2009-05-08 17:48:00

Papa në Aman: shtegtar për të nderuar viset e shenjta, për të promovuar paqen në Lindjen e Mesme, lirinë fetare e besëlidhjen ndërmjet perëndimit e botës myslimane.


(08.05.2009 RV)RealAudioMP3 Vij në Jordani si shtegtar, për të nderuar viset e shenjta: me këto fjalë, shqiptuar gjatë ceremonisë së mirëseardhjes në aeroportin e Amanit, Benedikti XVI nisi shtegtimin e tij në Tokën Shenjte, për ta vijuar, pastaj, në Izrael e në Territoret Palestineze, më 11 deri më 15 maj.
Papa foli për lirinë fetare, si e drejtë njerëzore themelore, për promovimin e paqes së qëndrueshme e të drejtësisë së vërtetë në Lindjen e Mesme, për besëlidhjen ndërmjet qytetërimit të botës perëndimore e atij mysliman, që përgënjeshtron parashikimet mbi pashmangshmërinë e dhunës e të konfliktit ndërmjet kulturave.
Në fjalimin e parë Benedikti XVI shprehu gëzimin për arritjen në Mbretërinë Hashemite të Jordanisë, tokë e pasur me histori, atdhe i qytetërimeve të lashta, vend i shenjtë si për hebrenjtë, ashtu edhe për të krishterët e myslimanët. Më pas falënderoi Lartmadhërinë e Tij, Mbretin Abdullahu II dhe e uroi me rastin e dhjetëvjetorit të uljes në fronin e mbretërisë, në të cilën luan një rol të dorës së parë për t’i bërë sa më të kuptueshme vlerat e Islamit.
Duke i drejtuar përshëndetjen e tij mbarë popullit jordanez, Benedikti XVI nënvizoi:
Mbretëria e Jordanisë është prej kohe në vijën e parë të frontit për promovimin e paqes në Lindjen e Mesme e në botë, për vijimin e dialogut ndërfetar, për kërkimin e rrugëzgjidhjes paqësore të konfliktit izaelito-palestinez, për mikpritjen e refugjatëve nga Iraku e për përpjekjet, që frenojnë ekstremizmin”.
Papa kujtoi se edhe shtegtimi i tij është pjesë përbërëse e procesit historik, i cili synon arritjen e paqes së qëndrueshme e të drejtësië së vërtetë për të gjithë ata që jetojnë në Lindjen e Afërme. Kujtoi, më pas, rolin domethënës të Mbretit të mëparshëm Hussein, emrin e të cilit e mban Xhamia, ku do të takohet nesër me liderët ndërfetarë myslimanë, me Trupin Diplomatik e me Rektorët e universiteteve.
Si uroi që impenjimi i mbretit të ndjerë për zgjidhjen e konflikteve në zonë të sjellë fryte të reja në përpjekjen për paqen në Lindjen e Mesme, Benedikti XVI theksoi edhe një herë se nuk shkel në këto troje si politikan, por si shtegtar:
“Vij në Jordani si shtegtar, për të nderuar viset e shenjta, që luajtën një rol të dorës së parë në disa nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë biblike – tha Papa, duke kujtuar më pas Malin Nebo, ku Moisiu u priu njerëzve të tij për të soditur tokën, që do të bëhej shtëpia e tyre, ku vdiq e u varros. Kujtoi Betaninë, përtej Jordanit, ku Gjon Pagëzuesi predikoi e dëshmoi Jezusin, të cilin edhe e pagëzoi në ujërat e lumit, emrin e të cilit mban Jordania.
Papa kujtoi edhe se në ditët e ardhshme do t’i vizitojë të dyja këto vise të shenjta e do të ketë gëzimin të bekojë gurët e parë të kishave, që do të ndërtohen në vendin tradicional të pagëzimit të Zotit. Mundësia që i jepet bashkësisë katolike të Jordanisë për të ndërtuar vende publike kulti, është shenjë e respektit për fenë në këtë vend – tha Papa - e në vijim shprehu mirënjohjen e tij për hapjen e kësaj rruge. Liria fetare është pa dyshim themelore – shpjegoi Ati i Shenjtë – duke shprehur besimin se respekti për të drejtat e patjetërsueshme e për dinjitetin e çdo burri e të çdo gruaje do të vijojë të pohohet e të mbrohet, jo vetëm në Lindjen e Mesme, por në të katër anët e botës:
Vizita në Jordani më krijon mundësinë të shpreh respektin e thellë për bashkësinë myslimane e për rolin udhëheqës të Mbretit”.
Kështu u shpreh Papa e, në vijim, kujtoi botimin, disa vjet më parë, të mesazhit të Amanit e të mesazhit ndërfetar të Amanit, si dhe vlerën e tyre për krijimin e besëlidhjes ndërmjet qytetërimeve të botës perëndimore e asaj myslimane, duke përgenjeshtuar parashikimet e atyre, që i konsiderojnë si të pashmangshme dhunën e konfliktin.
Ati i Shenjtë kujtoi edhe seminarin e Forit katoliko-mysliman, mbajtur në Romë, vjeshtën e kaluar, duke u ndaluar tek roli qëndror që luan urdhërimi i Zotit për ta dashur njëri-tjetrin, në traditat përkatëse fetare.
Në përfundim Benedikti XVI shprehu dëshirën që vizita e tij si dhe nismat e programuara për promovimin e marrëdhënieve të mira ndërmjet të krishterëve e myslimanëve, të ndihmojnë për të thelluar gjithnjë më shumë dashurinë ndaj Hyjit të gjithëpushtetshëm e të mëshirshëm e dashurinë vëllazërore ndërmjet besimtarëve të të gjitha feve.







All the contents on this site are copyrighted ©.