2009-05-09 17:23:42

Xhamia kushtuar “Mbretit Hussein Bin Talal”


(09.05.2009 RV)Kjo Xhami madhështore u ndërtua nga Mbreti Abdallah II për kujtim të babait të tij. U përurua më 12 prill 2006.
Ndërtesa e kultit, ngrihet mbi një terren prej prej 60 mijë metrash katrore, në kodrën më të lartë të parkut publik të Amanit. Vetë Xhamia shtrihet në një terren me sipërfaqe 7. 700 metra katrore e mund të zërë rreth 6 mijë besimtarë. Arkitektura është tipikisht islamike, me formë katrore, me një kupolë prej bakëri e me katër minare katrore, 46 metra të larta, vendosur në të katër skajet, mbuluar me kupola bakëri. Pranë Xhamisë janë shkolla kuranike, biblioteka, burimet e ujit ku besimtarët marrin avdes si dhe Muzeu Hashemit, me koleksionin e tij historik unik mbi dinastinë sunduese Hashemite.
Duke vizituar Xhaminë, Benedikti XVI u shpreh kështu:
“Vendet e kultit, si Xhamia madhështore e Al-Hussein Bin Talal, kushtuar Mbretit të ndjerë, lartohen si stoli mbi faqen e tokës. Nga më e lashta, tek më modernia, nga më e shkëlqyera, tek më e përvujta, të gjitha na çojnë drejt hyjnores, drejt Hyjit të vetëm, të Gjithëpushtetshmit. E në rrjedhë shekujsh, këto shenjtërore kanë tërhequr burra e gra brenda hapësirës së tyre të shenjtë për të pushuar një çast, për t’u lutur e për të kujtuar praninë e të Gjithëpushtetshmit, si dhe për të pranuar se ne të gjithë jemi krijesat e tij”.







All the contents on this site are copyrighted ©.