2009-05-21 16:35:56

Dhimbja dhe turpi:Kisha katolike irlandeze në qendër të stuhisë së abuzimit seksual me fëmijët.


(21.05.2009 RV)RealAudioMP3 Komisioni i posaçëm Child Abuse i qeverisë irlandeze, ngritur në vitin 2000 nga kryeministri Berti Ahern bëri të njohur sot raportin e tij përfundimtar mbi abuzimet me fëmijët e braktisur nëpër institutet katolike në Irlandë nga vitet ’30 deri në vitet ‘80. Raporti 3.500 faqesh ka kushtuar 70 milionë euro dhe pothuajse dhjetë vjet hetime. Në të janë mbledhur dëshmitë e më shumë se 2.500 personave, shumë prej të cilëve tashmë janë në moshë të shtyrë, e që tregojnë për dhunën fizike e seksuale të ushtruar ndaj tyre. “Më vjen keq thellësisht e ndjej turp që fëmijët kanë vuajtur në këtë mënyrë kaq të tmerrshme nëpër këto institute.”- tha për mjetet e shtypit prelati më i lartë i kishës irlandeze kardinali Shon Bradi.
Megjithatë, pavarësisht këtyre kryqeve që Kishës irlandeze e asaj Katolike në përgjithësi i duhet të mbajë mbi shpatulla, duhet theksuar se Kisha Katolike mban shumë shkolla, institute, qendra shëndetësore e të tjera institucione kudo nëpër botë, shpeshherë pa financime nga shteti.
Një ndër këto vende është edhe Shqipëria, ku shkolla katolike jo vetëm shquhet për seriozitet e dashuri ndaj nxënësve por edhe është garanci për formimin e njeriut të ri, për arsimimin e breznive të reja pa dallim feje. Por le të shohim sesi shprehej në lidhje me këto ngjarje vetë Ati i Shenjtë, Benedikti XVI në takimin me ipeshkvijtë irlandezë, gjatë vizitës së tyre ad limina në Vatikan, më 28 tetor 2006:

"Është e rëndësishme të ndriçohet e vërteta e asaj çka ka ndodhur në të kaluarën, të merren të gjitha masat që mos përsëriten në të ardhmen, të sigurohemi që parimet e drejtësisë të respektohen plotësisht, dhe mbi të gjitha të shërohen viktimat e të gjithë ata që janë prekur nga këto krime të shëmtuara. Në këtë mënyrë Kisha në Irlandë do të rritet më e fortë dhe do të jetë edhe më e aftë të dëshmojë fuqinë shëlbuese të Kryqit të Krishtit."

Po ashtu, Papa Racinger pati folur për këto ngjarje të turpshme edhe gjatë shtegtimit të tij në SHBA duke shprehur gjithë dhimbjen dhe keqardhjen që ndjen mbarë Kisha për këto akte të cilat kanë regjistruar edhe në SHBA. E pikërisht ndërsa shkonte për vizitë në SHBA, gjatë fluturimit, me 15 prill 2008, Papa pati thënë për masmedien:

“Është një vuajtje e vërtetë për Kishën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe për Kishën në përgjithësi, fakti se këto gjëra kanë ndodhur. Kur lexoj raportet e këtyre ngjarjeve e kam të vështirë të besoj se disa meshtarë kanë dështuar në misionin e tyre që duhej t’u sillte këtyre fëmijëve paqen e dashurinë e Zotit.

Më pas Benedikti XVI pati theksuar nevojën për një përgjigje përfundimtare, të vendosur dhe kolektive ndaj këtyre akteve në Kishë dhe në shoqëri, duke i përjashtuar pedofilët nga misioni meshtarak, duke bërë përzgjedhje të rreptë të kandidatëve që dëshirojnë të bëhen meshtarë.

“Mbi këto fakte që duhen dënuar “pa mëdyshje” Papa ka folur edhe gjatë shtegtimit të tij apostolik në Australi, në korrikun e kaluar. “Kisha,- pati thënë Papa Racinger duhet të ndihmojë për pajtimin, për parandalimin e këtyre akteve, të japë ndihmë dhe t’i pranojë fajet.”







All the contents on this site are copyrighted ©.