(24.05.2009 RV)Skolastika shpejton hapin e nuk ndalohet për të soditur kodrinat
mahnitëse të Italisë qëndrore. Do të takohet me vëllaun binjak, Benediktin, takim
që po e pret që prej treqind e gjashtëdhjetë ditësh. Në të vërtetë, Benedikti e Skolastika,
ndonëse i kanë themeluar kuvendet pak kilometra larg njëri-tjetrit, takohen vetëm
një herë në vit. Benedikti zbret nga Mali i Kasinos, e motra del nga kuvendi i ndërtuar
në luginë e takohen në një shtëpizë në gjysëm të rrugës. Ia lejojnë vetes një takim
të tillë që të çmallen e të bisedojnë për gjithçka i lidhë e, sidomos, për Zotin,
që është zemra e jetës së tyre. Benedikti e Skolastika janë binjakë në gjak e në
shpirt. Që të vegjël kishin të njëjtat prirje, të njëjtën ëmbëlsi, të njëjtin durim
e të njëjtën dëshirë për t’iu afruar Zotit. Kur Benedikti shkroi Rregullën e vet të
njohur murgare, Skolastika e përshtati menjëherë për kuvendin ku jetonte me simotrat
e veta, që ia kishin kushtuar gjithë jetën Hyjit. Skolastika është rregulltarja e
parë benediktine. “Dita do të fluturojë” - psherëtin motra, duke shpejtuar hapin.
Zemra i thotë se ky do të jetë takimi i tyre i fundit. Është vetëm gjashtëdhjetë e
tri vjeçe, por ndjen në trup frymën e acartë të vdekjes. Prandaj dëshiron që kjo ditë,
e larë me rreze dielli, e 7 shkurtit të vitit 543, të jetë dita më e gjatë e të gjitha
viteve. Dy binjakët takohen, merren ngrykë, zhyten në një bisedë të këndshme, të
pafund. Harrojnë se koha shket e shkon. Pas disa orëve, çuditen kur shohin se dielli
dalë-nga-dalë fshihet pas malit. Benedikti ngrihet e bëhet gati për t’u nisur. Motra,
e ngashëryer, i lutet: “Vëllau im, rri edhe pak… E sikur të flasim gjithë natën?”. Benedikti
tund kokën. Dëshiron të ndalet, po në kuvend e presin. Skolastika trishtohet. Por
– mrekulli – pikërisht në atë çast shpërthen një rrebesh i tërbuar. Shiu i rrëmbyer
e përmbyt menjëherë oborrin rreth shtëpizës së vogël, ku vëlla e motër përgatiten
të ndahen. Benediktit i duhet ta kalojë natën aty. Në fund të fundit i duket si dhuratë,
prandaj rinis bisedën, filli i së cilës vijon të zhdridhet, pa u këputur për asnjë
çast, tërë natën. Tri ditë pas këtij takimi të paharrueshëm, vëllau merr lajmin e
vdekjes të së motrës. Ishte takimi i tyre i fundmë! Benedikti i falet nderës Zotit
për stuhinë e papritur. Shumë artistë kanë realizuar kompozime të mrekullueshme,
që paraqesin lidhjen e ngushtë të vëllaut me motrën. Në shumicën e këtyre pikturave
shihet Shën Benedikti, që shikon shpirtin e Skolastikës duke fluturuar drejt qiellit
në formën e pëllumbit!