2009-05-18 18:43:57

Netanijahu te Obama: prova diplomacie


(18.05.2009 RV)Dikush e konsideron si takimin pas Papës, si realizimin e lutjeve të thëna gjatë vizitës së Benediktit XVI në Tokën Shenjte, apo së paku si përpjekje për të arritur atë që iu kërkua Zotit në të gjitha mënyrat, deri të premten që kaloi. Është fjala për takimin e parë ndërmjet presidentit amerikan, Barak Obama dhe kryeministrit izraelit, Benxhamin Netanijahu.
Në Izrael, ku konsiderohet “misioni i jetës” së Netanijahut, siç e quan ai vetë në një nga gazetat e vendit. Në tryezën e sotme të bisedimeve me presidentin amerikan, bisedë që zgjati 3 orë e një çerek, kryeministri izraelit paraqiti një përqasje të re me çështjen palestineze. Problemi është njohja e Izraelit. Obama bën presion për formimin e dy shteteve, por Netanijahut i duhet të ketë parasysh edhe krahun më konservator të qeverisë së tij, të sapoformuar. Irani përbën problemin tjetër. Presidenti amerikan është i vendosur të mos përdorë forcën kundër republikës islamike, ndërsa Izraeli dëshiron t’i japë asaj një kohë të shkurtër për të zgjidhur problemin bërthamor me diplomaci e më pas, të ndërhyjë në një farë mënyre.
Takimi i sotëm është përgatitur me anë të kontakteve të mëparshme, jo shumë të dukshme, ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve. Vetë presidenti izraelit, Shimon Peres, që takoi dje mbretin e Jordanisë, theksoi se Izraeli është i interesuar të rifillojë menjëherë bisedimet për paqen. Netanijahu kërkoi sot çmilitarizimin e Çisjordanisë dhe kontrollin e hapësirës ajrore të saj nga ana e Izraelit.
Por, përtej qëllimeve e vullnetit të mirë, mbeten disa fakte kompromentuese. Pikërisht, sot, pak orë para takimit Obama – Netanijahu, shteti hebraik vendosi të shpallë një tender për shtrirjen e ngulimeve izraelite në Çisjordaninë veriore, në Maskiot, pavarësisht se Shtëpia e Bardhë e konsideron këtë si pengesë për paqen.







All the contents on this site are copyrighted ©.