2009-05-09 17:13:31

“Zëri autentik i fesë sjell bashkim, drejtësi, mirëkuptim e paqe!”: kështu Benedikti XVI përfaqësuesve të riteve katolike gjatë Mbrëmësoreve në Aman


(09.05.2009 RV)RealAudioMP3 Dita e dytë e vizitës së Papës Benedikti XVI në Tokën Shenjte - sot në Jordani - përfundoi me kremtimin e Mbrëmësoreve me meshtarët, rregulltarët e rregulltaret, seminaristët dhe përfaqësuesit e Lëvizjeve të ndryshme kishtare në Katedralen greko-melkite të Amanit. Një lutje në praninë e përfaqësuesve të riteve të ndryshme katolike, që Ati i Shenjtë i falenderoi për impenjimin e tyre të jashtëzakonshëm në një tokë ku janë thjesht një pakicë fetare:
“Kishat e veçanta brenda Kishës universale – tha Papa Racinger – dëshmojnë për dinamizmin e rrugës së saj tokësore dhe nxjerrin në pah për të gjithë besimtarët thesarin e traditave shpirtërore, liturgjike dhe kishtare, që tregojnë mirësinë universale të Zotit e vullnetin e Tij, të shfaqur në krejt historinë, për t’i tërhequr të gjithë brenda jetës së tij hyjnore”.
Papa kujtoi se këto bashkësi të krishtera, edhe pse sot janë pakicë, i kanë rrënjët e lashta. Pjesa më e madhe ka lidhje me Patriarkatin e Antiokisë e pikërisht në Antioki, dymijë vjet më parë, dishepujt e Krishtit u thirrën të krishterë për herë të parë:
“Ju shumëfishoni jehonën e shpalljes së parë të Ungjillit, gjallëroni kujtimet e lashta të veprave të Hyjit, bëni të pranishme hiret e tij të shëlbimit e përhapni sërish rrezen e parë të dritës së Pashkëve dhe dridhjen e flakëve të Rrëshajve”.
Duke përdorur Psalmin 103, të parin e Lutjeve të sotme Mbrëmësore, Ati i Shenjtë shpjegoi se si puna e përditshme e bashkësive të krishtera është t’i largohen së keqes për të kërkuar të vërtetën e Hyjit e për t’u rrethuar me forcën e tij. Pikërisht ky psalm, tha Papa, na kërkon që të jemi vigjilentë, të vetëdijshëm se forcat e errësirës veprojnë në botë. Hapi i parë për t’u çliruar nga kjo errësirë është Pagëzimi, për të marrë pjesë pastaj për gjithë jetën në lëvizjen dinamike nga vdekja në jetë, nga errësira në dritë, nga dëshpërimi në shpresë, lëvizje e përjetuar çdo Pashkë. Është kjo, vazhdoi Ati i Shenjtë, që na siguron se Kisha mbetet e re:
“Ajo jeton, sepse Krishti është i gjallë, me të vërtetë u ngjall. E përtërirë nga prania e Shpirtit Shenjt, ajo ecën përpara çdo ditë duke i çuar burrat e gratë tek Hyji i gjallë”.
Veprat e bamirësisë janë gjithashtu hapa të rëndësishme, që e shkëpusin besimtarin e Kishën nga darët e errësirës dhe e udhëheqin drejt jetës, drejt Zotit që na jep jetën me begati. Papa vërejti se Kisha katolike e këtyre anëve punon për të gjithë popullin jordanez, edhe për myslimanët e besimtarët e feve të tjera, si edhe për një numër të madh refugjatësh që ndodhen në Mbretërinë hashemite. Është shpresa, që shkon përtej kufijve të bashkësive të krishtera:
“Kjo karakterizon të gjitha veprimtaritë tuaja apostolike – u tha Benedikti XVI të pranishmëve në katedralen greko-melkite të Shën Gjergjit në Aman – shumëllojshmëria dhe cilësia e të cilave vlerësohen shumë. Nga kopshtet e fëmijëve te shkollat e mesme, nga jetimoret te shtëpitë për të moshuarit, nga puna me refugjatët te akademia e muzikës, nga klinikat mjekësore dhe spitalet te dialogu ndërfetar dhe iniciativat kulturore, prania juaj në shoqëri është shenjë e mrekullueshme e shpresës, që na cilëson si të krishterë”.
Kjo shpresë ndihmon prindërit në edukimin e fëmijëve, para një shoqërie që ndjen pasojat negative të industrisë së argëtimit, e cila, pa shumë probleme, shfrytëzon pafajësinë dhe brishtësinë e zemrës së re. E Papa përfundoi me fjalë inkurajimi edhe për ata që përgatiten për meshtarë e për jetën rregulltare:
“Të udhëhequr nga drita e Krishtit të ringjallur, të përflakur nga shpresa e Tij e të veshur nga e vërteta e dashuria e Tij, dëshmia juaj do të sjellë bekime të shumta për ata që do të takoni rrugës. Në fakt, kjo gjë vlen edhe për të gjithë të rinjtë jordanezë: mos kini frikë të jepni kontributin tuaj të urtë, të matur e plot respekt në jetën publike të mbretërisë. Zëri autentik i fesë gjithnjë do të sjellë bashkim, drejtësi, mirëkuptim e paqe!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.