2009-05-11 19:15:21

Lugina e Kedrave ose e Jozafatit: vendi ku Papa do të kremtojë nesër Meshën Shenjte.


(11.05.2009 RV)Në Jeruzalem natyrisht nuk mungojnë Kishat: janë shumë madje, por asnjëra prej tyre nuk ka hapësirën e duhur për t’i hapur krahët të gjithë besimtarëve që duan të marrin pjesë në Meshën e Papës në shtegtim.
Papa Gjon Pali II pati kremtuar dy Meshë në Qytetin e Shenjtë: një mbi Varrin e Krishtit, përballë një turme të vogël, aq sa zinte vendi i kufizuar; e një tjetër, private, në Çenakull, duke gëzuar kështu një privilegj të pashoq, po të kemi parasysh se vendi ku u themeluan Eukaristia e Meshtaria, nuk është më kishë, por kapelë në të cilën, pasi u dëbuan françeskanët më 1551, lejohet vetëm lutja private. Prandaj as Pali VI nuk e kremtoi këtu Eukaristinë.
Kisha katolike më e madhe është Bazilika e Kombeve, që njihet edhe si Bazilika e Gjetsemanit: zë 800 vetë. E pamjaftueshme, pra, për turmën që pritet të marrë pjesë në Meshën e nesërme të Papës.
U propozua, atëherë, që Mesha të kremtohet nën qiell të hapur e për këtë qëllim françeskanët vunë në dispozicion një truall që e patën blerë rreth vitit 1666, i cili në kohë të Krishtit ka shumë mundësi të ketë qenë ngjitur me Kopshtin e Ullinjve. Tani i ndan vetëm rruga që kalon përmjet.
Mesha, pra, do të kremtohet në sheshin pranë Kopshtit të Gjetsemanit. Duhet të zërë 5000 vetë.
Nga tre vendet e zgjedhura për meshët e Benediktit XVI, ky është, pa dyshim, më i përshtatshmi, sepse krijon mundësinë për të ecur drejtpërdrejtë në gjurmët e Krishtit. Nuk dihet me siguri në se Krishti u kthye, kur u rrit, në vendlindje, në Betlehem, por është më se e sigurt se shkeli shumë herë në këto shtigje, që ngjiten drejt Malit të Ullinjve e Tempullit të Jeruzalemit.
Ndonëse nuk e ka hapësirën e dikurshme, ky vend u ofron shtegtarëve një panoramë që të mahnit jo vetëm me bukurinë e saj natyrore, por edhe me pasurinë e Historisë së saj të Shenjtë.
Sapo hyn në Luginën e Kedrave, e quajtur edhe e Jozafatit, shtegtari gjindet menjëherë në udhëkryq ndërmjet dy Besëlidhjeve. E kjo, sepse Jezusi ishte besimtar hebre praktikant, që shkonte rregullisht në Tempull, duke nderuar festat e shtegtimet e duke hyrë në dialog me rabinët, siç vijojnë të bëjnë akoma sot e kësaj dite, ata që studiojnë në shkollat talmudike.
Jezusi u ndesh me klerin e epokës, pikërisht sepse hapi një rrymë të re të judaizmit. E pikërisht sepse e donte Jeruzalemin, u ngjit në shtigjet e Malit të Ullinjve, për ta kundruar e për të lotuar mbi të.
Kur ngjitet atje ku u ngjit shpesh Jezusi, e shikon djathtas, drejt perëndimit, shtegtari vëren shtegun prej nga pritej të hyjë Mesia në Jeruzalem. E, sipas traditës së krishterë, pikërisht këtu Joakimi takoi Anën. Nga bashkimi i tyre lindi Virgjëra Mari. E po prej këtu duhet të ketë hyrë Jezusi në Jeruzalem të Dielën e Larit.
Duke shikuar drejt jugut, shtegtari mund të kundrojë pinaklin, siç quhet maja më e lartë e Tempullit, ku djalli tundoi Jezusin.
Duke vijuar t’i shëtisë sytë nga jugu, shtegtari mund të soditë, ndërmjet dy ullinjve, Varrin e Absalonit, pranë atij të Zakarisë e varrin, që njihet me emrin “i së bijës së faraonit”, pranë e pranë njëri–tjetrit. Janë monumentet e kësaj zone që Jezusi i ka parë me sytë e tij e që janë ruajtur të paprekur deri në ditët tona. Kujtojmë se i përkasin shekujve II e I para Krishtit.
Në se i kthen sytë majtas, nga lindja, mund të soditësh Malin e Ullinjve, me varrezën e hebrenjve, Dominus Flevi, ku përkujtohet edhe sot vaji i Jezusit mbi Jeruzalem, kishën ruse të Marisë Magdalenë me kupolat e saj të praruara në formë qepujke; Bazilikën e Kombeve dhe fasadën e Portës së Artë, pranë së cilës, drunjtë mijëravjeçarë të ullinjve.
Duke i kthyer sytë nga veri-lindja, mund të shikosh varrin e Virgjërës; në veri-perëndim, kuvendin greko-ortodoks ku nderohet skaji i rrugës, ku u mbyt me gurë i pari martir i krishtërimit, Shën Shtjefni.
Ky vend përmbledh një mori ngjarjesh të historisë biblike, në një hapësirë që ka mbetur ashtu siç ishte prej mijëra vjetësh. Është e do të mbetet, edhe për Meshën e Papës, i mbjellur me ullinj, duke krijuar një kënd vërtetë baritor, që të kujton menjëherë Bariun e Mirë. Këtu mund të kundrosh edhe disa varre. Është varreza e famullisë latine, ku françeskanët varrosin të vdekurit e kësaj famullie.
Tashmë po i jepet dora e fundit kësaj hapësire. Përveç njerëzve më të rëndësishëm që do të marrin pjesë në Meshë, nuk do të ketë vende për t’u ulur. Në orën e Meshës vendi do të jetë pjesërisht në hije; pastaj edhe ullinjtë do të bëjnë punën e tyre. Françeskanët do të ruajnë që shtegtarët të mos ulen mbi varret e lashta e, sidomos, të mos hipin mbi to për të parë më mirë. Do të hapet edhe një shteg i ri për të krijuar kështu mundësinë e hyrjes së lirë të turmës. Shtegu aktual është i ngushtë, duke pasur parasysh se në Jeruzalem nuk mblidhen aq shpesh turma kaq të mëdha të krishterësh.
Por gjithsesi françeskanët e prekën fare pak pamjen e këtij vendi shenjt, me dëshirën që të jetë sa më i natyrshëm, sa më pranë pejzazhit të dy Besëlidhjeve. Puna më e rëndësishme ishte ndërtimi i tribunës, ku Benedikti XVI do të bashkëkremtojë Meshën me më se njëqind meshtarë, realizuar nga një shoqatë e specializuar izraeliteDuke ndjekur këtë intinerar, Papa do të mund të admirojë muret e Qytetit Shenjt, duke shkelur drejtpërdrejt mbi gjurmët e Krishtit! Ngjarje e jashtëzakonshme!







All the contents on this site are copyrighted ©.