2009-05-08 14:51:57

Qyteti Aman


(08.05.2009 RV)“Rabbat Bene Amon”- qytet i madh i bijëve të Amonit, qendër e pushtetit amonit, është Filadelfia e lashtë greke, 758 metra mbi nivelin e detit, me 1. 580.00 banorë. Kryeqytet i mbretërisë Hashemite të Jordanisë, u ndërtua mbi kodrat në perëndim të maleve Ajlun, në veri të luginës Vadi Aman. Vendbanimet më të lashta i takojnë mijëvjeçarit IV para Krishtit. Qyteti mbretëror, i pushtuar nga trupat e Davidit, ka shumë mundësi të ketë qenë akropoli. Kreshniku Uria Hitita, burri i Betsabesë, me të cilën ishte dashuruar Davidi, u vra pikërisht gjatë betejës rreth mureve të Rabbatit. Mbas pushtimit nga mbreti egjiptian Ptolomeu II Filadelfius (285-246 p. Kr), u quajt përsëri Filadelfia. U rindërtua nga romakët në shekullin II. Të panumërta dëshmitë arkeologjike të epokës së krishterë, nga shekulli III në shekullinVII, kur u pushtua nga islamikët. Pushtimi përfundoi në vitin 635. Për shkaqe krejt të panjohura, në shekullin XIII qyteti zhduket. Trojet popullohen rishtas nga otomanët në vitin 1878, me kolonë çerkasë e çeçenë, por deri në fund të Luftës I Botërore, mbetet vend fare i vogël. Me rënien e perandorisë otomane, Transjordania (në lindje të lumit Jordan, Jordania e sotme) kaloi nën mandatin britanik për Palestinën. Më 1921 Qeveria e Londrës e ndau Transjordaninë nga Palestina, duke ngritur në të parën një emirat nën komandën e Abdullah Bin Hysen, asokohe mbret i Hegjiazit e i Nderuar i Mekës. Kryeqyteti i shtetit të ri ishte Amani, që rifilloi zhvillimin posaçërisht pas shpalljes së pavarësisë, më 1946. Me shpalljen e shtetit të Izraelit, drejt Amanit u dynd vala e refugjatëve palestinezë. Në vitin 1967 Jordania e humbi kontrollin mbi Çisjordaninë. Në këtë kohë nisi ndikimi i fortë palestinez, si përsa i përket rritjes së popullsisë, ashtu edhe në fushën politike e ushtarake. Pasojnë ndeshjet e armatosura të shtatorit 1970, që përfundojnë me largimin e guerriljes palestineze e me dëmtimin e rëndë të kryeqytetit. Amani sot është qendra më e madhe tregtare e financiare e vendit, e jo më pak edhe kulturore, seli e universitetit, themeluar më 1962. Interes të veçantë paraqet qyteti i lashtë, me kështjellën, muzeun arkeologjik e amfiteatrin romak, të gjitha të ruajtura shumë mirë.







All the contents on this site are copyrighted ©.