Papa takohet me Netaniahun: flitet për procesin e paqes dhe marrëveshjen Seli e Shenjtë-Izrael
(14.05.2009 RV)Pasdite, duke filluar
nga ora 15. 50 me orën vendase, 14. 50 me atë evropiane, kryeministri izraelit, Beniamin
Netaniahu ishte në Nazaret, ku i bëri një vizitë Papës në kuvendin e lashtë të françeskanëve.
Bisedimet u zhvilluan në një sallë të kuvendit, ku më 1799 pati banuar Napoleon Bonaparti.
Vizita zgjati 15 minuta. Në qendër të bisedimeve – pohon zëdhënësi i Vatikanit,
Atë Federiko Lombardi – ishin sidomos temat e procesit të paqes në Lindjen e Mesme
dhe rrugët që duhen ndjekur për ta përshpejtuar. U fol edhe për temat e marrëveshjes
ekonomiko-financiare ndërmjet Izraelit e Selisë së Shenjtë, duke u ndaluar në disa
nga problemet më konkrete, ndërmjet të cilave, ajo e vizave për rregulltarët katolikë
që shërbejnë në Izrael. Menjëherë pas takimit privat të Papës me kryeministrin,
u takuan edhe të dy delegacionet – ai i Izraelit, i përbërë nga gjashtë personalitete,
e ai i Vatikanit, i kryesuar nga sekretari i Shtetit, kardinali Tarçizio Bertone,
i përbërë nga zëvendës-sekretari për çështjet e përgjithshme, Fernando Filoni; nga
nunci i Izraelit, Antonio Franko dhe nga një sekretar.
Kryeministri i Izraelit,
Beniamin Netaniahu lindi në vitin 1949 në Tel Aviv. Pas përfundimit të studimeve të
mesme në SHBA, u rikthye në Izrael në vitin 1967 për të kryer shërbimin ushtarak
në radhët e forcave speciale. I diplomuar në arkitekturë dhe në ekonomi, pas një periudhe
pune private, më 1982 nisi të kryejë shërbime diplomatike e qeveritare, u vu në krye
të partisë opozitare Likud, u zgjodh kryeministër (1996-99), pastaj përsëri kryetar
i Likudit e, së fundi, kryeministër, më 31 mars 2009. Është i martuar me zonjën Sara
e ka tre fëmijë.