2009-05-14 13:28:19

Papa në Nazaret: Shteti ta ndihmojë misionin e pazëvendësueshëm të familjes në shoqëri! Të pranishëm në Meshë, 45 mijë vetë.


(14.05.2009 RV)RealAudioMP3 Në skenën e shkëlqyer të Malit të Greminës në Nazaret, që hapet si amfiteatër mbi kodrat e Galilesë, Papa kryesoi Meshën në përfundim të Vitit të Familjes, organizuar nga Kisha katolike në Tokën Shenjte. Ishte takimi më i madh i të krishterëve të këtyre viseve në historinë e kohëve të fundit. Mali, ku u kremtua Mesha, ndodhet 2 kilometra në jug-lindje të Nazaretit. Sipas traditës së krishterë, që pasqyrohet në Ungjillin e Shën Lukës, judenjtë e sollën Jezusin këtu për t'ia thyer qafën në greminë. Po ai kaloi mes tyre e vijoi rrugën e vet.
E këtu Benedikti XVI kremtoi ritin, në përfundim të të cilit bekoi gurët e parë të Qendrës Ndërkombëtare të Familjes, të Parkut përkujtimor ‘Gjon Pali II’ dhe të Universitetit ‘Papa Benedikti XVI’.
Në homelinë e Meshës pohoi me forcë se familja ka një mision të pazëvendësueshëm në shoqëri e se duhet ndihmuar nga shtetit. Pastaj theksoi:
“This stage of my pilgrimage, I am confident, will draw the whole Church’s attention to this town of Nazareth..
Shpresoj se kjo etapë e shtegtimit tim do të tërheqë vëmendjen e mbarë Kishës drejt qytetit të Nazaretit. Të gjithë kemi nevojë – siç pati thënë Pali VI – të rikthehemi në Nazaret, për të kundruar rishtas heshtjen e dashurinë e Familjes Shenjte, model për jetën e të gjitha familjeve”.
Këtu – vijoi Papa - sipas shembullit të Marisë, të Jozefit e të Jezusit, mund ta vlerësojmë edhe më shumë shenjtërinë e familjes e cila, në planin e Hyjit, bazohet në besën që një burrë e një grua i japin njëri tjetrit për ta kaluar bashkë gjithë jetën. Ky premtim për besnikëri të përjetshme kurorëzohet nga pakti bashkëshortor e nga dëshira për të krijuar jetë të reja, që janë dhuratë e Zotit. Sa nevojë kanë burrat e gratë e kohës sonë për ta ripërvetësuar këtë të vërtetë themelore, që është në bazë të shoqërisë e sa rëndësi ka dëshmia e çifteve të martuara, për formimin e ndërgjegjeve e për ndërtimin e qytetërimit të dashurisë:
“As we reflect on these realities here, in the town of the Annunciation...
Ndërsa reflektojmë mbi realitete të tilla në qytetin e Lajmërimit të Zotit – tha në vijim Papa - nuk mund të mos mendojmë për Marinë ‘hirëplote’, Nënën e Familjes Shenjte e Nënën tonë”.
Ajo na kujton se e kemi për detyrë ta njohim e ta respektojmë dinjitetin e grave, si edhe karizmat e talentet e tyre në vatrën familjare e në shoqëri.
Lidhur me misionin e Jozefit, Benedikti XVI nënvizoi:
“…he saw how authority placed at the service of love ...
... ai e dinte se autoriteti i vënë në shërbim të dashurisë, është pambarimisht më i frytshëm se forca e njeriut, që kërkon të sundojë”.
Foli për jetën familjare të Jezusit, më pas, Ati i Shenjtë, duke kujtuar se edhe fëmijët kanë një rol të posaçëm për shenjtërimin e prindërve të tyre.
Ndërsa për tensionet e kaluara ndërmjet të krishterëve e myslimanëve në Nazaret, nënvizoi se të gjithë duhet t’i kundërvihen forcës shkatrrimtare të urrejtjes e të paragjykimit, që vrasin shpirtin, para se të vrasin korpin.
Në përfundim të homelisë, Papa kërkoi, plot besim, ndërmjetësimin e Marisë, Zonjës së Shtëpisë së Nazaretit, Nënës të të gjithë besimtarëve:
“Let it be done to me according to your word” (Lk 1:38).
“U bëftë mbi mua si është fjala jote". Zoja Nunciatë, që ia hapi plot guxim zemrën planit të Zotit e u bë Nënë e të gjithë besimtarëve, na priftë e na mbrojtët me lutjen e saj. Nxjerrtë për ne e për familjet tona hirin t’i hapim veshët për të dëgjuar fjalën e Zotit. Kjo fjalë na përforcon në fe e na frymëzon të marrim vendime të guximshme, që i shtyjnë hapat tonë në rrugën e paqes”.







All the contents on this site are copyrighted ©.