2009-05-15 17:41:28

“Statu quo”- ja në Tokë Shenjte. Intervistë me Atë Makorën.


(15.05.2009 RV)Varri i Shenjtë është një nga ato vende të shenjta përdorimi i të cilit rregullohet sipas të ashtuquajturës “Statu quo”. Bëhet fjalë për një çështje tepër delikate veçanërisht përsa i përket ekumenizmit. Le të ndjekim bisedën që zhvilluam me Sekretarin e Komisionit për “Statu- quo”-në, Atë Atanaz Makorën:

Përgjigje: “Statu quo”-ja në kuptimin e ngushtë ka të bëjë me disa shenjtërore të Tokës Shenjte, si Kisha e të Lindurit të Krishtit në Betlehem, Shenjtnorja e të Ngjitunit në Qiell dhe Varri i Virgjërës Mari. Këto mbarështohen nga bashkësitë e ndryshme të krishtera. “Statu quo”-ja i rregullon këto ndarje, në kuptimin që “Statu quo”-ja është një dekret që e detyron secilën nga këto bashkësi të ruajë statusin aktual dhe nuk i lejon një bashkësie tjetër t’i kapërcejë kufijtë. Bëhet fjalë për çështje si ajo e mbajtjes së pastërtisë, e mirëmbajtjes, e pronësisë, të përdorimit etj. Për shembull, për sa i përket kohës liturgjike: çdo bashkësi është detyruar të lutet në kohën që i është caktuar dhe nuk mund të shkojë përtej saj.

Pyetje: Po kush e rregullon “statu quo”-në Vendet e Shenjta?

Përgjigje: “Statu quo”-ja është rregulluar në vitin 1852 nga sulltani i Turqisë, i cili e detyronte secilën bashkësi të qëndronte në vendin e saj. Kjo gjë vetëm sa konfirmonte një gjendje të mëparshme që i përket vitit 1757. Prandaj “Statu quo”-ja nuk është një kod por imponimi i një armëpushimi në të cilin secili mbetet në vendin e vet. Por është e rëndësishme të nënvizohet se nuk përbën një kod, nuk ka një tekst të vetëm të cilit mund t’i drejtohet secila bashkësi për të vërtetuar të drejtat që i përkasin.

Pyetje: Atë Makora, problemi, sipas jush është “statu quo”-ja apo interpretimi i saj?

Përgjigje: Në vetvete problemi është se nuk ekziston një kod. Domethënë “statu quo”-ja është një gjë e vagullt, sepse nuk është e përcaktuar mirë. Nuk kemi një kod të përbashkët...

Pyetje: Çështja e vështirë e Jeruzalemit, që duket e pazgjidhshme, a ndikon mbi “statu quo”-në?

Përgjigje: Në vetvete, jo. “Statu quo”-ja në kuptimin e ngushtë ka të bëjë me Vendet e Shenjta. Pavarësisht kësaj, ndonjëri, herë pas here, e përdor shprehjen “statu quo” për të thënë se forcat politike sot mbesin në pozitat e tyre.

Pyetje: Pyetja e fundit, Atë Makora: ka një problem, që lidhet me praninë e Benediktit XVI. Këtu, për sa i përket “statu quo”-së janë kapërcyer të gjitha vështirësitë, apo jo?

Përgjigje: Nuk ka pasur asnjë problem. Grekët dhe armenët qenë plotësisht të gatshëm, deri në maksimum. Ne na u desh të kërkojmë ndonjë “kortezi”, për edukatë, ndonjë përjashtim nga rregullat e “statu quo”-së. Fjala vjen mikrofonat, (më Shenjtnoren e Varrit të Shenjtë nuk lejohen qendrat e zërit) për arsye të kuptueshme. Sikur t’i përdornin të gjithë nuk do të ishte më e mundur që të luteshim. Por për arsye të jashtëzakonshme, mund të përdoren, me miratimin e dy bashkësive të tjera (greke-ortodokse dhe armene) që na e lejuan. U treguan me të vërtetë të mirë dhe unë u jam mirënjohës.







All the contents on this site are copyrighted ©.