po, Hyji hyri në këtë tokë, veproi me ne në këtë botë. Por mund të themi edhe më: Toka Shenjte, për vetë historinë e saj, mund të konsiderohet një mikrokozmos, që përmbledh në vetvete rrugën e mundimshme të Zotit me njerëzimn, rrugë që – me mëkatin – nënkupton edhe kryqin. Por me begatinë e dashurisë hyjnore, e gjithnjë edhe me gëzimin e Shpirtit Shenjt, ringjallja tashmë filloi e është rrugë që, duke nisur nga luginat tona të lotëve, shkon drejt Mbretërisë së Hyjit. Kjo Mbretëri nuk është e kësaj bote, por jeton në këtë botë e duhet të depërtojë në të me forcën e drejtësisë e të paqes”.
Më pas, duke u shkëputur nga teksti zyrtar, Papa shtoi:
Historia e shëlbimit fillon me zgjedhjen e një njeriu – Abrahamit – e të një populli – Izraelit. Por qëllimi i saj është universaliteti, shëlbimi i mbarë popujve. Në historinë e shëlbimit gërshetohen pambarimisht e veçanta me universalen”.
E gjithnjë jashtë tekstit zyrtar, Benedikti XVI preku temën e dialogut ndërfetar:
“Ta druash Zotin e të jetosh sipas drejtësisë së tij: ta nxësh këtë mësim e t’ i hapësh kështu portat për mbretërinë e Hyjit: ky është qëllimi kryesor i çdo dialogu ndërfetar”.
Benedikti XVI nënvizoi se shtegtimi i tij në Viset Shenjte ishte edhe vizitë baritore në gjirin e besimtarëve, që jetojnë në ato vise të bekuara e njëkohësiht tragjike, shërbim për bashkimin e të krishterëve, për dialogun me hebrenjtë e myslimanët e për sigurimin e paqes:
“Do të dëshiroja sidomos të falënderoj Zotin që më dha hirin ta çoj deri në fund këtë shtegtim apostolik kaq të rëndësishëm. Falënderoj edhe të gjithë ata, që dhanë ndihmesën e tyre: Patriarkun latin dhe barinjtë e Kishës në Jordani, në Izrael e në Territoret Palestinese; Françeskanët e Rojtarisë së Tokës Shenjte, Autoritetet civile të Jordanisë, të Izraelit e të Territoreve Palestineze, organizatorët, forcat e rendit. Falënderoj priftërinjtë, rregulltarët e besimtarët, që më pritën aq përzemërsisht si dhe të gjithë ata, që më shoqëruan e më ndihmuan me lutjen e tyre. Faleminderit të gjithëve nga thellësia e zemrës”.
Pasi foli për shtegtimin apostolik, aq sa e lejonte koha e kufizuar e lutjes së Mbretëreshës qiellore, Papa njoftoi se do t’ i kushtojë më shumë kohë kësaj ngjarjeje të madhe për Kishën universale, në audiencën e përgjithshme të së mërkurës së ardhshme.
Në përfundim Papa përshëndeti në gjuhët përkatëse grupet e shumta, që kishin mbushur përplot Sheshin e Shën Pjetrit, nën një diell përvëlues, duke u kujtuar të gjithëve shtegtimin në Tokën Shenjte e duke i ftuar të luten për trojet e Jezusit.

Në audiencën e përgjithshme të 20 majit, Benedikti XVI kujtoi shtegtimin në Tokën Shenjte, ku duhet të mbretërojë harmonia ndërmjet vëllezërve e jo dëshira për të sunduar.
Pavarësisht nga konfliktet ndërmjet viseve të ndryshme të Tokës Shenjte e atyre ndërmjet të krishterëve, që prej dymijë vjetësh Kisha vijon rrugën drejt bashkimit të saj të plotë. Me këto fjalë e përfundoi Benedikti XVI audiencën e përgjithshme të së mërkurës, mbajtur më 20 maj në Sheshin e Shën Pjetrit, kushtuar plotësisht shtegtimit të tij apostolik në Tokën Shenjte.

Shtegtim i fesë, shtegtim i paqes: janë dy udhët që përshkoi Benedikti XVI duke ecur në një rrugë të vetme, atë që e çoi ku lindi Kisha e parë. Tetë ditë të ngarkuara me veprimtari, nga Mali Nebo, në Jordani e tek Varri i Shenjtë në Jeruzalem; ndërmjet ndërtesave e peizazheve që – tha Papa - të kujtojnë natyrën ‘shtegtare’ të Kishës mbi tokë; një Kishe që tashmë është e bashkuar me Krishtin, por që megjithatë, nuk mund ta shijojë ende amshimin e premtuar prej Tij. E ky është edhe fati i sotëm i Viseve të Shenjta, sa të shenjta, aq edhe vende mllefesh e gjaku:
“Në këtë Tokë të bekuar nga Hyji, nganjëherë të duket se është e pamundur të dalësh nga spiralja e dhunës. Por për Zotin e për ata që besojnë në Të, s’ka asgjë të pamundur! Prandaj nga besimi në Zotin e drejtë e të mëshirshëm, që është pasuria më e çmuar e këtyre popujve, duhet të burojnë me gjithë forcën respekti, pajtimi e bashkëpunimi”.
Pastaj Papa kujtoi Jeruzalemin, udhëkryq përshpirtërie e kundërvëniesh, qytet i paqes’, që shpreh planin e Zotit për njerëzimin: të formojë prej tij një familje të madhe, të cilin Krishti e realizoi me vdekjen e tij, duke e shembur, kështu, murin e armiqësisë:
Të gjithë besimtarët, prandaj, duhet t’i lënë pas shpine paragjykimet e dëshirën për të sunduar e të vënë në jetë njëzëri, urdhërimin themelor, që na kujton se duhet ta duam Zotin me gjithë vetveten e ta duam të afërmin si vetveten. Pikërisht këtë duhet të dëshmojnë hebrenjtë, të krishterët e myslimanët, për të nderuar kështu, me fakte, lutjet që i bëjnë Zotit me gojë”.
E pikërisht bindja se fetë duhet të japin ndihmesën e tyre për pajtimin, e shtyu Papën të vihej për udhë si shtegtar i paqes në Jordani e në Izrael, të ndalej tek Muri i Lotëve e tek Kupola e Shkëmbit, xhamia më e lashtë e Tokës Shenjte, e akoma, tek Memoriali i Yad Vashem, ku u lut për tragjedinë e paharruar e të paharrueshme të Shoah. E duke kujtuar pritjen plot respekt të familjes mbretërore jordaneze, në Aman, si dhe mundësinë që iu dha për të bekuar, në këtë komb, gurët e parë të dy kishave të reja, Benedikti XVI ripohoi një koncept shumë të dashur, të cilin e kujton dhe e mbron vazhdimisht:
“Ky fakt është shenjë e hapjes së portave dhe e respektit që vërehet në Mbretërinë Hashemite për lirinë fetare e për traditën e krishterë, e kjo meriton të vlerësohet lart.(…). Sa e rëndësishme është që të krishterët e myslimanët të bashkëjetojnë paqësisht, duke respektuar njëri-tjetrin. Falë hirit të Zotit, e impenjimit të sundimtarëve, në Jordani kjo është realitet. U luta, prandaj, që të jetë kështu edhe gjetiu, duke menduar posaçërisht për të krishterët e Irakut fqinjë, të cilët jetojnë në kushte tejet të vështira”.
Ndërsa Bazilikat e Betlehemit e të Nazaretit, përveç atyre të Jeruzalemit, me takimet e kremtimet e shumta, e pritën Benediktin XVI si shtegtar i fesë e si bari, që kishte shkuar të vizitonte grigjën e vogël katolike të Tokës Shenjte. Posaçërisht Betlehemin Papa e kujtoi gjatë audiencës si vend simbol, i cili tregon se njeriu është ende shumë larg nga kumtimi i paqes, që jehoi në një shpellë dymijë vjet më parë. E pikërisht Betlehemi, i varfër e i izoluar, mur i ndarjes ndërmjet izraelitëve e palestinezëve, ishte edhe vendi ku Benedikti XVI u drejtoi të gjithëve ftesën për ta kërkuar paqen me metoda, që e përjashtojnë dhunën:
“Pavarësisht nga të përpjetat e të tatëpjetat e Viseve Shenjte në rrjedhë shekujsh, pavarësisht nga luftërat, shkatërrimet e, për fat të keq, edhe ndeshjet ndërmjet vetë të krishterëve, Kisha e vijoi misionin e saj, e frymëzuar nga Shpirti i Zotit të ngjallur. Ajo është për udhë drejt bashkimit të plotë, që Bota të besojë në dashurinë e Zotit e të provojë gëzimin e paqes së tij”.







All the contents on this site are copyrighted ©.