2009-05-15 16:14:36

Benedikti XVI: erdha si mik i izraelitëve dhe i palestinezëve: kurrë më luftë! Kurrë më terrorizëm! Lutem për të ardhmen pa mure!


(15.05.2009 RV)RealAudioMP3 Përfundoi sot udhëtimi i 12-të apostolik i Papës Benedikti XVI, pas tetë ditësh të ngjeshura me aktivitete e takime në Tokën Shenjte. Erdha në këtë vend si mik i izraelitëve dhe i palestinezëve, tha Papa në ceremoninë e lamtumirës, në aeroportin e Tel Avivit, sot pak pas mesditës. Të pranishëm presidenti izraelit Shimon Peres dhe kryeministri Benxhamin Netanijahu. E si mik, Ati i Shenjtë bëri këtë thirrje të fuqishme:
“No more bloodshed! No more fighting...”
Kurrë më gjakderdhje! Kurrë më ndeshje! Kurrë më terrorizëm! Kurrë më luftë! Ta thyejmë rrethin vicioz të dhunës. Të vendoset paqja e qëndrueshme, e bazuar mbi drejtësinë, qoftë pajtim e shërim i vërtetë”.
Me tone të ndezura, fjalimi i fundit i Benediktit XVI në këtë shtegtim pas gjurmëve të Jezu Krishtit. Papa kërkoi që të njihet universalisht e drejta e Shtetit të Izraelit për paqe e siguri, brenda kufijve të njohura nga bashkësia ndërkombëtare dhe e drejta për një atdhe të pavarur palestinez, ku njerëzit të jetojnë me dinjitet e të mund të lëvizin lirisht. Zgjidhja e konfliktit në Lindjen e Mesme, që duhet të çojë në krijimin e dy shteteve, të mos mbetet ëndërr, por të bëhet realitet, theksoi Papa Racinger.
Duke përshkuar etapat e udhëtimit, Ati i Shenjtë nuk e fshehu se një nga pamjet më të trishtuara, ishte muri i ndërtuar nga izraelitët për t’u mbrojtur nga palestinezët:
“As I passed alongside it, I prayed…
“Ndërsa ecja pranë tij, u luta për një të ardhme, në të cilën popujt e Tokës Shenjte të jetojnë sëbashku në paqe e harmoni, pa nevojën e mjeteve të tilla të sigurisë e të ndarjes, por duke e respektuar njëri-tjetrin, duke pasur besim tek tjetri, e duke hequr dorë nga çdo formë dhune dhe agresioni”.
E di se arritja e këtij objektivi do të jetë e vështirë, tha Papa duke iu drejtuar presidentit izraelit Peres e duke e siguruar atë dhe Autoritetin Palestinez për lutjet e veta e të katolikëve të mbarë botës. Benedikti XVI kujtoi edhe vizitën në Memorialin e Holokaustit Jad Vashem, ku u takua me të mbijetuarit e shfarosjes naziste:
“Those deeply moving encouters brought back...”
Ato takime thellësisht mallëngjyese ripërtërinë kujtimet e vizitës sime të tri vjetëve më parë në kampin e vdekjes së Aushvicit, ku kaq shumë hebrenj – nëna, baballarë, burra, gra, vëllezër, motra, miq – u shfarosën çnjerëzisht në një regjim pa Zot, që propagandonte ideologjinë e antisemitizmit dhe të urrejtjes. Ai kapitull i frikshëm i historisë – tha Papa – nuk duhet harruar apo mohuar kurrë. Në të kundërtën, ato kujtime të errëta duhet ta përforcojnë vendosmërinë tonë e të na afrojnë edhe më tepër njërin me tjetrin, si degët e të njëjtit ulli, të ushqyer nga të njëjtat rrënjë e të bashkuar nga dashuria vëllazërore”.







All the contents on this site are copyrighted ©.