2009-05-15 17:38:18

Atë Lombardi: udhëtim i mesazhit e i dëgjimit.


15.05.2009 RV)RealAudioMP3 Për mesazhin që la Papa në Tokën Shenjte, të ndjekim reflektimin e drejtorit të Sallës vatikanase të Shtypit, Atë Federiko Lombardi, në mikrofonin e Roberto Piermarinit, nga Jeruzalemi:

Përgjigje: - Mesazhi që dha Papa përkoi plotësisht me atë që kumtoi, mesazh i paqes, mesazh shumëplanësh: paqe ndërmjet shteteve, paqe ndërmjet feve të ndryshme, paqe ndërmjet riteve të ndryshme të Kishës katolike e konfesioneve të ndryshme të krishtera. Gjithsesi, nuk ishte vetëm udhëtim i mesazhit të Papës, që u flet të tjerëve, por edhe e sidomos, udhëtim i Papës që dëgjon. Benedikti XVI është njeri që dëgjon shumë, me vëmendje të madhe. I dëgjon të gjithë njerëzit që takon, duke përfituar prej tyre. E mund të themi se gjatë këtij udhëtimi pati rastin të dëgjojë shumë. Dëgjoi burrat që drejtojnë tri shtete të ndryshme: Jordaninë, Izraelin e Territoret Palestineze, të ngarkuara me tensione; burrat që drejtojnë tri fe: rabinët e hebrenjve, myftinjtë e myslimanëve në Jordani e në Izrael, e prijësit e të krishterëve të riteve të ndryshme, me probleme nga më të larmishmet, që ka secili konfesion. Dëgjim i vazhdueshëm, tejet i pasur, thellësisht durimtar e i vëmendshëm. E kjo e bëri, besoj, të fitojë një përvojë të madhe, të thellë, për realitetin e njerëzor e shpirtëror të Tokës Shenjte. Kuptoi, kështu, plotësisht, se udha e paqes është udhë dëgjimi, mirëkuptimi, dialogu shpirtëror, kulturor, shoqëror, politik, e kështu me radhë. Pra mund ta quajmë udhëtim të mesazhit e udhëtim të dëgjimit. Këto janë dy përmasat themelore që, sipas meje, karakterizojnë shtegtimin e Papës.

Pyetje: - Shtegtim ky në gjurmët e Jezusit këtu, në Tokën Shenjte, por edhe shtegtim në shenjtëroret e tri feve monoteiste…

Përgjigje: - Pikërisht! Papa erdhi këtu, ashtu si vijnë të gjithë të krishterët, të gjithë besimtarët, për të rigjetur viset kryesore të fesë sonë. Por duhet thënë se ky aspekt mbeti disi në hije, në sfond të ngjarjes, pak i dukshëm, sepse nuk ishte aspekti që tërheq më shumë vëmendjen e publikut të gjerë, të shtypit ndërkombëtar. Papa shkeli si shtegtar edhe në vendet shenjte të feve të tjera : ishte në Yad Vashem, në Murin e Lotëve, në Xhaminë e Jordanisë, në Kupolën e Shkëmbit. Shkoi në të gjitha ato vende, ku kërkohet mundësia e hyrjes së lirë për të gjithë. Papa e Kisha kërkojnë edhe statusin e posaçëm për Jeruzalemin si dhe mundësinë për të hyrë lirisht në viset e shenjta për të trija fetë. Benedikti XVI ishte shtegtar në viset shenjte të të trija feve. Mund të them se dha një shembull të shkëlqyer, duke u treguar të gjithëve ç’do të thotë dialog ndërfetar.

Pyetje: - Në mënyrë të posaçme, duke pasur parasysh shtypin arab, mund të themi se njerëzit u prekën thellë nga guximi i Papës në takimin me popullin palestinez…

Përgjigje: - Sigurisht, edhe unë besoj se ishte udhëtim guximi e njëkohësisht, edhe shprese. Papa ishte i vetëdijshëm se po vinte në një situatë të ngarkuar me tensione. Nuk është çast i lehtë për Lindjen e Mesme, për Tokën Shenjte, për Jeruzalemin. Papa e dinte shumë mirë e madje ndokush bëri edhe pyetjen në se ishte e arsyeshme të vinte. Por, ashtu si paraardhësi, sa herë kishte dyshime e njerëz të matur, me ndjete të mira, që thoshin: “E jo, të jemi të matur, ta shtyjmë…’, zgjodhi rrugën e guximit, që është guxim i krishterë, dëshmi feje e shprese. E më duket se pati arsye, sepse pastaj mesazhi i tij kaloi, mesazhi i tij u kuptua si mesazh i dashurisë, i shpresës, i paqes. Në Territoret Palestineze Papa ripohoi vija që nuk janë krejt të reja, janë po ato që ndjek prej kohe Selia e Shenjtë në kërkim të udhëve që duhen përshkuar për të gjetur paqen në drejtësi, ndër këto troje. Por, t’i thuash këto gjëra para murit, t’i thuash në kampin e refugjatëve, t’i thuash duke takuar burrat e shtetit të Izraelit, nuk është e lehtë. Pa harruar se fjalimet e Papës qenë jashtëzakonisht të drejtpeshuara, prandaj edhe u pranuan e u respektuan si nga njëra, ashtu edhe nga tjetra palë. Papa tha kudo se duhet kërkuar vërtetë paqja e pajtimi për të gjithë, për njërën palë, e edhe për tjetrën.

Pyetje: - Ç’porosi i la Papa Kishës vendase në Tokën Shenjte?

Përgjigje: - Takimi me Kishën vendase u bë gjithnjë më i dukshëm, posaçërisht në ditët e fundit: në ditën e Betlehemit e në ditën e Nazaretit, me kremtimet e mëdha; e edhe në ditën e Jeruzalemit, që natën para, me atmosferën e fillimit të kremtimit. Them se Mesha e Betlehemit e Mesha e Nazaretit ishin festa vërtetë të mëdha, të mëdha! Që s’ishin parë kurrë. Më të mëdha edhe se ato që u jetuan gjatë vizitës së Gjon Palit II. Është për t’u vërejtur se Gjon Pali II ishte papa i parë që hapte disa rrugë të mbyllura, i pari që shkonte tek Muri i Lotëve, i pari që shkelte në xhami e kështu me radhë. Prandaj vizitat e Benediktit XVI nuk sollën ndonjë risi në këtë drejtim, por ripohuan vazhdimësinë, vijimin e ecjes në të njëjtën vijë. E përsa i përket Kishës, ajo shkon përpara edhe me këto çaste feste e kremtimi të përbashkët, në të cilat bashkësitë që janë pakicë e që u duket vetja të vogla, të varfëra, të humbura, e ndjejnë se nuk janë ashtu, se janë të shumënumërta, se janë gjymtyrë të një Kishe të madhe! Prandaj besoj se ishte një çast i ndritur besimi, i jetuar thellësisht nga bashkësitë e krishtera vendase. Ishte pikërisht çka Papa dëshironte t’u jepte: besim i garantuar nga feja, por edhe nga përvoja njerëzore dhe e krishterë e pjesëmarrjes së përbashkët në kremtim, përvojë e jetuar, e dukshme, që shënon një etapë të re shprese në rritje!







All the contents on this site are copyrighted ©.