2009-05-13 15:58:50

Atë Lombardi: Ditë e shkëlqyer në Betlehem.


(13.05.2009 RV)RealAudioMP3 Për vizitën e Papës në Betlehem, të dëgjojmë komentin e drejtorit të Sallës vatikanase të Shtypit, Atë Federiko Lombardi, nga Sheshi i Grazhdit të Krishtit:

Përgjigje: - Është një ditë e kthjelltë, e një pritje tepër e ngrohtë. Mesha është festë e vërtetë, e madhe, me pjesëmarrje jashtëzakonisht të përzemërt të të krishterëve, e jo vetëm këtyre të Betlehemit. Kanë ardhur edhe nga Çisjordania, madje, një grup, edhe nga Gaza. Pra mund të themi me plot gojën se është një çast tejet i gëzueshëm. E, pavarësisht nga vështirësitë, që kalojnë bashkësitë e ndryshme të krishtera e që u kujtuan me shumë sukses edhe nga Ati i Shenjtë - përveç Patrikut latin Tual – është mesazh shprese, ky që sjell Papa, mesazh i madh solidariteti i Kishës universale për këto bashkësi të krishtera, e jo më pak, nxitje, që të vijojnë të impenjohen këtu, të jenë ura pajtimi në vendet e tensionit, të jenë dëshmitarë, rojtarë, si bashkësi të gjalla,në vendet më të shenjta të fesë sonë.

Pyetje: - Si u pritën nga palestinezët shprehjet solidare të Papës?

Përgjigje: - Bah, natyrisht u pritën me gëzim të madh: këtë dëshirojnë, për këtë kanë nevojë; por duhet vërejtur gjithnjë se shprehjet e solidaritetit nga ana e Papës, shoqërohen gjithnjë me inkurajim, me frymën e paqes e të pajtimit. Papa foli tejet qartë, sidomos kur iu drejtua të rinjve, të cilët i ftoi të mos i nënshtrohen tundimit të terrorizmit e të dhunës. Pra, Ati i Shenjtë vijon të përcjellë një mesazh që flet qartësisht për paqen e për kapërcimin e përçarjeve. E bëri këtë në Izrael, e bëri me myslimanët e po e bën edhe këtu, me palestinezët.

 
Pyetje: - Ky është shtegtim i paqes, që kërkon të mbrojë si aspiratat e ligjshme të palestinezëve, ashtu edhe ato të izralitëve…

Përgjigje: - Natyrisht: këtë Papa e përsëriti qartë, posaçërisht në fjalimin që mbajti këtu, në Pallatin presidencial të Mahmud Abazit, duke theksuar, pa mëdyshje, se Selia e Shenjtë mbështet vijën e dy shteteve sovrane, të pavarura, me kufij të njohur ndërkombëtarisht, që jetojnë në paqe. E duhet kujtuar se dy shtete që jetojnë kaq pranë, kanë edhe një mori lidhjesh me karakter shoqëror, ekonomik, njerëzor… Ja, pra, paqja mund të arrihet vetëm në se këto entitete shoqërore rriten në një klimë, që u krijojnë tërë indeve njerëzore mundësinë për të qenë në shërbim të paqes e të pajtimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.