2009-05-10 17:52:37

Atë Lombardi për etapën jordaneze të shtegtimit papnor: bilanc shumë pozitiv.


(10.05.2009 RV)Për t’u njohur me bilancin e etapës jordaneze të shtegtimit të Papës në Tokën Shenjte, të dëgjojmë drejtorin e Sallës vatikanase të Shtypit, Atë Federiko Lombardi, nga Amani:

Përgjigje: - Bilanci është sigurisht shumë pozitiv, sepse Papa mundi t’i mbante të gjitha takimet që ishin në program, me qetësi të plotë, në një atmosferë shumë të ngrohtë e miqësore, si nga ana e autoriteteve të shtetit, të familjes mbretërore, ashtu edhe nga ana e botës myslimane; e pastaj, edhe botës së krishterë, me të cilën pati takime të posaçme. Më duket urti që ky shtegtim nisi duke u përshkuar nëpër portën e paqes, të qetësisë. Në këtë çast Jordania, në kuadrin e Lindjes së Mesme, është vend krejtësisht i qetë e, prej këndej, fillimi i udhëtimit në Lindjen e Mesme nga kjo pikë, besoj se e bëri nisjen e këtij shtegtimi paqeje, posaçërisht pozitiv.

Pyetje: - Cilat janë deri tani pamjet më emocionante të këtij shtegtimi?

Përgjigje: - Për pamjet, them se ishte ajo e Papës mbi Malin Nebo, figura e Papës që shikonte Luginën e Jordanit, Tokën e Premtuar, vendin që pati soditur Mosiu: ishte një çast tepër i ngarkuar me emocione, me kujtime shpirtërore të thella; e njëkohësisht edhe një vështrim drejt etapave të tjera të shtegtimit, kryesisht asaj të takimit me botën hebraike. Pastaj, natyrisht, është edhe figura e Papës në Xhami - Xhamia e dytë që viziton, pas asaj të Stambollit – ku shihet se bëhet - në një farë mënyre, gjithnjë më normale, më e natyrshme, që Papa të hyjë miqësisht në një vend mysliman lutjesh. Është shenjë e qartë e progresit të marrëdhënieve pozitive ndërmjet të krishterëve e myslimanëve gjatë këtyre viteve. Një tablo tjetër e bukur, që lidhet me ngohtësinë e bashkësisë së krishterë, e cila pret Papën, është ajo e katedrales greko-melkite, ku entuziazmi e mikëpritja ishin vërtetë prekëse.

Pyetje: - Pra, mund të themi se me myslimanët u kapërcyen përfundimisht keqkutimet e Regensburgut?

Përgjigje: - Besoj se janë kapërcyer që më parë, sepse u dhanë sqarime më se të mjaftueshme. Por, siç e dimë, keqkuptimet që të prekin thellësisht, nuk sqarohen aq lehtë: duhen bërë një sërë hapash, duhet kohë, për t’i shlyer plotësisht të gjitha pasojat. Prandaj nuk është për t’u çuditur që vijon të kujtohet ky çast i vështirë. Por nuk duhet harruar se kemi dy vjet përvoje pozitive, të cilat nisën pikërisht nga ai çast jo i lehtë. Prici Gazì, në fjalimin e tij, e kujtoi Regensburgun, por theksoi qartë se është një kapitull i mbyllur përfundimisht; e pastaj e përshëndeti Papën si pasardhës i Shën Pjetrit, përshëndetje që, në gojën e një kreu autoritar mysliman, është shumë domethënëse.

Pyetje: - Papa e vlerësoi shumë pakicën e krishterë në Jordani e i dha zemër për të vijuar dëshmimin e fesë në këto troje edhe në të ardhmen…

 
Përgjigje: - Natyrisht! Është një Kishë plot gjallëri e këtë mundi t’ia dëshmojë këtu edhe Papës, e jo vetëm me mikpritjen, me përzemërsinë e me thellësinë e çasteve të përbashkëta të lutjes, por edhe me krijimin e disa rrethanave tejet të rëndësishme: kujtojmë se në Qendrën ‘Mretëresha e Paqes’ për të rinjtë me të meta fizike, u përurua një krah i ri i ndërtesës. Në Universitetin e Madabasë u vu guri i parë; e kjo është nismë me rëndësi të madhe, jo vetëm për Jordaninë, por për të gjithë Lindjen e Mesme, ku zhvillimi që mund të ketë kontributi i Kishë për kulturën në vend do të jetë jashtëzakonisht domethënës. E pastaj dy gurët e dy kishave latine e greko-melkite, në zonën e Pagëzimit të Krishtit, tregojnë qartë se edhe fizikisht shtohen viset ku Kisha takohet. Sigurisht, fakti që kalimi i Papës lidhet me këto rrethana, na tregon se kemi të bëjmë me një Kishë që e ndjen veten plot gjallëri, që shikon plot shpresë drejt së ardhmes.

Pyetje: - Tani shtegtimi në Tokën Shenjte do të vijojë në Izrael e në Territoret Paletisneze. Ç’shpresohet…

Përgjigje: - Shpresat janë që qëllimet, të cilat Papa i ka theksuar shumë herë, edhe para se të nisej, të realizohen: që ky shtegtim të jetë me të vërtetë mesazh i paqes, i pajtimit, i inkurajimit për bashkësitë e krishtera plot me vështirësi; të jetë mesazh shprese, mesazh besimi, mesazh dashurie, që të mund të japë ndihmesë të frytshme për përmirësimin e situatës në të gjithë zonën.







All the contents on this site are copyrighted ©.