Papa presidentëve të Bullgarisë e të Maqedonisë: Evropa t’i qëndrojë besnike rrënjëve
të krishtera, në se dëshiron liri, paqe e drejtësi për të gjithë.
(22.05.2009 RV)Me rastin e kremtimeve
për nder të Shenjtorëve Çirili e Metodi, sipas kalendarit julian, sot paradite Benedikti
XVI priti dy delegacione, ardhur nga Bullgaria enga Maqedonia, në shtegtim
pranë Varrit të Shën Çirilit, që ruhet në bazilikën romake të Shën Klementit. Delegacionet,
kryesuar nga presidentët e të dy vende, u pritën sot nga Papa, në dy audienca të veçanta.
Duke
pritur delegacionet, kryesuar nga presidenti bullgar Georgi Parvanov e nga presidenti
maqedon, Gjeorge Ivanov, Benedikti XVI kujtoi veprën ungjillëzuese e shoqërore të
dy Bashkëpajtorëve të Evropës, që jetuan në shekullin IX, trashëgimia shpirtërore
e të cilëve la gjurmë të pashlyeshme në jetën e popujve sllavë. Shembulli i Vëllezërve
Shenjtorë – shtoi Papa – u bë bazë e patundur për dëshminë që dhanë shumë të krishterë,
të cilët gjatë shekujsh, duke i qëndruar besnikë Ungjillit edhe në rrethana persekutimi
e martirizimi, e përhapën lajmin e shëlbimit, duke punuar njëkohësisht edhe për
ndërtimin e një shoqërie të drejtë e solidare. Më pas Ati i Shenjtë uroi që Kontinenti
i Vjetër t’u qëndrojë besnik rrënjëve të veta të krishtera. Vlerat e solidaritetit
e të drejtësisë, të lirisë e të paqes, sot të ripohuara vazhdimisht – nënvizoi Papa
– fitojnë më shumë forcë e qëndrueshmëri, në se ushqehen nga mësimi i amshuar i Krishtit,
i vënë në jetë nga dishepujt e tij të të gjitha kohëve. Sfida që duhet të përballojnë
të krishterët sot - vijoi Ati i Shenjtë – është pikërisht kjo: Ta ruajnë pasurinë
e idealeve e të vlerave, që Shenjtorët Çirili e Metodi i përcollën me fjalë e me vepra.
Ky – tha në përfundim Papa – është kontributi më i çmuar i të krishterëve për ndërtimin
e Evropës së mijëvjeçarit të tretë, që Kontinenti të ecë drejt një ardhmërie progresi,
drejtësie e paqeje për të gjithë. Kujtojmë se Selia e Shenjtë e mbështeti gjithnjë
Bullgarinë, që ka vuajtur aq shumë nën regjimin komunist, në rrugën drejt bashkimit
të plotë me Kombet e tjera evropiane. Ndërsa maqedonët i ka ndihmuar që jo vetëm
ta ruajnë thesarin shpirtëror të trashëguar nga Shenjorët Çirili e Metodi, por edhe
të japin një kontribut të çmuar për të ndërtuar, mbi këtë bazë, një ardhmëri progresi
e paqeje për të gjithë Evropën.