2009-05-19 15:45:26

Kardinal Skola për udhëtimin e Papës në Tokën Shenjte


(19.05.2009 RV)RealAudioMP3 “Një leksion realizmi. Këto ishin tetë ditët e Papës Benedikti XVI në Tokën Shenjte. Me guxim të jashtëzakonshëm vuri dorë mbi kontradiktat e fuqishme të asaj toke të martirizuar, me energjinë kryelartë të atij që nuk nënshtrohet, pasi e di se gur-gur bëhet kalaja”.
Kështu pohon Patriku i Venedikut, Anxhelo Skola, duke komentuar në gazetën italiane “Tempi” (Kohët) udhëtimin e fundit apostolik të Atit të Shenjtë në “një tokë, që është nerv i zbuluar i njerëzimit” e ku “ka lënë shenjë më shumë se çdo gjë kujdesi i Papës, plot shpresë për banorët e Tokës Shenjte”.
“Udhëtimi i tij – vazhdon kardinal Skola – ishte disi i çuditshëm që në fillim. Papa rrezikoi, pa bërë llogari për suksesin apo mossuksesin e vizitës. Eci mbi gjurmët e dridhshme të vuajtjeve të të krishterëve, që banojnë aty. Përqafoi, në emër të krejt Kishës Katolike, bashkësitë e krishtera në atë pjesë të Lindjes së Mesme, ku ato janë “qirinj të ndezur” që ndriçojnë vendet e shenjta”. Por ky përqafim, pikërisht sepse u bë në emër të Atij, që është Rruga, e Vërteta dhe Jeta, përfshiu domosdoshmërisht, megjithëse me mënyra të ndryshme, vëllezërit hebrenj dhe myslimanë, që jetojnë në tokën e dhuruar atit të të gjithëve, Abrahamit.
Sipas kardinal Skolës, “fytyra delikate dhe intensive me të cilën Papa, në gjunjë para së çarës ku u ngul kryqi i Krishtit, e mbylli shtegtimin, hap për të gjithë njerëzit vullnetmirë një rrugë të frytshme për zgjidhjen e nyjes së Lindjes së Mesme”. “Të thjeshtët do të dinë sigurisht ta gjejnë. Të pushtetshmit e kësaj bote – përfundon Patriku i Venedikut – të mësojnë nga energjia konstruktive, e butë dhe e qetë e Benediktit XVI”.







All the contents on this site are copyrighted ©.