2009-05-16 13:54:23

Liturgjia e Fjalës së Zotit e të Dielës VI të Pashkëve “B”: 'nëse Zoti është dashuri, atëherë Zoti zbulohet e njihet duke dashur'!


(16.5.2009 RV)RealAudioMP3 Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të Liturgjisë Hyjnore të së dielës, kësaj herët do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku Fjalën e Zotit të dielës së 6-të të kohës kishtare të Pashkëve, ciklit të dytë sipas kalendarit liturgjik të Kishës.

Tema qendrore që trajtojnë leximet biblike të kësaj së diele është dinamizmi i dashurisë së Zotit: një dashuri, e cila nga Ati Qiellor përmes Birit mbërrin tek çdo njeri, tek besimtarët, të cilët e kanë për detyrë ta mbjellin e përhapin përreth tyre. Të gjithë njerëzit, pa kurrfarë dallimi, janë të ftuar në shëlbim, do të thotë të marrin pjesë në këtë dashuri, sepse “Zoti nuk ka preferenca, nuk bën dallime, por kushdo e do Zotin dhe të afërmin, e në jetën e vet të përditshme e zbaton drejtësinë, i çfarëdo populli qoftë, ai njeri i pëlqen Zotit dhe Hyji e pranon.

Dashuria e Zotit prodhon gëzim: kjo është thirrja (misioni) tipike e të krishterit që konkretizohet në impenjimin e ecjes udhës me Krishtin në rrugën e dritës, në fenë e ngjalljes.

Krishti i Gjallë shpall urdhërimin e ri dhe vazhdon të na dhurojë Shpirtin, i cili na ndihmon të jemi e të bëhemi një zemër e një shpirt i vetëm. Liturgjia e kësaj së diele na përkujton se ta njohësh, ta pranosh Krishtin e Gjallë domethënë ta duash e ta pranosh ndër vëllezër, të cilët na porosit t’i duam porsi vetveten.
Pra, filli i kuq i leximeve biblike të kësaj së diele është dashuria. Temat kryesore mund të përmblidhen në tri fjalë të Shën Gjonit: “Zoti është Dashuri” (1 Gjn 4,8.16) e në rrjedhojën që na dëfton Shën Pali: “Prandaj nëse unë nuk kam Dashuri, para Zotit jam një asgjë absolute” (1 Kor 13,2). Në këtë të Diele të gjashtë të Pashkëve, liturgjia na drejton edhe një herë thirrjen të duam, të besojmë në dashurinë e Zotit për ne dhe të jetojmë në saje të kësaj dashurie, të bëhemi të aftë për të dhuruar jetën tonë për vëllezërit. Bibla na kujton se “kushdo që dashuron, ka lindur prej Zotit”. “Ky është urdhërimi i im – thotë Zoti – të duani njëri tjetrin”.

“Prej të gjitha gjërave njerëzore, dashuria është e vetmja që nuk do shpjegime. Të dashuruarit që “shpjegohen” mes tyre, janë ata që kanë filluar të largohen mes tyre” ( André Frossard).
Ne të krishterët shpesh herë jemi në të njëjtat kushte të Pjetrit (Vp 10,25-27.34-35.44-48): nuk kuptojmë se dashuria e Zotit nuk mund të përdoret si privilegj; nuk mund të përdoret si krenari apo si armë: dashuria e Zotit është zjarr që na nxit të shërbejmë, të kërkojmë, të dhurojmë, të shkrihemi në dashuri për vëllezër e nevojtarë. Kushdo dashuron është bir i Zotit e Zoti e pranon, thotë Shën Gjoni ( 1Gjn 4,7). E Lumja Nënë Tereza, Gonxhe Bojaxhiu, thoshte: “Duke jetuar e zbatuar Dashurinë, ndjehet Zoti: gati-gati preket me dorë”. Është e vërtetë: e vërteta e dëshmuar nga jeta e sa e sa shenjtorëve, dëshmitarë të një pasurie të pakufishme, që na afron me Zotin e që i bën mirë të afërmit tonë. Pra, leximet biblike të kësaj së diele na japin përgjigjen se “kush është Hyji?” dhe “si shfaqet dashuria e Hyjit ndaj nesh?”. E tani të dëgjojmë leximet biblike të liturgjisë së dielës nga Vp 10,25-27.34-35.44-48; 1 Gjn 4,7-10; Gjn 15,9-17 e pastaj komentin nga prifti shqiptar dom Mark Shtjefni...RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.