2009-05-18 17:39:18

Letra e Papës në kujtim të Atë Mateo Riçit, misionar për 28 vjet në Kinë.


(18.05.2009 RV)“Një strategji baritore, bazuar mbi miqësinë dhe respektimin e një kulture të fisme, të largët, siç është ajo kineze, realizuar me aq mend, sa të quhet profetike”. Kështu shprehet Benedikti XVI në një Letër kushtuar ungjillëzuesit të madh të Kinës, jezuitit Mateo Riçi. Papa ia dërgon Letrën imzot Klaudio Gjuliodorit, ipeshkëv i Maçeratës, qytet ku lindi Misionari jezuit në vitin 1522 e ku janë programuar një sërë veprimtarish, për të kujtuar 400-vjetorin e vdekjes së rregulltarit, që ndërroi jetë në Pekin, më 11 maj 1610.
Benedikti XVI e vlerëson lart këtë njeri, që inkulturoi krishterimin ndërmjet kinezëve. Veprimtaria largpamëse e këtij lajmëtari të palodhur e të mençur të Krishtit – pohon Papa - të prek thellë. E të bën për vete apostullimi i tij origjinal e profetik, që buroi nga simpatia për kinezët, për historinë e tyre, për kulturat e tyre e për traditat e tyre fetare.
Model dialogu e respekti për besimet e të tjerëve, bashkëqytetari juaj – shkruan akoma Papa – gjatë 28 vjetëve të qëndrimit në Kinë, e bëri lidhjen e miqësive stil apostullimi. E kjo miqësi, së cilës kinezët iu përgjigjen me gjithë zemër, e ndihmoi t’i kapërcente vështirësitë e keqkuptimet e të lidhej ngushtë me këtë tokë të lashtë, së cilës i qëndroi besnik deri në vdekje. Me këtë stil, mund të themi se vuri në jetë një metodologji shkencore e një strategji baritore, të bazuar, nga njëra anë, mbi respektin për doket e vendit, të cilat rishtarët e krishterë kinezë nuk duhet t’i braktisnin e, nga ana tjetër, mbi vetëdijen se Zbulesa mund të vlerësohej e të kundrohej edhe më thellë.







All the contents on this site are copyrighted ©.