2009-05-22 17:42:08

Të dielën Papa shkon në Montekasino, në gjurmët e Shën Benediktit


(22.05.2009 RV)RealAudioMP3 Benedikti XVI në gjurmët e Pajtorit të papnisë së tij. Të dielën, pas dy ditësh, Papa do të vizitojë dioqezën e Montekasinos, ku jetoi e vdiq Shën Benedikti, themelues i Urdhërit të benedektinëve.
“Mirësevjen Atë i Shenjtë”: kjo është parrulla që shkruhet në flamujt bardhë e verdhë, që zbukurojnë ballkonet mbi sheshin Miranda të Kasinos, ku të dielën në orën 10.15, Papa do të kremtojë Meshën në Solemnitetin e të Ngjiturit të Krishtit në qiell. Bashkia ka vendosur që më pas ky shesh të marrë emrin Benedikti XVI. Pas Lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Papa do të shkojë në Abacinë e Montekasinos, por para se të arrijë në Kuvendin benedektin, do të ndalet në Shtëpinë e Bamirësisë së Kasinos, që do të përurohet pikërisht prej Atit të Shenjtë. Papa do të qëndrojë për drekë në abaci e në orën 16.30 do të përshëndesë bashkësinë murgare e disa organizatorë të vizitës. Në orën 17, do të kremtojë Lutjen Mbrëmësore me benedektinë të ardhur nga e gjithë bota. Dita do të mbyllet me vizitën e Benediktit XVI në varrezën polake, për të kujtuar 65-vjetorin e betejës së Montekasinos dhe të bombardimit të Abacisë gjatë Luftës II Botërore. Ushtarët polakë hapën dyert për çlirimin e Romës, duke paguar një çmim shumë të lartë, në jetë njerëzish. Në një kryq 16 metra, në mes të varrezës shkruhet “Kalimtar, thuaji Polonisë se ramë besnikë në shërbim të saj”. Për Abacinë e Montekasinos të dëgjojmë dom Guido Inoçenco Garganon, epror i kuvendit të Shën Gegës në Çelio në qytetin e Romës:
Ekziston një Montekasino ideale dhe një reale. Montekasino ideale është ai i Rregullës së Shën Benediktit, i modelit të tij të ungjillëzimit e sidomos, i Gegës së Madh, që ua ka shpjeguar këtë model njerëzve të thjeshtë. Jo rastësisht, Rregulla e Shën Benedektit është sintetizuar në traditë me dy fjalë: “Ora et labora” (lutu e puno). Ç’është në zanafillën e saj? Kujdesi për njeriun. Njeriu, në analogji me Jezu Krishtin, ka një përmasë krejtësisht hyjnore e një përmasë krejtësisht njerëzore. Këtë ka propozuar Montekasino e Shën Benedikti në Rregullën e tij.
A është kjo sintezë e mrekullueshme, “Ora et labora”, kontributi më i qëndrueshëm që Shën Benedikti dhe monakizmi i kanë dhënë Evropës?
Do të thosha se murgjërit e kanë ndërtuar Evropën me anën e dy mjeteve: me parmendë e me penë. Pena është përdorur për të kaluar nga një kodik në tjetrin fjalët më domethënëse, që do ta ushqenin më pas historinë. Të dyja gjërat shkojnë bashkë e me to, edhe përparësia e Veprës së Hyjit, kuptuar si Shëlbim i shpirtrave. Këto më duken themeloret e mbi to u ndërtua Evropa.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.