2009-05-09 16:34:23

Françeskanët në Sijaga mbi Malin Nebo.


(09.05.2009 RV)Prania e françeskanëve të Rojtarisë së Tokës Shenjte mbi Malin Nebo nis që në vitin 1932. U vendosën këtu falë disa kushteve të favorshme: entuziazmit të fratit kroat Jerom Mihaiç (kujdestar i kopshteve të Rojtarisë së Jerikos, mik e bamirës i familjeve endacake beduine, që kishin ngritur çadrat në brigjet e Jordanit); lejes e bashkëpunimit të emirit Abdullah Ben Hussein, i cili i autorizoi françeskanët të vendosen në Majën e Sijagasë, mbi Malin Nebo; rizbulimit të rrugës së Egjerisë, dmth. rrugës që pati bërë kjo shtegtare në vitet 393-396, përshkruar në ditarin e saj si dhe dëshmisë së ipeshkvit monofizit të Gazës, Pjetër l’Ibero, që përshkruan zanafillën e mrekullueshme të Shenjtërores.
Studium Biblicum Franciscanum ka organizuar dy fushata gërmimesh, më 1933-1937 e pastaj më 1960, nën drejtimin e arkeologut françeskan me famë botërore, Atë Mikele Piçirilo (1944-2008 ), që vdiq pak kohë më parë e u varros në kuvendin mbi Malin Nebo. Gjatë gërmimeve, u zbuluan Bazilika e Moisiut Profet, manastiri Vadì Afrit (Lugina e Djallit) dhe pesë Kisha (e Shën Gjergjit, Shën Lotit, Shën Prokopit, Shën Amos, Shën Kaziseos dhe e Priftit Gjon) të gjitha me dysheme të mrekullueshme, realizuar me teknikën e mozaikut, ndonëse gjysëm të rrënuara gjatë periudhës së ikonathyersve.
Bazilika e Moisiut u ngrit në shekullin IV, mbi themelet e një monumenti të mëparshëm të epokës klasike. Aty ishte edhe një manastir, i zmadhuar në shekullin VI. Nga viti 1933 në Sijaga, mbi Malin Nebo, u ngrit një kuvend françeskan, me hapësira për lutje e ndërtesa të posaçme për arkeologët. Si rezultat i këtij misioni, këtu është hapur shkolla e qeramikës, po studiohet plani për realizimin e një parku arkeologjik dhe për vijimin e gërmimeve në Umm Al-Rasàs, 40 kilometra në juglindje të Madabasë. Në këtë vend françeskanët rigjetën Kishën e Shën Shtjefnit, me një dyshme madhështore, realizuar me mozaik, ku skicohen hartat e disa qyteteve të Palestinës.







All the contents on this site are copyrighted ©.