2009-05-09 17:14:19

Psalmi 103 (104)


(09.05.2009 RV)1. Bekoje Zotin, o shpirti em,
Zot, Perendia em, sa i madh je ti!
I veshun me madhní e me shkëlqim,

2. si një mantel ty drita të pështjellë,
e qiellën shtrinë, si të ishte çadër.

3. Banesën tande e ngrehe përmbi ujna,
karrocën prej rêve e bân;
e ecë përmbi krahët e stuhisë;
 
4. ti bân që erët të jenë lajmëtaret tua,
e flakët e vetimave, shërbëtorët tú.

5. Përmbi themele të veta tokën e ke pështetë,
s’ka për t’u luhatë në shekuj të shekujve.

6. E pështillte oqeani, porsi petku trupin,
e deri malet i mbulojshin ujnat.

 
7. Por në brimën tande ato morën ikën,
trembë prej ushtimës së bumbullimës sate.

8. Malet u ngritën nalt, kodrat u ulën
ndër vende që ti u kishe caktue.
 
9. Kufij u vûne të mos mujshin me i kalue,
që ma mos të kthejshin tokën me e përmbytë.

10. Ti bân të shpërthejnë gurrat ndër lugina,
e të rrjedhin ndërmjet maleve porsi përroje.

11. Tanë egërsinat atje ulen me pí,
të shkrumbueme zebrat etjen atje e shuejnë.

12. Nalt banojnë zogjt e ajrit,
këndojnë në blerime të landëve.

13. Prej banesave tua të larta, ti ujitë malet,
me fryte të duerve tua, ti tokën e nginë.

14. Bân, o Zot, të rritet sana për gjedhet e tokës,
e bari në livadhe, për dobí të njeriut;
e ky prej arave të xjerrë bukën e gojës,

15. e venën, që njeriut zemrën ia kënaqë,
e vojin, që fëtyrën ia shndritë,
e bukën, që shtatin ia rritë.

16. Ngihen me ujë plot landët e Zotit,
kedrat e Libanit që dora e tij i mbolli.

17. Në gjethime të tyne zogjt çerdhen e ndërtojnë,
ndërsá lejleku ngrehë shtëpinë përmbi selví.

18. Malet e nalta janë për dhitë e egra,
në zgavrra shkambijsh lepujt strehimin gjejnë.

19. Me shenjue stinët ti hanën e krijove,
e dielli mirë e di’ kur duhet me përendue.

20. Kur çon mbi tokë terrin e për né erret nata,
atëherë shtazët e pyllës nisin me qitë krye.

21. Hungrojnë luâjtë e turren në kërkim të presë,
e Zotit ushqimin ata ia kërkojnë.

22. Por dielli lén përsërí, e ata tërhiqen,
struken ndër strofuj të vet për me pushue.

23. Njeriu del shtëpijet e shkon për me punue,
nisë punën e punon deri sa të erret nata.
 
24. Sa të shumta janë, o Zot, veprat tua!
Gjithçkahen me dije e ke krijue.
Toka asht plot me kreatyrë tua.

25. Shih, deti shtrihet i gjanë e i hapët:
Në tê lodrojnë frymorë të panumër,
të vogjël e të mëdhaj.

 
26. Në tê shkojnë e vijnë anijet,
lëvizë në tê balena që ti plazmue e ke
në tallaze me u argëtue.

27. Të gjithë prej tejet presin,
t’u apësh në kohë të duhun ushqimin.

28. Ti ua kujdeson, ata e mbledhin,
ti hapë dorën, ata me të mira ngîhen.

29. Po e mshehe fëtyrën tande, ato trishtohen,
frymën ua hjek, e ato lëmeken,
e kthejnë në pluhun të parë.

30. Dërgon shpirtin tand, e rishtas krijohen,
e faqen e tokës ti prap e përtrinë.

31. Lumnia e Zotit kjoftë përgjithmonë;
gëzoftë Zoti për vepra dalë prej tij.

 
32. Tokën shikjon, ajo prej friget dridhet,
malet i prekë, flakë edhe shkëndija qesin.

 
33. Due me i këndue Zotit derisá të kemë jetë,
derisá të kemë frymë me i këndue due Hyut tem.

34. Atij kanga eme i pëlqeftë përherë:
Gëzimi em asht në Zotin!

 
35. Prej faqes së dheut u zhdukshin tanë mëkatnorët,
as kamba bâkeqit mos i shkeltë mbí dhé.
Bekoje Zotin, o shpirti em! Aleluja!

Nga ‘Bibla’, përkthye prej Atë Daniel Gjeçajt OFM







All the contents on this site are copyrighted ©.