(24.05.2009 RV)"Që për njerëzit e sotëm … të jetë i pacënueshëm e i shenjtë
ideali i bashkimit shpirtëror të Evropës e të mos u mungojë kurrë ndihma nga qielli
për ta realizuar në praktikë, e shpallem Shën Benediktin - Pajtor të Evropës". Me
këto fjalë Papa Pali VI, më 24 tetor 1964, nga Montekasino, ku kishte shkruar për
të shuguruar rishtas manastirin e shkatërruar prej bombardimeve aleate të 1944-tës,
pikërisht në vendin ku Shën Benedikti kishte kaluar vitet e fundit të jetës, duke
rrezatuar në të gjithë Kontinentin mesazhin e tij të përshpirtërisë e të fesë, dha
këtë njoftim për shpalljen e Abatit shenjt të shekullit VI, themeluesit të monakizmit
përendimor, si Pajtor qiellor i Evropës. Ndonëse dita e lindjes së Shenjtit për
qiell është 21 marsi, Festa e Pajtorit të Evropës kremtohet më 11 korrik, sepse marsi
përkon me Krezhëmt. Gjithsesi murgjërit benediktinë ia kremtojnë të dyja datat: atë
të vdekjes dhe atë të Shpalljes Pajtor i Evropës. Në letrën apostolike "Pacis Nuntius"
të datës 24 tetor 1964, Papa Pali VI shpjegonte edhe arsyet e kësaj shpalljeje, kërkuar
me ngulm nga hierarkia dhe nga mbarë populli i Zotit, pasi edhe Piu XII e pati kujtuar
Shën Benediktin si "Babai i Evropës" dhe vetë Gjoni XXIII e pati dëshiruar me gjithë
zemër këtë ditë. Ja ç'shkruhet në Letrën e Papës Montini: "Ndërsa shembej
Perandoria Otomane e disa zona të Evropës dukej sikur kridheshin në errësirë, ndërsa
të tjerat jetonin pa qytetërim e pa vlera shpirtërore, ai, me impenjimin e tij të
palodhshëm, bëri që në këtë Kontinent të muzgët të lindë agimi i një epoke të re.
Ai e bijtë e tij me kryq, libër e parmendë, qenë të parët që çuan progresin e krishterë
ndërmjet popujve të përhapur nga Mesdheu e deri në Skandinavi; nga Irlanda e deri
në rrafshinat e Polonisë. Me Kryq, domethënë me Ligjin e Krishtit, siguruan
qëndrueshmërinë dhe lulëzimin e rendit të jetës publike e private… duke çimentuar
atë unitet shpirtëror evropian, me forcën e të cilit popuj që flisnin gjuhë të ndryshme,
ndjenë se po formonin një popull të vetëm. Popullin e Zotit. Me libër, pastaj,
domethënë me kulturë, vetë Shën Benedikti, nga e i cili shumë manastire morën emër
e forcë, shpëtoi me guxim providencial, në çastin kur trashëgimia humanistike rrezikonte
të zhdukej, traditën klasike të botës së lashtë, duke i përcjellë të paprekur breznive
të ardhshme, kultin e diturisë. Me parmendë, së fundi, domethënë me kultivimin
e arave e nisma të tjera me rëndësi të dorës së parë për zhvillimin e bujqësisë, ia
doli mbanesh t'i shndërronte tokat djerr në fusha pjellore e kopshte të lulëzuara;
e duke bashkuar lutjen me punën materiale, sipas motos së tij të famshme "ora et labora"
- "lutu e puno!" fisnikëroi e lartoi djersën që rrjedh nga balli i ndershëm". Më
27 prill 2005, në audiencën e parë të përgjithshme të papnisë së Tij, duke i ftuar
besimtarët ta ndjekin e ta mbështesin me lutje, Papa Benedikti XVI shpjegoi pse e
zgjodhi emrin që mban tashti: “Desha të quhesha Benedikti XVI për t’u lidhur
përsëri shpirtërisht me të nderuarin Papën Benedikti XV, i cili e udhëhoqi Kishën
në një periudhë të trazuar për shkak të konfliktit të parë botëror. Por gati njëmijë
vjet më parë, një tjetër Benedikt ndikoi fuqimisht mbi fatet e Kontinetit të Vjetër:
Benedikti nga Norçia, qytezë në Umbria". Me urdhërin e tij murgar – kujtoi
Papa, “Patriarku i monakizmit përendimor”, më pas bashkëpajtor i Evropës, me Çirilin
e Metodin, ushtroi një ndikim të pallogaritshëm në përhapjen e krishterimit në të
gjithë Kontinentin. Prandaj – vijoi Ati i Shenjtë- Shën Benedikti është tepër i nderuar
në Gjermani e posaçërisht në Bavari, në tokën ku kam lindur: “Shenjti përbën
një pikë themelore referimi për bashkimin e Evropës, duke na kujtuar fuqimisht se
nuk mund të hiqet dorë nga rrënjët e krishtera të kulturës së saj e të qytetërimit
të saj. Prandaj në fillim të shërbimit tim si pasardhës i Shën Pjetrit, i lutem Shën
Benediktit të na ndihmojë ta ruajmë të patundur qëndërsinë e Krishtit në jetën tonë.
Ai duhet të zërë vendin e parë në mendimet tona e në veprimtaritë tona”- kështu u
shpreh Papa Benedikti XVI". Mbetet tepër aktual Shën Benedikti. Si dikur me
dritën qytetërimit të krishterë ia mërrijti t'i davaritë retë e zeza e të rrezatojë
dhuratën e paqes, kështu edhe sot ai i prin jetës evropiane, duke ndërmjetësuar që
Evropa të zhvillohet, të rritet e të përfshijë ndër kufijtë e vet të gjithë popujt
që i pëkasin e që dëshirojnë të jetojnë sipas motos "ora et labora" - me Kryq, me
pendë e parmendë!