2009-05-12 16:15:59

Atë Lombardi flet për vizitën e Papës në Izrael.


(12.05.2009 RV)RealAudioMP3 Duke folur, në mikrofonin e Roberto Piermarinit, i dërguar i Radio Vatikanit në Izrael, zëdhënësi i Selisë së Shenjtë dhe drejtori ynë i përgjithshëm, Atë Federiko Lombardi, flet së pari për emocionet e Papës gjatë vizitës në Yad Vashem:

Përgjigje: - Natyrisht është një nga çastet kulmore të këtyre ditëve, sepse kemi të bëjmë me Memorialin e një tragjedie të pafundme dhe e dimë ç’vend zë kjo tragjedi në historinë e popullit të Izraelit e jo më pak, në ndërgjegjen e njerëzimit të sotëm. Prandaj Papa e jetoi jashtëzakonisht i prekur, jashtëzakonisht thellë, me dëshirë të qartë e të dukshme për të shprehur pjesëmarrjen në tragjedinë e madhe të kaluar të këtij populli e për ta kujtuar, që të shmanget rreziku i përsëritjes në të ardhmen, të shmanget absolutisht, me çdo mënyrë.

Pyetje : - Shtypi izraelit e quan ‘ të vakët’ fjalimin e Papës në Yad Vashem…

Përgjigje: - Natyrisht unë nuk mendoj kështu; sipas meje është fjalim i thënë me finesën dhe delikatesën e zakonshme të Papës, që nuk përdor tone shungulluese ose teatrale, por që preku një temë tejet të thellë: atë të kujtimit e të emrit; emri, siç e dimë, në këndvështrimin biblik, tregon identitetin e njerëzve. Pra, do të thotë t’i kujtosh gjithë këta njerëz, që janë në zemrën e Zotit, në amshim, por që duhet të mbeten edhe në kujtesën tonë, pikërisht si qortim për të ardhmen. Papa pati çaste tepër prekëse në fjalim, posaçërisht kur kujtoi prindërit, të cilët mendojnë për emrin që do t’i vënë fëmijës. Prandaj mund të themi se ishte një fjalim i ndjerë thellë, plot emocion, por i shprehur me tone përherë të matura e të moderuara, ashtu siç bën gjithnjë Papa. Ky është stili i tij që, kush e njeh, e çmon shumë.

Pyetje: - Dy fjalë për atmosferën e vizitës në Sheshin e Xhamive?

Përgjigje: - Atmosferë mjaft e qetë. Ky Shesh i paanë të bën shumë përshtypje; Kupola e Shkëmbit është një ndërtesë e shkëlqyer e Papa u prit në hyrje të kësaj Xhamie; hoqi këpucët, siç është adet në këto vende myslimane kulti, hyri e, i shoqëruar nga Kryemyftiu si dhe nga një dinjitar tjetër e disa bashkëpunëtorë, dëgjoi shpjegimet e shumta për Xhaminë e domethënien shpirtërore që ka për të gjithë myslimanët e botës. Për fat të keq, vijonin punimet, prandaj nuk mundem ta shohim Shkëmbin e famshëm, që ruhet nën Kupolë, sepse ishte i mbuluar.

Pyetje: - U kapërcye incidenti i Shehut, që foli kundër Izraelit në takimin e djeshën ndërfetar?

Përgjigje: - Për ne, po, por duhet parë në se edhe shtypi e të tjerët do ta konsiderojnë si çështje anësore, apo do të vijojnë të flasin rreth saj. Natyrisht ishte një incident i pakëndshëm, që e trazoi klimën e takimit të mbrëmshëm e ne, siç thashë, shpresojmë se nuk do t’i ndërlikojë, në vijim, edhe marrëdhëniet ndërfetare në Tokën Shenjte, që edhe pa të, janë të vështira. Nga takimet e këtyre ditëve kuptojmë se rruga e mirëkuptimit të anasjelltë ndërmjet feve dhe sigurimi i paqes këtu, nuk është aq i lehtë. Papa jep shembull durimi, dëgjimi, ftese plot besim për sjellje shpirtërore, që mund t’ia hapin udhën paqes. Shpresojmë se do të dëgjohet!







All the contents on this site are copyrighted ©.