2009-05-15 17:26:15

Brohoria e Papës pranë Varrit të Shenjtë: Krishti u ngjall! Këtu ndryshoi historia!


(15.05.2009 RV)RealAudioMP3 Krishti u ngjall! Është brohoria e Benediktit XVI drejtuar sot mbarë botës para varrit të zbrazët të Jezusit në Bazilikën e Varrit të Shenjtë.
‘Këtu – tha Papa – historia e njerëzimit ndryshoi përfundimisht. Sundimi i gjatë i mëkatit dhe i vdekjes mori fund. Mbi të ngadhënjeu bindja e jeta. Druri i Kryqit tregon të vërtetën për të mirën e për të keqen; gjykimi i Zotit për këtë botë u shpall e hiri i Shpirtit Shenjt u ndikua mbi mbarë njerëzimin. Këtu Krishti, Adami i ri, na mësoi se e keqja nuk do ta thotë kurrë fjalën e fundit, se dashuria është më e fortë se vdekja, se ardhmëria jonë e ajo e njerëzimit është në dorë të një Zoti parashikues e besnik. Varri i zbrazët na flet për shpresë, për atë shpresë që nuk të zhgënjen kurrë, sepse është dhuratë e Shpirtit të jetës! Ky është mesazhi që dua t’ju lë, në përfundim të shtegtimit tim në Tokën Shenjte – tha Papa – e shtoi:
“Kisha në Tokën Shenjte, që e ka provuar tepër shpesh misterin e Golgotës, nuk duhet të pushojë kurrë së qeni lajmëtare sypatrembur e mesazhit të ndritshëm të shpresës, që shpall ky Varr i zbrazët:

“As Christians we know that the peace for which...”
“Si të krishterë, e dimë se paqja që dëshiron kjo tokë ka një emër: Jezu Krisht! ‘Ai është paqja jonë’, që na pajtoi me Hyjin në një korp të vetëm përmes Kryqit, duke i dhënë fund armiqësisë. Në këtë Varr të zbrazët – vijoi Papa - Kisha në Tokën Shenjte ftohet t’i varrosë të gjitha ankthet e druajtjet, për të rilindur përsëri çdo ditë e për të vijuar shtegtimin nëpër udhët e Jeruzalemit, të Galilesë e më tutje. Duke shpallur ngadhënjimin e ndjesës së Krishtit e premtimin e një jete të re”.
Kështu u shpreh sot paradite Papa në Bazilikën e Varrit të Krishtit, në një nga veprimtaritë e fundme të shtegtimit të tij apostolik në Tokën e Shenjtë.
Papa hyri me procesion në Bazilikën historike në qendër të Qytetit të Shenjtë, i shoqëruar nga një grup, që ecte me hapa ritmike, duke i rrahur fort këmbët mbi dysheme. Tek porta e Bazilikës e pritën Etërit e Tokës së Shenjtë, përfaqësuesit e Kishës greko-ortodokse dhe armene-apostolike, përgjegjës të ‘stato quos’ në Bazilikë. Në treme, tek këmbët e Golgotës, Papa u përkul për të puthur Gurin e Bagmit, pastaj, me emocion të dukshëm, hyri në Kapelëzën ku ruhet Varri i Shenjtë. U gjunjëzua mbi varrin, puthi rrasën, që e mbulon dhe u lut gjatë. Kundronte misterin e ngjalljes së Krishtit. Këtu Krishti vdiq e u ringjall, për të mos vdekur kurrë më – tha Papa – dhe në vijim u përcolli të gjithëve mesazhin e madh të shpresës:
“May hope rise up ever anew,...”
Uroj që shpresa të lindë përsëri e përsëri, për hir të Zotit, në zemrën e çdo njeriu që jeton në këto toka. E të rrënjoset në zemrat tuaja, që të jetoni pranë familjeve tuaja e bashkësive tuaja, e ta frymëzojë secilin nga ju për ta dëshmuar besnikërisht Princin e Paqes”.
Ungjilli na thotë se Zoti mund t’i bëjë të reja të gjitha sendet, se historia mund të mos përsëritet, se kujtimet mund e duhen spastruar, frytet e hidhura të kundërpadive e të armiqësive mund të zhduken e se ditët e bardha të drejtësisë e të paqes, të begatisë e të bashkëpunimit mund të vijnë për çdo burrë e çdo grua, për mbarë familjen njerëzore e, në mënyrë të veçantë, për popullin që jeton në këtë tokë, aq të dashur për zemrën e Shëlbuesit.
Në përfundim, Benedikti XVI e inkurajoi Kishën vendase të jetë dëshmitare e unitetit dhe e paqes për të gjithë ata, që jetojnë në Qytetin Shenjt. Më pas shkoi në Golgotë, për t’u lutur mbi atë vend ku dymijë vjet më parë u kryqëzua Zoti!







All the contents on this site are copyrighted ©.