2009-05-11 18:37:33

“Respektoni ndryshimet e promovoni ç’kemi të përbashkët” u tha Benedikti XVI organizatave për dialogun ndërfetar në Jeruzalem.


(11.05.2009 RV)E shpresa ishte sfondi në të cilin u zhvillua takimi i mbrëmjes i Papës me organizatat e impenjuara në dialogun ndërfetar, në Qendrën “Notre Dame”(Zoja e Bekuar) e Jeruzalemit, ku Benedikti XVI bekoi edhe gurin e parë të Institutit të ri “Notre Dame”, që do të ndërtohet në Magdala, pranë Bazilikës së ardhshme të Shën Marisë Magdalenë, buzë Liqenit të Galilesë. Papa i dhuroi gjithashtu qendrës edhe një tabernakull të larë në argjend e ar.
Fjala e Papës për mëse 500 të pranishmit në qendër u përqendrua në dialogun ndërmjet kulturave e feve. Feja, tha Ati i Shenjtë, jetohet gjithnjë brenda një kulture të caktuar. Historia e fesë na tregon se bashkësia e besimtarëve shkon përpara duke ngjitur shkallët e besnikërisë ndaj Zotit e duke riplazmuar atë që merr nga kultura. Por cili është kontributi që feja i jep kulturës?
“Ndërsa shumë janë gati të tregojnë me gisht ndryshimet ndërmjet feve, lehtësisht të dukshme, ne, si besimtarë apo njerëz të fesë, jemi përballë sfidës për të shpallur qartë ç’kemi të përbashkët”.
Por, vazhdoi Benedikti XVI, feja presupozon të vërtetën. E kjo e vërtetë u duhet shpallur të gjithëve, pasi vetëm mbi të ndërtohen bazat e moralit e të etikës dhe u shërbehet me besnikëri aspiratave të përbashkëta të të krishterëve, myslimanëve dhe hebrenjve:
“Megjithëse mjeti përmes të cilit ne e kuptojmë të vërtetën ndryshon nga feja në fe, nuk duhet të shkurajohemi në përpjekjet për të dëshmuar forcën e së vërtetës. Së bashku mund të shpallim se Zoti ekziston dhe se mund të njihet, se Toka është krijim i Tij, se ne jemi krijesa të Tij, e se ai thërret çdo burrë e çdo grua në një mënyrë jetese, që respekton planin e Tij për botën”.
Papa u ndal në shoqërinë e sotme, gjithnjë e më e globalizuar, shurdhe për Zotin e plot me zhurmën e pretendimeve egoiste, të premtimeve boshe e të shpresave të rreme. Janë besimtarët ata, që duhet të rikrijojnë një hapësirë, ku t’i bëhet vend Hyjit, ku të dëgjohet zëri i Tij, i vetmi që respekton njeriun. E kjo i bën mirë edhe shoqërisë:
“Në një epokë informacioni të menjëhershëm dhe prirjesh shoqërore që çojnë drejt një lloj monokulture, reflektimi i thellë që kundërshton largimin e pranisë së Zotit, do të forcojë arsyen, do të nxisë gjeninë krijuese, do të lehtësojë vlerësimin kritik të dokeve e zakoneve dhe do të mbështesë vlerën universale të besimit fetar”.
Papa përmendi aktivitetet e shumta të organizatave për dialogun ndërfetar, nga institucionet akademike te grupet e prindërve në vështirësi, nga nismat e muzikës e të artit te grupet e dialogut e organizatat bamirëse. Gjithnjë, nënvizoi Ati i Shenjtë, për të treguar se detyra para Zotit nuk shprehet vetëm përmes kultit, por edhe përmes dashurisë e kujdesit për shoqërinë, kulturën e për të gjithë ata që jetojnë në trojet e Tokës Shenjte:
“Me ndihmën e të Gjithëpushtetshmit e të shndritur nga e vërteta e Tij, vazhdoni të ecni me guxim, duke respektuar gjithçka na ndan e duke promovuar gjithçka na bashkon si krijesa të bekuara nga dëshira për të çuar shpresën në bashkësitë tona dhe në botë. Zoti na priftë në këtë rrugë!”







All the contents on this site are copyrighted ©.