2009-05-09 15:58:55

Benedikti XVI krerëve myslimanë të Jordanisë: dashuria e arsyeja në themel të feve; liri fetare e më shumë liri kulti.


(09.05.2009 RV)RealAudioMP3 Benedikti XVI e përfundoi paraditen e ditës së dytë në Jordani me vizitën në muzeun Hashemit e në Xhaminë Al-Hussein Bin Talal të Amanit. Në mjediset pranë vendit të kultit, u takua me prijësit fetarë, me Trupin Diplomatik dhe rektorët e Universiteteve jordaneze.
Ati i Shenjtë nënvizoi në mënyrë të posaçme kontributin pozitiv të feve në shoqëri, por shprehu edhe shqetësimin që ngjall përpjekja e disave për ta shuar zërin e të tjerëve e për ta zëvendësuar me të vetin. Foli për manipulimin ideologjik të fesë me qëllime politike, duke ripohuar me forcë lidhjen e pazgjidhshme ndërmjet dashurisë për Hyjin e dashurisë për të afërmin e, prej këndej, dënoi çdo përpjekje të ushtrimit të dhunës në emër të Zotit. Më pas Benedikti XVI vlerësoi lart arsyen njerëzore, dhuratë e Hyjit, kur i bën ballë tundimit për t’i kapëcyer kufijtë e saj. Arsyeja – nënvizoi Papa – e shtyn vazhdimisht mendjen njerëzore të shikojë përtej vetvetes, në kërkim të Absolutit. Theksoi, pastaj, edhe universalitetin e të drejtave të njeriut, që kanë të njëjtën vlerë për çdo burrë e çdo grua, pa asnjë dallim shoqëror e etnik dhe pohoi se e drejta e lirisë fetare nuk duhet parë thjeshtë si çështje kulti por, posaçërisht për pakicat, si e drejtë për të dhënë kontributin në të gjitha fushat e jetës civile. Së fundi, bëri thirrje të fuqishme për paqen në Irak, sepse të krishterët kanë të drejtë të plotë të jetojnë paqësisht në këto troje. Prekëse, thirrja përfundimtare, me një humanitet të thellë:
"Distinguished friends, I trust that the sentiments I have expressed today will leave us with renewed hope for the future. ..
Të dashur miq, besoj se ndjenjat që shpreha sot, ngjallin një shpresë të re për të ardhmen. Dashuria e detyra ndaj të Gjithëpushtetshmit nuk shprehen vetëm në kult, por edhe në dashurinë e në shqetësimin për fëmijët e të rinjtë – për familjet tuaja – e për të gjithë nënshtetasit e Jordanisë. Për ta dërsini çdo ditë e për ta përpiqeni që institucionet, ligjet e funksionet e shoqërisë të kenë për zemër të mirën e çdo njeriu. Uroj që arsyeja, e fisnikëruar dhe e përunjur nga madhështia e vërtetësia e Zotit, të jetë në bazë të jetës dhe të institucioneve të këtij Kombi, që familjet të lulëzojnë e të gjithë të jetojnë në paqe, duke dhënë ndihmesën e tyre e duke shfrytëzuar kulturën që e bashkon këtë Mbretëri të madhe!”.
Në përfundim të takimit Papa dhuroi kuadrin ‘Pëllumbat tek burimi”, realizuar me teknikën e mozaikut, sipas origjinalit, që ndodhet në Mauzoleun e Gala Placidës në një ndërtesë të shekullit V pas Krishtit, në Ravenë. Vepra është realizuar nga Studioja vatikanase e Mozaikëve gjatë muajve shkurt-mars 2009 me zmalt shumëngjyrësh e tipe të ndryshme ari, të aplikuara mbi një bazë metalike.







All the contents on this site are copyrighted ©.