2009-05-11 18:38:05

Duke u larguar nga Jordania, Papa u bëri thirrje të krishterëve e myslimanëve për dialog e paqe në Lindjen e Mesme.


(11.05.2009 RV)RealAudioMP3 Sot paradite Benedikti XVI përfundoi etapën e parë jordaneze të shtegtimit të tij në Tokën Shenjte. Ceremonia e lamtumirës u zhvillua në aeroportin Queen Alia të Amanit.
Paqe e prosperitet: është urimi i Papës për popullin jordanez, të cilin e falënderoi nga zemra për mikpritjen. Më pas rikujtoi çastet kryesore të vizitës së tij në këto troje.
Edhe Mbreti Abdullah II, në përshëndetjen e rastit, e falënderoi Papën për nderin që i bëri Jordanisë me këtë vizitë dhe uroi të forcohet dialogu ndërmjet të krishterëve e myslimanëve.

E fuqishme thirrja e Benediktit XVI për dialog e tolerancë:
“I would like to encourage all Jordanians…”
Dëshiroj t’i inkurajoj të gjithë jordanezët, si të krishterët, ashtu edhe myslimanët, për të ndërtuar mbi themelet e tolerancës fetare, që i bën të aftë anëtarët e bashkësive të ndryshme të jetojnë së bashku në paqe e në respekt reciprok. Papa e lavdëroi Mbretin Abdullah II për impenjimin e tij në promovimin e dialogut ndërfetar. I shprehu edhe mirënjohjen për kujdesin që tregon ndaj bashkësisë së krishterë në Jordani. Kjo frymë – theksoi Benedikti XVI – jo vetëm që i ndihmon anëtarët e bashkësive të ndryshme etnike të këtij vendi të jetojnë së bashku në paqe e harmoni, por kontribuon edhe në nismat politike largpamëse për mbrojtjen e paqes në Jordani e në mbarë Lindjen e Mesme. Në vijim Ati i Shenjtë rikujtoi të gjitha etapat e shtegtimit në këtë vend:
“One of the highlights of these days…”
Një ditë posaçërisht e ndritshme, ndërmjet ditëve që po jetoj – pohoi Benedikti XVI – ishte ajo e vizitës në Xhaminë al-Husein bin Talal, ku pata kënaqësinë të takohem me prijësit fetarë myslimanë.
E ishte gëzim i veçantë – vijoi Papa - që m’u krijuan mundësitë për të marrë pjesë në fillimin e disa nismave të rëndësishme, të promovuara nga bashkësia katolike në Jordani, duke filluar nga krahu i ri i ndërtesës në qendrën ‘Mbretëresha e Paqes’, që bën të lindin shpresa të mëdha për njerëzit me vështirësi të ndryshme, për të kujtuar, më pas, dy Kishat që do të ndërtohen në Betani, të cilat do t’u krijojnë bashkësive përkatëse mundësitë të presin shtegtarët e të thellojnë punën për edukimin shpirtëror të besimtarëve, që do të luten në këtë vend shenjt. Së fundi, Papa foli për Universitetin e Madabasë, që do të japë një kontribut të çmuar për formimin e të rinjve të traditave të ndryshme, në shërbim të modelimit të ardhmërisë së shoqërisë civile.
Më pas Benedikti XVI u rikthye tek domethënia e këtij shtegtimi apostolik:
“Dear friends: as you know, it is principally as a pilgrim…”
“Të dashur miq – shpjegoi – siç e dini, erdha në Jordani si shtegtar e si bari, prandaj mund të them se, ndërmjet ngjarjeve të shumta, në kujtesën time do të mbten të pashlyeshme sidomos vizitat në viset e shenjta dhe çastet e lutjes, që kremtuam së bashku. E këtu u shprehu mirënjohjen e mbarë Kishës atyre që i ruajnë vendet e shtegtimit, duke falënderuar njerëzit e shumtë, të cilët kontribuan në përgatitjen e Mbrëmësoreve në Katedralen e Shën Gjergjit e të Meshës të së dielës në Stadiumin Ndërkombëtar të Amanit:
“It was truly a joy for me to experience…”
Ishte gëzim i veçantë për mua të marr pjesë në këto kremtime të Kohës së Pashkëve së bashku me besimtarët katolikë të traditave të ndryshme, të bërë një në bashkimin me Kishën e në dëshmimin e Krishtit – tha Papa - dhe i inkurajoi të gjithë së bashku t’i mbajnë premtimet e gurrës së Pagëzimit, duke u kujtuar se edhe vetë Krishti u pagëzua nga Gjoni në ujërat e lumit Jordan.
Nga ana e tij, Mbreti Abdullah II nënvizoi posaçërisht rëndësinë e vizitës së Papës:
“It is vital that we continue the dialogue of respect that we have begun …”Ka rëndësi jetike – pohoi sovrani – të vijojmë dialogun e respektit, që tashmë e kemi filluar – e në vijim ritheksoi impenjimin në të gjitha nivelet për përhapjen e mirëkuptimit, posaçërisht në mjediset e të rinjve. Ka shumë rëndësi – tha në përfundim – që ne, besimtarët, t’i ndajmë së bashku pasuritë morale të feve tona, në mënyrë që të mund të takohemi për të shëruar plagët e njerëzimit e për të krijuar një botë më të mirë për të gjithë.







All the contents on this site are copyrighted ©.