2009-05-10 18:02:00

Papa në Betani përtej Jordanit bekon gurët e parë për dy kisha katolike


(10.05.2009 RV)“Vij me gëzim të madh në shpirt për të bekuar gurët e parë të dy kishave katolike që do të ndërtohen përtej lumit Jordan, një vend i shënuar nga shumë ngjarje të historisë biblike”: me këto fjalë iu drejtua Papa besimtarëve dhe autoriteteve të pranishme sot pasdite në Betani përtej Jordanit, ku janë hapur kantieret për ndërtimin e dy kishave, të ritit latin e të ritit greko-melkit. Para se të ndalej, Benedikti XVI përshkoi krejt itinerarin arkeologjik të quajtur “Baptism site” (Vendi i Pagëzimit).
Betania përtej Jordanit, siç e shpjegoi vetë Ati i Shenjtë më pas, është vendi i profetit Elia. Pikërisht para Jerikos, afër me zonën ku ndodhej sot Papa, ujërat e Jordanit u hapën para Elisë, i cili u mor nga Zoti me karrocë zjarri. Këtu, Shpirti i Hyjit thirri Gjonin, birin e Zakarisë, për të predikuar kthimin në rrugën e Zotit. Shën Gjon Ungjilltari tregon se në këtë vend është takuar Jezusi me Shën Gjon Pagëzuesin. Këtu Jezusi, përmes Pagëzimit në lumin Jordan, u quajt Bir i dashur i Atit dhe Shpirti i Shenjtë i zbriti mbi krye në formën e një pëllumbi. Ndërtimi i kishave në këtë vend, merr prandaj një kuptim të veçantë:
“Guri i parë i një kishe është simbol i Krishtit. Kisha mbështetet mbi Krishtin, mbahet prej Tij e nuk mund të ndahet prej Tij. Ai është baza e vetme për çdo bashkësi të krishterë, guri i gjallë, i hedhur nga ndërtuesit, por i çmuar në sytë e Zotit e, prej Hyjit, i zgjedhur si gur i këndit. Me Të, edhe ne jemi gurë të gjallë vënë një mbi një si ndërtesa shpirtërore, vend banese për Hyjin”.
Me ngritjen e këtyre dy kishave në Betani përtej Jordanit, Kisha Katolike dëshiron të tregojë vendosmërinë për të qëndruar në Tokën Shenjte e për ta vazhduar misionin e saj, në një çast kur konfliktet e kushtet e jetesës i detyrojnë të krishterët të emigrojnë. Kisha, tha Papa, është në Krishtin një bashkësi jete të re, një realitet dinamik hiri që vjen prej Tij. Përmes Kishës, Krishti pastron zemrat, shndrit mendjet, na bashkon me Atin e na udhëheq ta jetojmë dashurinë e krishterë. E në Kishë, vazhdoi Ati i Shenjtë duke iu referuar vendit ku u pagëzua Jezusi, hyjmë përmes Pagëzimit:
“Lumi Jordan ju kujtoftë gjithnjë se jeni larë me ujin e Pagëzimit e jeni bërë anëtarë të familjes së Jezusit. Jeta juaj, duke iu bindur fjalës së Tij, është shndërruar sipas shembëlltyrës e ngjashmërisë me Të. Në përpjekjen për t’i qëndruar besnikë impenjimit të Pagëzimit për t’u kthyer në rrugën e Zotit, për ta dëshmuar e për të kryer misionin e krishterë, ta dini se përforcoheni nga dhurata e Shpirtit Shenjt”.
Benedikti XVI kujtoi se për shekuj me radhë njerëzit kanë ardhur si shtegtarë në këtë vend, për t’u pagëzuar e për të ndërruar mënyrën e jetesës. Përmendi shtegtaren Egjeri, të mirënjohur në këto anë, e pikërisht për të kryer sa më mirë impenjimet, që të krishterët marrin me Pagëzimin, për t’u sjellë sipas “agapes” apo dashurisë së krishterë, Papa këshilloi:
“Nxisni dialogun e mirëkuptimin në shoqërinë civile, sidomos kur kërkoni të drejtat tuaja të ligjshme. Në Lindjen e Mesme, të shënuar nga vuajtja tragjike, nga vite dhune e çështje të pazgjidhura, të krishterët janë të thirrur të japin kontributin e tyre për pajtimin e paqen me anë të faljes e bujarisë, të frymëzuar nga shembulli i Jezusit”.
Bekimi i gurëve të kishave katolike, njëra e ritit latin e tjetra e ritit greko-melkit, u parapri nga Formula e Pagëzimit dhe nga Atyna në arabisht.







All the contents on this site are copyrighted ©.