2009-05-13 17:19:05

Betlehemi


(13.05.2009 RV)Vendi ku lindi Krishti, 10 kilometra në jug të Jeruzalemit, me 35 mijë banorë, në hebraisht “Bet-Lehem: Shtëpia e bukës; në arabisht ‘Bet Lahm’: Shtëpia e mishit, ndodhet në udhën ku përshkoheshin karvanet, që niseshsin drejt shkretëtirës së Negebit, mbi shpatet lindore të dy kodrave (765 metra mbi nivelin e Mesdheut e 1170 metra mbi nivelin e Detit të Vdekur).
Sot është kryeqendër e Governatoratit me të njëjtin emër, në Komunën Beit-Lahm, njëra nga 12 komunat që formojnë Çisjordaninë.
Burimet kryesore të jetesës janë bujqësia, blegtoria dhe punimi artizanal i drurit të ullirit e i sedefit. Kujtohet për herë të parë në Bibël lidhur me vdekjen e Rakelës (Zan. 35,19) dhe identifikohet me Efratën (Frutoren). Në shkrimet shenjte quhet ‘Betlehemi i Judës”, emër i fisit, të cilit i përkiste. Këtu lindi Davidi e, po këtu, u shugurua Mbret nga Samueli Profet (1 Sam 16, 4-13).
Me lindjen e Krishtit, më i vogli nga të gjitha qytetet e Judës, mori rëndësi botërore e nisi të zmadhohej, për të përballuar dyndjen e shtegtarëve. Perandori Adrian (135) u përpoq të rrënjoste këtu kultin e Adonit por, në vitin 330, Kostandini riktheu kultin e krishterë. Që asokohe, vendlindja e Krishtit u bë qendër e jetës monastike: në vitin 384, në Betlehem u vendos Shën Jeronimi, që shkroi me mijëra faqe , duke përkthyer e duke komentuar Shkrimin Shenjt. I dhuroi kështu botës ‘Vulgatën’ që përballon shekujt. Pas pushtimit arab, në vitin 638, kalifi Omar ndoqi një politikë tolerance fetare, por kur u afruan kryqtarët, në vitin 1099, myslimanët e rrënuan qytetin. Në vitin 1100 në Betlehem u kurorëzua mbreti i parë i Jeruzalemit, Baldovini. Rikthimi i arabëve (1187) dhe pushtimi i mëpasëm otoman, e shkatërruan qytetin deri në atë pikë, sa të kthehej në një katund të vogël, gati-gati të harruar nga bota.
Por në fillim të shekullit XIX, më i vogli i qyteteve të Judës, e mori rishtas veten. Numri i banorëve erdhi gjithnjë duke u rritur, kryesisht me besimtarë të krishterë. Në vitin 1831 u pushtua nga Muhamed Ali Pasha i Egjiptit: myslimanët, aleatë të otomanëve, u dëbuan nga vendi e lagjja e tyre u bë shkrumb e hi. Dhjetë vjet më vonë qyteti u rikthye nën kontrollin e otomanëve.
Bënte pjesë në mbretërinë hashemite të Jordanisë deri në qershor të vitit 1967 kur, së bashku me Çisjordaninë, u pushtua nga ushtria izraelite.
Nga viti 1995, mbi bazën e Marrëveshjeve të Oslos, i përket Territoreve Autonome Palestineze. Presidenti i Autoritetit Palestinez, Jaser Arafat, e ndërtoi këtu Pallatin Presidencial.
Qyteti ishte qëndra e festimeve ‘Betlehem 2000’. Me rastin e Jubileut të Madh këtu u ndërtua Muzeu Ndërkombëtar i Lindjes së Krishtit (800 metra katrore, 230 Shpella Betlehemi, të ardhura nga të pesë kontinentet) realizuar nën drejtimin e UNESKO-s.
Këtu shtegtuan Pali VI – 6 janar 1964 e Gjon Pali II – 22 mars 2000. Sot, më 13 maj 2009, Benedikti XVI (Shtegtimi XII Apostolik, në Tokën Shenjte, 8-15 maj 2009).
Për hollësira, www.bethlehem 200.org.







All the contents on this site are copyrighted ©.