2009-05-19 15:44:41

Të dielën e ardhshme Papa shkon në Montekasino: lidhja e veçantë e Benediktit XVI me Shën Benediktin


(19.05.2009 RV)RealAudioMP3 Kisha e Montekasinos pret me padurim vizitën baritore të Benediktit XVI, të dielën e ardhshme. Një nga çastet më të fuqishme të udhëtimit do të jetë kremtimi i Mbrëmësoreve në Abacinë benedektine me abatë dhe badesa nga e gjithë bota. Një moment, për të nënvizuar se sa i lidhur është Papa me figurën e Shën Benediktit nga Norça, Pajtor i Evropës, atë i monakizmit perëndimor. Nuk i ka marrë atij vetëm emrin. Shën Benedikti është në zemrën e Papës.
Pak para se të zgjidhej në Katedrën e Shën Pjetrit, më 1 prill 2005, Jozef Racinger shkoi në Kuvendin e Shën Skolastikës në Subiako, pranë Romës, ku mbajti një fjalim mbi vlerën e përhershme të fesë së krishterë para kufizimeve të kulturës aktuale racionaliste. “Kemi nevojë për njerëz si Benedikti nga Norça – tha atëherë papa i sotëm – i cili në një kohë dekadence, arriti të themelojë në Montekasino qytetin mbi mal, e të bashkonte forcat nga të cilat u formua një botë e re. Kemi nevojë për njerëz, që si Shën Benedikti, ta mbajnë vështrimin të ngulur te Zoti, duke e mësuar prej aty humanizmin e vërtetë”.
Pas tri javësh, më 27 prill, në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa i ri mban audiencën e parë të përgjithshme e ndalet mbi psenë e zgjedhjes së emrit Benedikti XVI:
“Shën Benedikti përbën një pikë themelore referimi për bashkimin e Evropës dhe na kujton fuqimisht rrënjët e pazëvendësueshme të krishtera të kulturës e qytetërimit të saj”.
Për modelin benedektin, për aktualitetin e tij, Papa flet para botës së kulturës në Collège des Bernardins në Paris, në shtatorin e vitit 2008. Rrënjët e kulturës evropiane, përsërit ai, zhyten thellë në terrenin pjellor të monakizmit perëndimor. Murgjërit, thekson, duke kërkuar Zotin, themeluan një qytetërim të ri. Një përvojë për t’u rizbuluar:
“Quaerere Deum, chercher Dieu et se laisser trouver par Lui..."
“Quaerere Deum, ta kërkosh Zotin e ta lesh veten të të gjejë Ai: kjo – reflekton Papa – nuk është më pak e nevojshme sot se në kohët e kaluara”. Dhe paralajmëron mbi rrezikun e një kulture thjesht pozitiviste, që e përjashton Zotin. Do të ishte fundi i humanizmit, thekson Papa, duke sqaruar se baza e kulturës së Evropës, kërkimi i Zotit dhe gatishmëria për ta dëgjuar zërin e Tij, mbetet edhe sot themeli i çdo kulture të vërtetë.
Më 20 shtator 2008, Benedikti XVI pret në audiencë abatët benedektinë nga e gjithë bota dhe u kërkon të shpallin përparësinë e Hyjit, pa kompromis me botën e sotme:
“Në kuvendet tuaja, ju të parët përtërini e thelloni përditë takimin me personin e Krishtit, që e keni gjithnjë me vete si mik e shok. Për këtë, kuvendet tuaja janë vende ku burrat e gratë, edhe ata të epokës sonë, vijnë për të kërkuar Zotin e për të mësuar si njihen shenjat e pranisë së Krishtit, të bamirësisë e të mëshirës së tij”.
Shën Benediktit, “yllit të ndritshëm”, siç e pat përkufizuar Shën Gega i Madh, Papa i kushton katekizmin e audiencës së përgjithshme të 9 prillit të vitit të kaluar. E thekson rëndësinë e abacisë së Montekasinos:
“Në vitin 529 Benedikti la Subiakon për t’u vendosur në Montekasino…ky vendim u mor pasi kishte hyrë në një fazë të re të pjekurisë së brendshme e të përvojës murgare… jeta murgare në heshtje ka arësyen e vet, por kuvendi ka edhe qëllim publik në jetën e Kishës e në shoqëri, që të gjithë ta shohin se feja është forca e jetës”.
Më pas, Papa e këshillon Evropën e përhumbur, në kërkim të identitetit, të shikojë Shën Benediktin dhe mësimet e tij:
“Për të krijuar një unitet të ri e të qëndrueshëm, janë natyrisht të rëndësishme mjetet politike, ekonomike dhe juridike, por duhet nxitur edhe përtëritja etike e shpirtërore, që rrjedh nga rrënjët e krishtera të kontinentit, përndryshe nuk mund të ndërtohet Evropa… Murgu i madh mbetet një mësues i vërtetë, në shkollën e të cilit mund të mësojmë artin e të jetuarit të humanizmit të vërtetë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.