2009-05-07 16:59:50

Nesër fillon shtegtimi i Papës Benedikti XVI në Tokën Shenjte. Kardinal Martini: shpresë për paqen dhe drejtësinë në Lindjen e Mesme.


(07.05.2009 RV)RealAudioMP3 45 vjet pas udhëtimit historik të Papës Pali VI dhe 9 pas atij të Gjon Palit II, një Papë tjetër kthehet si shtegtar në vendet ku jetoi Krishti. Vizita e Benediktit XVI bëhet në një moment tensioni të madh për Tokën Shenjte, ku pas konfliktit të Gazës, armëpushimi është thjesht një surrogat i paqes së vërtetë. E Papa shkon për t’u lutur për paqe e bashkim. Atmosfera e mbushur me shpresën shoqëroro-politike, e cila qe sfondi i vizitës së Papës Vojtila në vitin 2000, duket se është davaritur; njerëzit janë të lodhur nga pritja. Por, duket se janë davaritur edhe polemikat mbi Ratisbonën, nga ana e myslimanëve, dhe mbi rastin e ipeshkvit Uiliamson, nga fronti hebraik. Në Territoret Autonome Palestineze, Papën e presin autoritetet politike, të përçara pas ngjarjeve të Hamasit në Gaza, si edhe refugjatët e Kampit të Aidës, të cilët jetojnë në varfëri që nga viti 1948: një gjest i Benediktit XVI, që tregon afërsinë me problemet e popullit palestinez. Nga Gaza, mëse 200 arabë të krishterë nuk kanë mundur të marrin lejen për të hyrë në Izrael, që të ndjekin meshët e Atit të Shenjtë në Jeruzalem e Betlehem. Trajtim i ndryshëm për të krishterët e Jordanisë: nga 15 mijë kërkesa, janë pranuar 11 mijë. Në këtë Tokë, ku Jezusi plotësoi misionin e vet, Benedikti XVI duhet t’u japë shpresë të krishterëve të vendit: vetëm në Jeruzalem, në kohën e krijimit të Shtetit të Izraelit, ata ishin 24 mijë, tani, pak më shumë se 6 mijë. Të krishterë, që emigrojnë për shkak të mungesës së shtëpive, të pasigurisë së punës, të së ardhmes jo premtuese të bijve, të një shoqërie, e cila shpesh është kundër tyre. Këtyre u duhet shtuar edhe ndarja e shumë familjeve për shkak të murit të ndërtuar nga Izraeli, që ka sjellë si pasojë ndarjen e atyre çifteve, që e kishin rezidencën në Territoret palestineze.
Gjithsesi, autoritetet izraelite i kanë dhënë rëndësi të madhe udhëtimit të Papës. Kanë caktuar 10 milion euro për organizimin e 10 milion dollarë u janë dhënë 44 shkollave katolike për të përgatitur pritjen sëbashku me 24 mijë nxënësit e tyre, të krishterë e myslimanë. Presidenti Peres e ka cilësuar ngjarjen si “prekëse e të një rëndësie të dorës së parë, nga e cila fryn erë paqeje e shprese”. Gazetat theksojnë më tepër përgatitjet, pa komentuar, ndërsa radioja shtetërore transmeton vazhdimisht programin e vizitës. Në Jeruzalem, Papa do të shkojë edhe në Jad Vashem, memorialin e Holokaustit, por nuk do të hyjë në sallën ku ndodhet një didaskali ofenduese për Papën Piu XII. Benedikti XVI do të bëhet pra shtegtar i paqes, për të pohuar – siç tha në Mesazhin e Pashkëve – se “Krishti ka nevojë për burra e gra, që në çdo kohe e vend, ta ndihmojnë për të afirmuar fitoren e tij me armët e drejtësisë e të së vërtetës, të mëshirës, të faljes e të dashurisë”.
Nesër, Benedikti XVI do të niset në orën 9.30 nga Roma për në Aman, kryeqyteti i Jordanisë. Vizita e parë do të bëhet në Qendrën “Regina Pacis” për të sëmurët me të meta fizike. Pa dyshim, kulmi i vizitës arrin të martën në Jeuzalem. Si e presin Papën në vendin ku Jezusin e pritën me “hosana” e ku më pas vendosën ta kryqëzonin? Përgjigjet në mikrofonin tonë, një njohës i mirë i atyre anëve, pikërisht për faktin se ka jetuar atje për një kohë të gjatë. Ia japim pra fjalën kardinalit Karlo Maria Martini, për të na shpjeguar si e përjeton ai vetë këtë vizitë:.........RealAudioMP3
E përjetoj ashtu si të gjithë të krishterët, pra duke pasur parasysh se Kisha ka një prirje të veçantë drejt Jeruzalemit dhe Jeruzalemi ka vlera simbolike të pavdekshme. Në fakt, qyteti – apo më mirë Mbretëria e Hyjit e realizuar – është quajtur Jeruzalemi Qiellor. Që Papët shkojnë në Jeruzalem, është diçka e kohëve të fundit, prandaj nuk e dimë mirë se ç’duhet të presim. Ndoshta Zoti na përgatit të papritura, por gjithsesi, udhëtimi do të shërbejë sigurisht për t’i bindur edhe më shumë hebrenjtë se duam të bisedojmë e të dialogojmë me ta. Pastaj, do të shërbejë për të bindur popullin palestinez se i kuptojmë vuajtjet e tij dhe e mbështesim. Përtej këtyre gjërave, ekziston ndonjë mister i Hyjit që ndoshta i kthen Kishës sensin e Jeruzalemit si qendër, sens që u pat humbur disi.
Cila është vlera shpirtërore që ka ky udhëtim për të krishterët, të cilët sot jetojnë në atë copëz toke të martirizuar nga dhuna?
Ky grup që përmendët, është tepër i veçantë. Janë shumë pak e gjenden në vështirësi, sepse nuk shohin asnjë të ardhme, prandaj për ta ka rëndësi përkrahja në rrethanat aktuale dhe ndihma për të ardhmen. Janë sidomos persona, që nuk e kanë jetën të lehtë përsa i përket punës, karrierës, mundësisë për t’u shprehur, për t’u zgjeruar. Shpresojnë pa dyshim në ndihma.
Ç’rëndësi ka vizita e Benediktit XVI për dialogun ndërfetar dhe ekumenizmin?
Jeruzalemi – unë e kam thënë gjithnjë – është një qytet pak ekumenik në vetvete, sepse në rrugën drejt Varrit të Krishtit ne shohim besime të ndryshme që grinden e njëra e ngre zërin më shumë se tjetra. Prandaj, nuk është Jeruzalemi, qyteti model për dialogun ekumenik. Por, në këto vite, janë bërë hapa përpara e ne presim vazhdimin e kësaj rruge. Edhe dialogu ndërfetar nuk është i lehtë. Ai që do të theksoja unë, është dialogu i paqes, dialogu në nivelin human. Për shembull, unë njoh një grup mjaft të madh njerëzish, që kanë pasur një zi në shtëpi, por në vend që të kërkojnë hakmarrjen, kërkojnë dikë nga ana tjetër, palestinez apo hebre, që ka pausr një zi të ngjashme, për të folur me të. Në këtë kuptim, mendoj se duhet të nxitet një dialog, që po e quaj të paqes, në nivelin e vlerave të mëdha, sepse ndërsa për fetë mund të ketë ndonjë motiv ndarjeje, ky dialog karakterizohet nga mirëkuptimi dhe aftësia për ta kuptuar tjetrin deri në fund.
Hirësi, cili vend i Jeruzalemit dhe i Tokës Shenjte është më i dashur për ju?
Nuk e kam të vështirë ta them: vendi më i dashur është Kalvari, pasi atje mund të meditohet mbi krejt fatin e njerëzimit. Çdo gjë negative e historisë së njerëzimit përmblidhet aty dhe shëlbohet. Është një vend thellësisht evokativ.
Në Pashkët që sapo kaluan si e kujtuat këtë vend?
Duke e rijetuar këtu, jam larg fatkeqësisht, shpresoja të qëndroja përgjithmonë në Jeruzalem, por nuk qe e mundur, prandaj, e kam kujtuar sidomos me lutje. Të Premten e Madhe, duke përjetuar situatën në të cilën flijimi i Krishtit është më i madh se të gjitha krimet e botës. Duke parë botën e sotme gjen shumë motive deziluzionimi, hidhërimi, por duke parë Krishtin, dihet se Ai ka fituar mbi këto gjëra, i ka kapërcyer. Ne nuk mund ta themi as se si, por jemi të sigurtë se e mira është më e fortë se e keqja.
Në nivelin personal, çfarë prisni nga udhëtimi i Papës Benedikti XVI në Tokën Shenjte?
Pres shtrirjen e vëmendjes për dialogun me hebrenjtë dhe këmbënguljen për drejtësinë e të vërtetën e konfliktit hebraik-palestinez. Zoti mund të na rezervojë edhe të papritura, por në këtë moment, nuk e di se ç’mund të jenë, pasi ndoshta Hyji na i mban të fshehura e do të na i zbulojë në çastin e fundit.
Sipas jush, çfarë duhet për arritjen e paqes në Tokën Shenjte?
Duhen shumë gjëra, duhet e vërteta, drejtësia, mirëkuptimi, heqja dorë nga dhuna, nga terrorizmi. Po jap një shembull. Ka shumë gjëra, që s’merren parasysh, prej të cilave rrjedh paqja: për shembull, ndarja e ujit. Uji është i pakët e duhet ndarë në mënyrë të barabartë që të dy popujt, të dyja shtetet (nëse do të bëhen) të mund të jetojnë. Pastaj, vjen rruga e politikës, e dialogut e takimeve të thjeshta mes njerëzve, këto grupet e pajtimit për të cilat fola. Besoj se përmes këtyre gjërave kalon shumë, pasi është Ungjilli i jetuar nga njerëzit, pa e ditur madje se është Ungjilli.







All the contents on this site are copyrighted ©.