2009-05-07 17:03:17

Uashington: Afganistani dhe Pakistani zotohen se do ta luftojnë së bashku terrorizmin


(07.05.2009 RV) RealAudioMP3 Presidenti afgan Hamid Karzai dhe ai pakistanas Azif Ali Zardari u takuan dje veç e veç me presidentin Obama në Uashington. Takimet kishin si synim krijimin e një fronti të përbashkët tripalësh të luftës kundër terrorizmit. Më së fundi duket se Afganistani dhe Pakistani i kapërcyen mosmarrëveshjet e tyre në lidhje me çerdhet e terroristëve. Siç dihet në të kaluarën Afganistani e ka akuzuar shumë herë vendin fqinj se jo vetëm nuk bën sa duhet për të luftuar terroristët por edhe e bën veshin të shurdhër. “Jam i kënaqur, - tha Presidenti Obama, - që më në fund këta dy burra - udhëheqës të zgjedhur nga vendet e tyre, e kuptuan plotësisht kërcënimin me të cilin po përballemi dhe ripohuan impenjimin e tyre për ta luftuar”. Nga ana e vet presidenti i Pakistanit Zardari tha se gjendet përkrah vëllait të tij afganas, Karzai dhe popullit që ai përfaqëson në luftën e përbashkët kundër këtij kanceri, siç e quajti ai terrorizmin. Zardari gjithashtu theksoi se vendi i tij ka një barrë të rëndë, se vendi i tij po lufton njëherësh kundër talebanëve, por edhe kundër Al Kaedës, “Por - shtoi ai - Islamabadi është i gatshëm ta pranojë sfidën sepse ne jemi demokracia dhe demokracia është mjekimi i vetëm për këtë lëngatë.”
Takimi, i cili vazhdoi edhe sot, u zhvillua në një klimë të tensionuar nga lajmi se avionët amerikanët pardje bombarduan një zonë në perëndim të Afganistanit duke shkaktuar disa qindra viktima. Në lidhje me këtë presidenti Obama u premtoi dy udhëheqësve se ai do të bëjë të pamundurën për të shmangur viktimat e pafajshme.
Pikërisht mbi këtë ngjarje të dhimbshme që shkaktoi të vrarë ndër civilë në zonën e Farahut, komanda e ushtrisë amerikane dhe presidenti Karzai kërkuan hapjen e një hetimi.
Në mikrofonin tonë flet gjenerali Marko Bertolini, shef i shtabit të përgjithshëm të trupave ISAF, të NATO-s në Afganistan. Ta dëgjojmë:

Përgjigje: Ai i viktimave ndër civilë është një problem i madh. E ndërkaq shkakton hidhërim të thellë edhe tek ne, sepse asnjë ushtar nuk do të donte të vriste njerëz të pafajshëm, por në fakt vazhdon të ketë viktima, për motive të ndryshme. Njëri nga këta është se ne këtu nuk përjetojmë një gjendje paqeje. Paqja është ajo çka ne dëshirojmë të arrijmë, por që nuk e kemi arritur ende. Nuk ka marrëveshje ndërmjet palëve luftuese, siç e kemi vënë re edhe në zona të tjera më përparë, fjala vjen në Ballkan, apo aktualisht në Liban, në Somali etj etj. Për fat të keq kjo është një lloj lufte që po zhvillohet në një vend ku qytetet janë të banuara e fushat janë të mbjella. Fatkeqësisht këto gjëra ndodhin sepse ne si ushtarakë jemi të përzier me popullsinë.

Pyetje: Cilat janë masat e sigurisë, përveç çështjes me karakter etik që ka të bëjë shumë me ushtarakët, domethënë, fjala vjen, nëse armiku fshihet në një banesë ku ka fëmijë, ajo nuk duhet goditur, apo jo?

Përgjigje: Po është e vërtetë. Jemi të vetdijshëm kur kemi të bëjmë me një situatë që zhvillohet në shtëpinë tonë. Po qe se do të gjendeshim në një situatë të tillë ndoshta do të kishim mjaft mundësi të merrnin vesh se kush e tek gjendet brenda banesës. Ndërsa këtu nuk jemi në një situatë të tillë. Këtu ndodhemi në një gjendje të vërtetë lufte. Sigurisht që mbajmë përgjegjësi, por ama edhe ana tjetër i përdor këto popullsi, shpeshherë edhe të diskriminuara - për të shkaktuar viktima, për të krijuar alarm, për të nxitur urrejtjen kundër nesh.







All the contents on this site are copyrighted ©.