2009-05-14 18:32:08

Kini guximin t’i qëndroni besnikë Krishtit e të mos largoheni nga këto troje: kështu tha Benedikti XVI në Lutjen Mbrëmësore në Nazaret


(14.05.2009 RV)RealAudioMP3 Protagonistja e aktiviteteve të pasdites të Papës Benedikti XVI ishte Shenjtërorja e Lajmërimit të Zojës (apo e Zojës Nunciatë) në Nazaret, ku ndodhet shpella-shtëpi e Familjes Shenjte. Ajo përbëhet nga dy kisha të mbivendosura. Bazilika e Poshtme, në stilin e një kripte, është ajo që përmban shpellën dhe elterin françeskan të ‘600 me shkrimin: “Verbum caro hic factum est”. Bazilika e Epërme i është kushtuar nderimit të Zojës, Nënës së Zotit.
Këtu Papa u takua me krerët fetarë të Galilesë, vizitoi Shpellën e Zojës Nunciatë dhe kremtoi Mbrëmësoret me ipeshkvijtë, meshtarët, rregulltarët e përfaqësues të tjerë të Kishës Katolike në Galile.
“Ajo që ndodhi këtu në Nazaret – tha Benedikti XVI në Lutjet Mbrëmësore, aktiviteti i fundit i ditës së sotme – larg nga sytë e botës, ka qenë një akt unik i Zotit, një ndërhyrje e fuqishme në histori, përmes së cilës, një fëmijë u zu për t’i sjellë shpëtimin botës mbarë… Kur Zoti ynë Jezu Krisht u zu për vepër të Shpirtit Shenjt në karharorin e Virgjërës Mari, Hyji u bashkua me njerëzimin, duke hyrë në një marrëdhënie të përhershme e të re me ne e duke përuruar Krijimin e ri… Mari tha: “U bëftë mbi mua si është fjala jote”. E Fjala e Zotit u bë njeri”.
Në këtë vend, që kujton Besëlidhjen e Re të Hyjit me njerëzimin, engjëllin që i sjell lajmin Marisë se do të lindte Krishtin, mbështjellë me misterin e ndërhyrjes së Zotit në histori, Papa foli për shpresë e guxim, duke iu referuar edhe këngës Magnificat, në të cilën u thuret lavd punëve të mëdha, që Zoti bëri me Shën Marinë. U tha të krishterëve, pakicë në këto troje, të kenë besim në planin e Hyjit, por të qëndrojnë edhe të bashkuar, për t’i sjellë Krishtin botës, e për të përhapur mesazhin e tij të paqes:
“Kini guximin t’i qëndroni besnikë Krishtit dhe të mbeteni në tokën që Ai e ka shenjtëruar me praninë e vet!... Për këtë, është thelbësore që të jeni të bashkuar, që Kisha në Tokën Shenjte të njihet qartë si “shenjë e mjet i bashkimit me Zotin dhe i unitetit të krejt farës njerëzore”.







All the contents on this site are copyrighted ©.