2009-05-16 15:19:34

Editorial i atë Federiko Lombardit: “Paqja: mesazh, dëgjim, impenjim”


(17.05.2009 RV)RealAudioMP3 Të kalojmë tani tek editoriali i atë Federiko Lombardit, zëdhënës i Vatikanit e drejtori ynë të përgjithshëm, i cili e shoqëroi Papën në udhëtimin e tij në Tokën Shenjte. Paqja është mesazh, dëgjim e impenjim: janë veprimet që përshkuan udhëtimin e 12-të ndërkombëtar apostolik të Benediktit XVI, mbi të cilat duhet reflektuar më tej. Por, të ndjekim atë Lombardin:
“Gjatë këtij udhëtimi të fundit, Papa foli shumë për paqen, siç pati premtuar: 30 fjalime, një mesazh i vetëm, që përsërit, pa u lodhur këtë temë të vetme, me variacione të panumërta: paqe ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve; paqe ndërmjet hebrenjve, myslimanëve dhe kristianëve; paqe në Kishë, ndërmjet konfesioneve e riteve; paqe në shoqëri e në familje; paqe ndërmjet Zotit, njeriut e krijesave; paqe në zemra, në Lindjen e Mesme e në botë… paqe, paqe, paqe.
Foli shumë, por edhe dëgjoi, të paktën po aq e ndoshta edhe më. Sepse Benedikti XVI është papë i dëgjimit. Sa njerëz i folën, sa gjëra i thanë, me sa pasion, me sa mënyra të ndryshme sjelljesh e perspektivash! Sa e vështirë është të arrihet paqja, sidomos në pikën kyç të çdo tensioni: në Jeruzalem!
Papa bëri pra një shtegtim në vende, por edhe më shumë në zemra. E nuk kaloi vetëm në vendet më të shenjta për krishterimin, por edhe në ato të hebraizmit e të Islamit: Jad Vashem, Muri i Lotëve, Kupola e Shkëmbit. I bëri të vetat ndjenjat e të gjithë shtegtarëve të të tria feve, për të cilët kërkoi të mund të hyjnë në vendet e shenjta. Një Papë i krishterë, por një Papë për të gjithë, përtej ndarjeve. Një shembull për t’u ndjekur.
Kur Papa Gjon Pali II shkoi në Tokën Shenjte, Muri i ri nuk ekzistonte. Edhe këtu, erdhi me guxim Papa i ri shtegtar, për t’i kërkuar Zotit dhe njerëzve, që muret e ndarjes të bien, duke filluar nga ato që mbyllin e përçajnë zemrat. “Kurrë më gjakderdhje! Kurrë më terrorizëm! Kurrë më luftë!”. Me këtë thirrje përfundon shtegtimi i shpresës, në një moment kyç për të ardhmen e paqes në Tokën Shenjte. Papa bëri gjithçka mundi e do të vazhdojë ta bëjë. Zoti shoqëroftë tani të gjitha përpjekjet e veprimtarëve të paqes, fetarë, civilë e politikanë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.