Papa Benedikti XVI në Abacinë e Montekasinos. Intervistë me kryeabatin, dom Pietro
Vitorelin.
(24.05.2009 RV)Papa Benedikti XVI
ishte sot për një vizitë baritore në Abacinë e Montekasinos në Itali. Abacia është
e mirënjohur për faktin se këtë vend lutjesh e jete mungare e ka themeluar Shën Benedikti,
Pajtor i Evropës, rreth vitit 529 pas Krishtit. Ka pësuar katër shkatërrime të plota
dhe është rindërtuar e ka lulëzuar sërish. Është pikë referimi për benediktinët e
të gjithë botës e aty ndodhet edhe varri i Shën Benediktit, të cilit i njihet merita
e ungjillëzimit të kulturës evropiane. Por le ta përshkojmë këtë ditë të Benediktit
XVI, sëbashku me kryeabatin e Abacisë së Montekasinos, dom Pietro Vitorelin, i cili
në mikrofonin tonë, na shpjegon se cilat ishin momentet kulmore: Një ditë e
tërë, intensive, që në sintezë, mund ta përmbledhim në katër çaste domethënëse: paraditja,
vizita baritore në dioqezë me Meshën, që për herë të parë në histori, një Papë e kremtoi
në qendrën e qytetit të Kasinos, në një shesh, që me këtë rast, iu kushtua një herë
e përgjithmonë Benediktit XVI. Ngjarja e dytë menjëherë pas Meshës: Papa përuroi “Shtëpinë
e Bamirësisë”, që po ndërtohet në lokalet e spitalit të vjetër civil të Kasinos, e
që Rajoni i Lacios, pas kërkesës sime, na e vuri në dispozicion. Po e përgatisim të
presë emigrantët, që nuk kanë shtëpi e të afërm ku të shkojnë. Më pas, gjatë pasdites,
pjesa e dytë e ditës iu kushtua krejtësisht botës benedektine ndërkombëtare. Ati i
Shenjtë u takua me abatët dhe abateshat benedektine, që nga e gjithë bota, kanë ardhur
në Montekasino, sëbashku me murgjër e murgesha. E së fundi, ngjarja e katërt para
nisjes, ishte vizita në një varrezë lufte, me të cilat fatkeqësisht është plot territori
ynë. Papa shkoi në varrezën polake pranë Abacisë, pasi këtë vit bie edhe 65-vjetori
i bombardimit të Abacisë së Montekasinos e të qytetit të Kasinos. Nuk është
hera e parë që Jozef Racinger viziton Abacinë: në vitin 2001, kur ishte akoma kardinal,
shkroi pikërisht në Montekasino librin “Zoti dhe bota”. Ç’mund të na thoni për atë
periudhë? E kujtoj shumë mirë atë periudhë e me emocion të madh, sepse unë
– atëherë isha sekretari i paraardhësit tim – kisha për detyrë ta ndihmoja personalisht
kardinalin Racinger, prandaj ato ditë kam qenë shumë afër tij. Kam një kujtim të mrekullueshëm
për natyrën e tij, e do të thosha, edhe për përshpirtërinë e tij thellësisht mungare,
aq sa duke bërë shaka, ndërmjet sivëllezërve, thuhej: “As që duket se kemi një kardinal
në shtëpi!” Në përgjithësi, kur kemi miq të lartë, sidomos për ne benedektinët, që
mikpritjen nuk e kemi vetëm detyrë, por bën pjesë në Rregullën e Shën Benediktit,
ka gjithnjë një farë tensioni, një valë zelli në shtëpi. Ato ditë, gjithçka ishte
e qetë, e heshtur, pa zhurmë. Kardinali Racinger hyri në majë të gishtave, me shumë
takt, në orarin e ditës mungare, prandaj, as që e vinim re se ishte i pranishëm. Në
Rregullën e tij, Shën Benedikti shkruante: “Asgjë të mos vijë para Krishtit”. Cili
është aktualiteti i këtyre fjalëve? Sot më tepër se kurrë ndjejmë urgjencën
dhe emergjencën për ta vënë sërish përparësinë e Krishtit në qendër të jetës, pasi
nganjëherë, edhe në Kishë, krijohet përshtypja se ngjarjet, rastet rrokullisen njëra
pas tjetrës. Por ajo që ka më shumë rëndësi, ngjarja që ka vërtet kuptim për jetën
e të krishterit e për jetën e Kishës është Jezu Krishti. E kjo ka përparësi absolute
mbi gjithçka. Mendoj se nganjëherë duhet të ungjillëzojmë sërish edhe veprimet tona
baritore në dritën e primatit të Jezu Krishtit, siç na mëson Shën Benedikti në Rregull
e siç predikon Papa Benedikti XVI. Ndër të tjerash, dëshiroj të kujtoj fjalimin e
mrekullueshëm që mbajti shtatorin e kaluar, gjatë vizitës baritore në Paris, në Kolegjin
e Bernardinëve, ku iu drejtua shkencëtarëve francezë, duke mbajtur një fjalim të ndërthurur
me përshpirtërinë mungare. Ishte një ngjarje me të vërtetë e jashtëzakonshme. Shën
Benedikti është Pajtor i Evropës: cili ka qenë kontributi i tij? Papa Pali
VI, më 24 tetor 1964, gjatë asaj ngjarjeje të jashtëzakonshme për Kishën, që qe Koncili
II i Vatikanit, kur erdhi në Montekasino për të rishuguruar Bazilikën e rindërtuar,
deshi t’i japë këtë primat patronazhi hyjnor mbi Evropën Shën Benediktit, duke parë
në të “Pacis Nuntius”, që përmes abacive, kuvendeve, qelave mungare, në 15 shekuj
histori, ishte përhapur me të vërtetë në të gjithë kontinentin evropian, duke e shndritur
me dritën e Ungjillit e me atë moto, që Shën Benedikti nuk e shkroi kurrë, por që
u bë sinteza e mënyrës së tij të veçantë të ungjillëzimit, atë “ora et labora” të
benedektinëve, me të cilën është inervuar krejt Evropa. Edhe sot u njihet kjo meritë
benedektinëve, pavarësisht nga kushtet e ndryshuara historike e shoqërore brenda urdhërit
tonë. Edhe sot, në krejt kontinetin evropian, janë të shumtë benedektinët, që garantojnë
afërsinë me popullsitë evropiane, e edhe një afërsi kulturore, e cila përmbahet në
mesazhin e Rregullës së Shën Benediktit. Jemi në vitin 2009: si jeton sot
një kuvend benedektin e cili është roli i tij në shoqëri? Mënyra e ungjillëzimit
të benedektinëve do të thosha se ka një veçori krejt të vetën: kur isha mësues i novicëve,
përpiqesha tua shpjegoja e u thosha gjithnjë se forca e ungjillëzimit bendektin nuk
është aq centrifuge, se sa centripete. Pra, kuvendi bëhet qendër tërheqëse, në të
cilin kushdo mund të vijë, të pritet e ta hedhë vështrimin në kiostrin benedektin
me dëshirën për të thithur diçka nga ajo jetë e Zotit, që murgjërit mundohen të pasqyrojnë
me jetën e tyre të përditshme, normale, por me Zotin në plan të parë. Siç
përmendët më parë, këtë vit bie 65-vjetori i bombardimit të Kasinos gjatë Luftës II
Botërore. Cili është mësimi që mbetet nga ajo ngjarje e tmerrshme? Mësimi më
duket se mund të “ikonizohet” lehtë – nëse më lejoni të përdor këtë neologjizëm –
me një figure që më pas është botuar në njërin nga librat tanë, ku tregohet ajo ngjarje
dramatike: të nesërmen e përfundimit të Luftës II Botërore, dy ish-luftëtarë të fronteve
të kundërta, para portës së Abacisë, i japin dorën njëri-tjetrit e në sfond, gati
si dëshmitar okular i këtij pajtimi, duket një murg. Më duket se në fund të fundit,
mësimi është ky: siç pat thënë Pali VI në fjalimin e tij në OKB, gjithçka është e
humbur me luftën, gjithçka rigjehet me paqen. Falenderojmë Zotin dhe qeverinë italiane
që na bënë të mundur rindërtimin e Abacisë së Montekasinos, pas asaj tragjedie të
tmerrshme. E sot, motoja e Abacisë, që thotë “Succisa virescit”, ose “Trungu i prerë
përtërihet e lulëzon sërish”, është fakt. Pavarësisht nga ç’ndodhi në ato vite të
tmerrshme, akoma sot një bashkësi e përbërë nga 25 murgjër i thur lavde Hyjit shtatë
herë në ditë, lutet, duke u impenjuar të jetojë me punën e duarve të veta dhe pret
këdo ka dëshirë ta provojë këtë jetë, për t’u magjepsur me hirin që vjen nga Jezu
Krishti.