2009-05-24 14:18:49

Atë Federiko Lombardi: “Komunikimi-virtual e substancial”.


(24.05.2009 RV)Mesazhi i Papës kushtuar Ditës së sotme Botërore të Komunikimeve Shoqërore, në reflektimin e Atë Federiko Lombardit për ‘Octava Dies’ e përjavshme informative e Qendrës Televizive të Vatikanit:

“Mesazhi i bukur i Papës për Ditën Botërore të Komunikimeve Shoqërore të këtij viti, prek një pikë strategjike e vendimtare në realitetin e botës së sotme të komunikimit, në zhvillim të vrullshëm: “Teknologji të reja, marrëdhënie të reja. Të promovohet kultura e respektit, e dialogut dhe e miqësisë”. Benedikti XVI – ose më mirë BXVI, siç quhet zakonisht në këtë botë të veçantë, u drejtohet sidomos të rinjve, që njihen si ‘brezni dixhitale’, duke i ftuar ta jetojnë zhvillimin dhe impenjimin e tyre njerëzor e shpirtëror edhe në përmasën komunikative, të karakterizuar nga teknologjitë e reja, që zë shumë vend në ditët e tyre. Edhe këtu feja e krishterë duhet ‘inkulturuar’, duke qenë e pranishme si kumtim, si stil jete e marrëdhëniesh.
Sigurisht nuk është aspak e lehtë. Ekziston rreziku që të rinjtë të kufizohen thjesht tek loja, të humbasin kohë, të ikin nga realiteti e të mbeten vetëm në sipërfaqe. Nga ana e tij Benedikti XVI, kur u flet të rinjve, për shembull në Ditët Botërore të Rinisë, ngul këmbë t’u komunikojë fjalë me përmbajtje të shëndoshë, të thellë e të qëndrueshme, që kërkojnë impenjim për t’u përvetësuar, para se të vihen në jetë. Prandaj: të përpiqesh për ta kaluar substancialen përmes virtuales është një sfidë e bukur. Do t’ia dalin mbanesh të rinjtë tanë? Do të mund t’i shoqërojmë në këtë aventurë? Shpresojmë se po. Por nuk duhet të mbetemi viktima të joshjes që ushtrojnë mbi ne sukseset e jashtëzakonshme teknologjike, duhet të vijojmë t’i dallojmë mundësitë e caqet e, njëkohësisht, të vijojmë të kërkojmë në thellësitë e këtij trualli të fortë, lidhjen jetike me Zotin e me të tjerët, mbi të cilën të ndërtojmë vërtetë kulturën e respektit, të dialogut e të miqësisë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.