2009-05-24 14:19:58

Disa të dhëna për Shën Benediktin e për Abacinë e Montekasinos


(24.05.2009 RV)Shën Benedikti lindi në Norça të Italisë rreth vitit 480, në një periudhë historike veçanërisht të vështirë. Katër vjet më parë kishte rënë Perandoria Romake e perëndimit. Biografia e tij na vjen përmes shkrimeve të Shën Gegës së Madh, që i kushton krejt librin II të Dialogëve, shkruar ndoshta rreth viteve 592-594.
Pasi përfundoi studimet e para në Romë, i neveritur nga shoqëria e kohës, braktis çdo gjë dhe tërhiqet në Subiako, ku bën jetë eremiti. Të mahnitur nga jeta e tij e shenjtë, disa murgjër, që banonin aty afër, e kërkojnë me këmbëngulje si epror e mësues. Benedikti pranon, por sapo mundohet të korregjojë mënyrën e tyre të jetesës, jo shumë shembullore, përpiqen ta helmojnë, por ai e thyen kupën me shenjën e kryqit.
Pasi themelon 12 kuvende të vogla, Shën Benedikti largohet nga Subiako dhe shkon drejt jugut, i shoqëruar nga disa dishepuj. Nuk dihet se pse zgjodhi Kasinon për të ndërtuar Abacinë, por hipotizohet se e ka ndihmuar ndonjë bamirës patric. Shën Benedikti përshtat bashkinë e vjetër romake e tempullin pagan, duke i shndërruar në një Abaci për bashkësinë e tij mungare e duke krijuar hapësira për aktivitetet e ndryshme të punës. Edhe në majën e malit, aty ku më parë ishte një korishte pagane, ngrihet një orator në nder të Shën Gjon Pagëzuesit e zona përreth bëhet varrezë. Edhe sot, aty ndodhet varri i Shën Benediktit dhe i motrës së tij, Shën Skolastikës, në korrespondencë me pjesën e poshtme të elterit të madh të Bazilikës.
Bashkë me themelimin e kuvendit të murgjërve, Shën Benedikti shpall Ungjillin për popullsitë që banonin në Kasino. Ky mision edhe sot kryhet nga benedektinët dhe Kasino bashkë me 20 komunat e tij hyjnë në juridiksionin baritor të Abatit të Montekasinos.
Në këtë Abaci, Shën Benedikti përfundon hartimin e Regula monachorum, Rregullës së murgjërve. Janë të shumta mrekullitë që bën, si këtu, si ato të mëparshmet në Subiako. Tregon me vepra se zotëron edhe dhuratën e profecisë. Tradita e vendos vdekjen e tij më 21 mars të vitit 547 e edhe ajo është e mrekullueshme. Gjashtë ditë para se të shonte te Ati Qiellor, Shën Benedikti u paralajmëron murgjërve vdekjen e tij dhe urdhëron të hapet varri, ku më parë qe varrosur e motra, Shën Skolastika. Pak para vdekjes, u thotë sivëllezërve ta çojnë në oratoriumin e Shën Martinit dhe aty, pasi merr Eukaristinë, jep shpirt.
Më 24 tetor 1964, pikërisht në Montekasino, u shpall Pajtor i Evropës nga Papa Pali VI, si “lajmëtar i paqes, veprimtar i bashkimit, mësues i qytetërimit e sidomos kumtar i fesë e nismëtar i jetës murgare të Perëndimit”.
Abacia e Montekasinos është e famshme jo vetëm pse aty jetoi Shën Benedikti, por edhe sepse, prej saj, si prej një dielli, u përhapën të gjitha rrezet e kuvendeve mungare, që me ruajtjen e kulturës, me moton “ora et labora” (lutu e puno), mbajtën të bashkuar Evropën, duke i dhënë asaj shpirtin e frymën ungjillore. U shkatërrua katër herë, nga longobardët, nga saraçenët, nga tërmeti e nga bombardimet e Luftës II Botërore. Shën Benedikti pati vizionin e shkatërrimit të parë, por arriti të nxjerrë prej Zotit shpëtimin e murgjërve. Nuk ndodhi kështu herët e tjera, sidomos me shkatërrimin e fundit, ku Montekasino u gjend në mes të linjës së ndeshjes ndërmjet ushtrive. Vendi i lutjes dhe i studimit, që për rrethanat ishte bërë edhe strehë paqësore për qindra civilë, u kthye brenda tri orësh në një grumbull rrënojash, nën të cilat gjetën vdekjen shumë persona. Periudha më e ndritshme e Abacisë është ajo nën abatin Deziderio, papë i ardhshëm me emrin e Viktorit III. Në kohën e tij, në shekullin XI, rindërtohet një Bazilikë e mrekullueshme dhe kuvendi pasurohet me kodikë në miniaturë, mozaikë, piktura, orendi të arta për liturgjinë, që vinin nga Lindja. Sot, kuvendi mbetet një vend lutjeje e pushimi shpirtëror për të gjithë ata që dëshirojnë të njihen me jetën e bendektinëve e t’i afrohen Zotit sipas mënyrës së tyre.








All the contents on this site are copyrighted ©.