2009-05-08 14:04:24

Papa arriti në Aman, kryeqytet i Jordanisë.


(08.05.2009 RV)Ati i Shenjtë arriti në Jordani, etapë e parë e shtegtimit të tij apostolik në Tokën Shenjte. Avioni, me të cilin udhëtonte Benedikti XVI, preku tokën jordaneze në aeroportin ndërkombëtar të kryeqytetit, Aman, në orën 14.30 me orën vendase, 13.30 me atë evropiane. U prit nga mbreti Abdallah II, i shoqëruar nga mbretëresha Rania. Të pranishëm edhe patrikët e ipeshkvijtë e Jordanisë e të Tokës Shenjte. Nisi menjëherë ceremonia e mirëseardhjes, e edhe fjalimi i parë i Papës në Tokën Shenjte.
Vizita po ndiqet me interesim të madh nga opinioni publik i Jordanisë, që pret për herë të dytë një papë, gjatë nëntë vjetëve të fundit. Fakti që vendi është me shumicë myslimane, nuk e pakëson por, përkundrazi, e shton nderimin e simpatinë për Benediktin XVI e për vizitën e tij, gjë që e tregon edhe zgjatja qendrimit të Atit të Shenjtë në këtë vend, ku bashkësia e vogël katolike, që përbën vetëm 3% të popullsisë, vijon të jetojë që në shekujt e parë të krishterimit.
Atmosfera e vëmendjes dhe e bashkëjetesës paqësore, që ka karakterizuar gjithnjë marrëdhëniet ndërmjet myslimanëve e të krishterëve ndjehet fort edhe në mënyrën si e pasqyrojnë vizitën e Papës mjetet vendase të komunikimit masiv. Të gjitha janë plot me artikuj e me foto të Papës, si dhe me përshkrimet e vendeve, që do të vizitojë.
E pas ceremonisë së mirëseardhjes, Papa do të vizitojë qendrën “Mretëresha e Paqes” e më pas do të shkojë në Pallatin Mbretëror Al-Huseinije për një vizitë mirësjelljeje te mbreti dhe mbretëresha e Jordanisë.
Radio Vatikani do ta ndjekë drejtpërdrejt gjatë gjithë shtegtimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.