2009-05-25 16:59:56

Jordani, 9 maj: mbi gjurmët e tri feve monoteiste.


Mali Nebo
Mali Nebo, 806 metra mbi nivelin e detit, lartohet mbi sheshinën transjordanike, 25 kilometra në jugperëndim të Amanit. Ka mundësi që në lashtësi të ketë qenë i lidhur me kultin e hyjnisë babiloneze Nebu. Me rëndësi historike dy majat, Sijaga (shpatet perëndimore) e Mukajat (juglindje). Në brinjat e malit derdhen shumë përrenj, ndërmjet të cilëve, Ujun Musà (Burimet e Moisiut), Ajn Kanisah (Burimi i Kishës) etj. Majat, të rrahura nga era, i hapin syrit të udhëtarit një panoramë të pashoqe të Tokës Shenjte e të Jordanisë jugore: në jug mund të soditen Deti i Vdekur e Shkretëtira e Judesë; në lindje, Lugina e Jordanit, Malet e Judesë e të Samaraisë; në veri, Jebel Oshà (Mali Osha) e Vadi Zerka (Lugina e kaltërt). Në sfondin e kodrinave që rrethojnë Amanin, kur horizonti është i kthjellët, mund të shihen edhe Betlehemi, fortesa e Herodit, Lugina e Jordanit, Deti i Vdekur, Oaza e Jerikos, kupolat e Jeruzalemit e, natën, dritat e Qytetit Shenjt. Sipas traditës, është vendi prej nga Zoti i tregoi Moisiut Tokën e premtuar, në përfundim të provës në shkretëtirë, 40 vjet pas Daljes nga Egjipti.
Memoriali i Moisiut mbi Malin Nebo u ndërtua nga të krishterët e zonës së Madabasë për të kujtuar faqen e famshme të Biblës (Kapitulli 34 i Deuterenomit) në të cilën tregohet fundi i jetës së Moisiut, Profet e Njeri i Zotit. Nga maja e këtij ballkoni natyror, Moisiu e pa nga larg, me fe e shpresë, Tokën e premtuar.
Mijëra shtegtarë, që kanë shkelur mbi majën e Malit Nebo, kanë provuar se ky është vend që shëron shpirtin e korpin, vend strehimi për të gjithë ata që vuajnë e kërkojnë paqe.

Françeskanët në Sijaga mbi Malin Nebo
Prania e françeskanëve të Rojtarisë së Tokës Shenjte mbi Malin Nebo nis që në vitin 1932. U vendosën këtu falë disa kushteve të favorshme: entuziazmit të fratit kroat Jerom Mihaiç (kujdestar i kopshteve të Rojtarisë së Jerikos, mik e bamirës i familjeve endacake beduine, që kishin ngritur çadrat në brigjet e Jordanit); lejes e bashkëpunimit të emirit Abdullah Ben Hussein, i cili i autorizoi françeskanët të vendosen në Majën e Sijagasë, mbi Malin Nebo; rizbulimit të rrugës së Egjerisë, dmth. rrugës që pati bërë kjo shtegtare në viteve 393-396, përshkruar në ditarin e saj si dhe dëshmisë së ipeshkvit monofizit të Gazës, Pjetër l’Ibero, që përshkruan zanafillën e mrekullueshme të Shenjtërores.
Studium Biblicum Franciscanum ka organizuar dy fushata gërmimesh, më 1933-1937 e pastaj më 1960, nën drejtimin e arkeologut françeskan me famë botërore, Atë Mikele Piçirilo (1944-2008 ), që vdiq pak kohë më parë e u varros në kuvendin mbi Malin Nebo. Gjatë gërmimeve, u zbuluan Bazilika e Moisiut Profet, manastiri Vadì Afrit (Lugina e Djallit) dhe pesë Kisha (e Shën Gjergjit, Shën Lotit, Shën Prokopit, Shën Amos, Shën Kaziseos dhe e Priftit Gjon) të gjitha me dysheme të mrekullueshme, realizuar me teknikën e mozaikut, ndonëse gjysëm të rrënuara gjatë periudhës së ikonathyersve.
Bazilika e Moisiut u ngrit në shekullin IV, mbi themelet e një monumenti të mëparshëm të epokës klasike. Aty ishte edhe një manastir, i zmadhuar në shekullin VI. Nga viti 1933 në Sijaga, mbi Malin Nebo, u ngrit një kuvend françeskan, me hapësira për lutje e ndërtesa të posaçme për arkeologët. Si rezultat i këtij misioni, këtu është hapur shkolla e qeramikës, po studiohet plani për realizimin e një parku arkeologjik dhe për vijimin e gërmimeve në Umm Al-Rasàs, 40 kilometra në juglindje të Madabasë. Në këtë vend françeskanët rigjetën Kishën e Shën Shtjefnit, me një dyshme madhështore, realizuar me mozaik, ku skicohen hartat e disa qyteteve të Palestinës.

Qyteti Madabà
Qendër që banohet që prej 4500 vjetësh e që kujtohet në Bibël si qytet moabit me emrin Medeba (Nm 21,30; Gs 13-9, 16). Në vitin 106 qyteti përfshihet në provincën romake të Arabisë. Nis një zhvillim të vrullshëm. Ngrihen ndërtesa madhështore publike e rrugë të gjëra. Gjatë shek. I, krishterimi përhapet me shpejtësi në të gjithë Arabinë, por besimtarët persekutohen e shumë prej tyre humbasin edhe jetën gjatë persekutimit të Dioklecianit. Pas kthimit të Kostandinit e posaçërisht në shekullin V e më tej, Madabà ka një ipeshkëv e, në epokën bizantine (shek VI-VII), këtu ndërtohet një numër i madh kishash.
Ky vend është i famshëm për gjetjen e ‘Hartës së Madabasë’, me rastin e rindërtimit të Kishës greko-ortodokse të Shën Gjergjit (1896). Është fjala për mozaikun, në të cilin paraqitet harta e gjithë Tokës Shenjte, rruga që duhet përshkuar për të arritur në Jeruzalem përmes pesë zonave të ndryshme, e edhe vetë Qyteti Shenjt, me të gjitha hollësitë: me muret e rrethuese, Portën e Damaskut, Portën e Shtyllës, Portën e Rrumbullt, Bazilikën e Varrit të Shenjtë e Bazilikën e “Sionit Shenjt’, me të cilën lidhet Çenakulli.
Madabà, qytet ku ka lindur Patriku i Jeruzalemit për Latinët, Fortlumturia e Tij, Fuad Tual, sot zë vendin e pestë ndërmjete qyteteve të mëdha të Jordanisë, si për numrin e popullsisë, ashtu edhe të shtegtarëve që e vizitojnë çdo vit.

Xhamia kushtuar “Mbretit Hussein Bin Talal”
Kjo Xhami madhështore u ndërtua nga Mbreti Abdallah II për kujtim të babait të tij. U përurua më 12 prill 2006.
Ndërtesa e kultit, ngrihet mbi një terren prej prej 60 mijë metrash katrore, në kodrën më të lartë të parkut publik të Amanit. Vetë Xhamia shtrihet në një terren me sipërfaqe 7. 700 metra katrore e mund të zërë rreth 6 mijë besimtarë. Arkitektura është tipikisht islamike, me formë katrore, me një kupolë prej bakëri e me katër minare katrore, 46 metra të larta, vendosur në të katër skajet, mbuluar me kupola bakëri. Pranë Xhamisë janë shkolla kuranike, biblioteka, burimet e ujit ku besimtarët marrin avdes si dhe Muzeu Hashemit, me koleksionin e tij historik unik mbi dinastinë sunduese Hashemite.
Duke vizituar Xhaminë, Benedikti XVI u shpreh kështu:
“Vendet e kultit, si Xhamia madhështore e Al-Hussein Bin Talal, kushtuar Mbretit të ndjerë, lartohen si stoli mbi faqen e tokës. Nga koha e më e lashtë, tek ajo më moderne, nga më e shkëlqyera, tek më e përvujta, të gjitha na çojnë drejt hyjnores, drejt Hyjit të vetëm, të Gjithëpushtetshmit. E në rrjedhë shekujsh, këto shenjtërore kanë tërhequr burra e gra brenda hapësirës së tyre të shenjtë për të pushuar një çast, për t’u lutur e për të kujtuar praninë e të Gjithëpushtetshmit, si dhe për të pranuar se ne të gjithë jemi krijesat e tij”.







All the contents on this site are copyrighted ©.