Patriarkana greko-ortodokse e Jeruzalemit dhe e gjithë Palestinës. Pas pushtimit
arab të shekullit VII, Patriarkana e Jeruzalemit, tejet e dobësuar, kërkoi mbështetje
nga Patriarkana e Kostandinopojës e, kur kjo e fundit u shkëput nga Roma, më 1054,
bashkësia patriakale e Jeruzalemit e ndoqi pas. Patriku greko- ortodoks dhe gjithë
hjerakia janë me origjinë greke, me pak përjashtime, ndërsa shumica e priftërinjve
të ngarkuar me kujdesin e famullive, janë arabë, ashtu si të gjithë besimtarët e tyre.
Rëndësi të veçantë ka Bashkëvëllazëria e Varrit të Shenjtë, krejtësisht greke, që
ruan e mbarështon Viset e Shenjta. Ortodoksët kanë shumë kisha e manastire. Po kujtojmë
vetëm disa prej tyre: Manastirin e Shën Sabës, të Shkretëtirës së Judës, pjesën më
të madhe të Bazilikës së Varit të Shenjtë, Kalvarin (pjesërisht), Bazilikën e Lindjes
së Krishtit në Betlehem dhe Kishën e Lajmërimit të Zojës së Bekuar, ku kanë të drejta
edhe armenët. Edhe manastiri i Malit të Sionit, ndonëse i përket një Kishe të vogël
të pavarur, lidhet me Patriarkanën ortodokse të Jeruzalemit, që numëron rreth 40 mijë
besimtarë në Izrael e në Cisjordani, ndërsa në Jordani, besimtarët arrijnë në 20
mijë. Aktualisht Patrik i Qytetit të Shenjtë të Jeruzalemit dhe i gjithë Palestinës
është Fortlumturia e Tij, Teofili III. Teofili III lindi në Greqi në vitin
1952, u shugurua prift në vitin 1970, pasi studioi teologji në seminarin fetar të
Patriarkanës së Jeruzalemit. U zgjodh njëzëri nga anëtarët e Sinodit të Shenjtë të
Kishës greko-ortodokse më 20 gusht 2005, pas dorëheqjes së Ireneut I, që u akuzua
se kishte gisht në shitjen e pasurive të patundshme të Kishës në Qytetin e Vjetër
të Jeruzalemit afaristëve hebrenj.
Varri i Shenjtë Varri i Shenjtë
është, sipas traditës, vendi i Kryqëzimit, i Varrosjes dhe i Ringjalljes së Jezu Krishtit.
Quhej Golgotë (kafkë, në gjuhën aramaike), ndoshta për formën e veçantë të terrenit.
Në kohën e Jezusit, vendi ndodhej jashtë qytetit dhe ka shumë mundësi të ishte më
i lartë se sot, por u përfshi brenda qytetit me ndërtimin e Murit të tretë në vitet
41-44. Pas shtypjes së revoltës judaike, në vitin 135, Jeruzalemi pësoi ndryshime
rrënjësore: judej, samaritanë, judej të krishterë u përzunë dhe iu ndalua të ktheheshin.
Perandori Adrian, me qëllimin për të zhdukur çdo gjurmë të fesë judaike, që kishte
shkaktuar dy revolta të dhunshme, mori përsipër të rrafshonte çdo vend kulti. I njëjti
fat i takoi Varrit të Krishtit, i cili u bë rrafsh me tokën, u mbush me dhe, e mbi
të, u ndërtua një tempull për hyjneshën Afërditë-Ishtar. Në Jeruzalem, mbeti një bashkësi
e krishterë që vinte nga paganizmi, së cilës i njohim ipeshkvin e parë, Markun. Kjo
bashkësi ruajti kujtimin e Varrit të Shenjtë, të mbuluar nga ndërtesat pagane, deri
në kohën e Kostandinit. Gjatë Këshillit të parë Ekumenik (Nike, 325), ipeshkvi
i Jeruzalemit, Makario e ftoi perandorin Konstandin të zbulonte sërish Varrin e Shenjtë.
Kostandini shkatërroi tempullin e Afërditës mbi Golgotë. Varri i Krishtit u lirua
nga dherat, që e kishin ruajtur në mënyrë të përsosur, dhe nëna perandoreshë, Shën
Elena ngriti aty Bazilikën e Ringjalljes. Kompleksi kostandinian kishte tri pjesë.
E para përbëhej nga kamarja mbi varr: shkëmbi u pre e varri i Jezusit u izolua nga
të tjerët; përreth u ndërtua një mur mbrojtës, mbuluar me një kupolë të quajtur Anàstasi
(Ringjallje në greqisht). Pjesa e dytë, që ëuhet Martyrium, përballë Anàstasisë, ishte
një bazilikë me pesë navata. Pjesa e tretë përbëhej nga Kalvari, edhe ai i izoluar
nga shkëmbi përreth dhe i veshur me mermer, duke lënë të hapur vetëm në majë, ku ishte
ngulur një kryq simbolik. Disniveli ndërmjet bazilikës dhe majës së Golgotës ishte,
e është edhe sot, rreth pesë metra. Pushtimi nga Kosrò (614) dëmtoi rëndë ndërtesa
të ndryshme dhe shtegtari Arkulfo (670) tregon se guri që mbyllte varrin ishte copëtuar
nga persianët e copat kishin përfunduar në eleterë të ndryshëm. Pushtimi arab (638)
nuk e preku aspak Varrin e Shenjtë dhe të krishterët vazhduan ta përdornin si vend
kulti, duke alternuar çastet e tolerancës së heshtur me ato të dhunës së hapur. Në
vitin 1009, kalifi fatimit Al-Hakim e shkatërroi krejtësisht Varrin e Shenjtë. Në
vitin 1048, perandori bizantin, Kostandin Monomako mori lejen për të restauruar shenjtëroren.
Bazilika (Martyrium) nuk u rindërtua më, por u restaurua ajo që mbetej n ga Anàstasi;
mbi Golgotë u ndërtua një kapelë që mbulonte shkëmbin. Kryqtarët, të cilët hynë
në Jeruzalem më 15 korrik 1099, vendosën të mos i rindërtonin monumentet e mëparshme,
të dëmtuara shumë, por të ngrinin një kishë të madhe, që të përmbyllte në një ndërtesë,
të gjitha vendet thelbësore të vdekjes e Ringjalljes së Jezusit. Kisha e re u shugurua
në vitin 1149 e mbeti pak e ashumë e pandryshuar deri në shekullin XIX. Françeskanët
bënë punime të rëndësishme konsolidimi, pa prekur strukturën origjinale në vitet ‘500
dhe në fillim të viteve ‘700. Në vitin 1808, zjarri përfshiu e shkatërroi shumë pjesë
të kishës; greko-ortodoksët nxorënn nga autoritetet otomane, lejen për rindërtimin,
por restaurimi “i rëndë”, i bërë keq, fshiu çdo gjë që kujtonte kryqtarët (nënshkrime,
dekorime, varret e mbretërve latinë). Pas tërmetit të vitit 1927, qeveria britanike
që kishte Mandat mbi Palestinën, bëri vepra të mëdha konsolidimi me karakter të përkohshëm.
Bazilika u dëmtua nga bombardimet gjatë luftës arabo-izraelite në vitin 1948. Në
ditët tona, Bazilika qeveriset nga “Statu quo”-ja dhe janë bashkëpronare të saj tri
bashkësitë e krishtera, ajolatine (e përfaqësuara nga fretërit e vegjël), greko-ortodokse
dhe armeno-ortodokse. Koptët ortodoksë, siro-ortodoksët dhe etiopikët mund të kremtojnë
meshë në Bazilikë. Në hyrje ndodhet Guri i Bagmit, një gur i gjatë i lëmuar prej
kalciumi rozë. Me qirinj në krye e në fund e me tetë llampa sipër, përbën Stacionin
XIII të Udhës së Kryqit; sipas traditës, tregon vendin ku Jezusi, pasi e hoqën nga
Kryqi, u lye me vajra. Brenda shenjtërores ndodhet Varri i Shenjtë, Stacioni XIV,
i rrethuar nga një kapelë në formë drejtkëndëshi (8,30 x 5,90 x 5,90 m). Fasada është
plot me llampadarë me globe të argjendta. Mbi portë janë varur tri kuadro të Ringjalljes,
respektivisht të latinëve, grekëve dhe armenëve. Derëza prej druri, me dy fletë me
stoli e arabeska të arta, qëndron gjithnjë e hapur, me përjashtim të çastit në të
cilin kremtuesi armen apo ai grek duhet të qëndrojë vetëm, sipas liturgjisë. Duke
hyrë në dhomën e lutjes, shihet një parakthinë e vogël, që quhet Kapëla e Engjëllit
(Lajmërimi i grave për Ngjalljen e Krishtit); pastaj, përmes një dere prej 1,33 metrash,
vazhdon dhoma mortore, apo Varri i Shenjtë (2 x 1,93 m); mermei mbulon shkëmbin origjinal
në të cilin u vendos trupi i Krishtit. Kapela të tjera ndodhen brenda Bazilikës (Kapela
e Kryqëzimit, e Kalvarit, e Koptëve, kori i Grekëve, Varri i Jozefit të Arimatesë,
Burgu i Shenjtë i Krishtit, Kripta e Shën Elenës). Në vitin 1971 filluan punimet
për restaurimin, nën kujdesin e tri bashkësive bashkëpronare. Më 17 gusht 1994, Rojtari
i Tokës Shenjte, atë Xhuzepe Naxaro ofm, Patriku greko-ortodoks i Jeruzalemit Diodoros
I dhe Patriku Armeno-ortodoks Torkom Manukian nënshkruan një marrëveshje historike. Është
fjala për projektin e përbashkët për restaurimin e dekorimin e kupolës së Anàstazisë
me një afresk prej 12 rrezesh të arta, që përfaqësojnë 12 apostujt; rrezet përhapen
mbi një sfond gri perle, i cili përfaqëson “renë e ndritshme të pranisë hyjnore”,
e çdo rreze është e trifishtë, për t’iu referuar Trinisë Shenjte. Në ceremoninë e
përurimit (2 janar 1997), ishin të pranishëm krerët e Kishave lokale, përfaqësuesit
e bashkësive hebraike e myslimane të Jeruzalemit dhe Trupi Diplomatik.